Ballina Opinione Më mirë me këmbë në tokë

Më mirë me këmbë në tokë

SHPËRNDAJE

nga Majlinda BUSHJA

Një fjalë e urtë thotë që “Dija është pasuri” dhe kjo është mëse e vërtetë, por nëse nuk vihet në përdorim humbet. Pse e them këtë?! Maturantët sivjet dolën në protesta për mosmarrjen e degës së tyre të preferuar dhe disa të tjerë për mosfitimin e asnjë dege në raundin e parë. Të dalësh në protestë është normale dhe të kërkosh të drejtën e studimit, gjithashtu. Por nëse zgjedhja e degës së preferuar është problem, punësimi mbas mbarimit të studimeve universitare është vërtet një problem madhor. Pasi 4 apo 5 vite studimi ikin shpejt dhe pas tij vjen punësimi. Punësimi i cili është tepër i vështirë për shkak të tregut të punës që ekziston sot në Shqipëri. Ndaj çdo i ri, apo e re që kërkon të studiojë duhet t’i bëj pyetje vetes para se të ndërmarri këtë hap nga më të rëndësishmit në jetën e vet: A premton dega që kam zgjedhur të studiojë një të ardhme më të mirë, apo është thjeshtë për të marrë dije më shumë?

Në përgjithësi, çdo njeri nuk studion vetëm për të marrë dije, por edhe për një vend pune më të mirë, për një jetesë më komode, apo shkurt fare për një të ardhme më të mirë. Mirëpo sot kemi arritur në një pikë, ku dega për të cilën kemi studiuar dhe vendi në të cilin punojmë nuk përputhen gjëkund me njëri -tjetrin. Ndodh jo rrallë të hasim këtë shqetësim. A nuk kemi plot studentë që kanë studiuar drejtësi, letërsi, histori, sociologji, psikologji, etj dhe kanë përfunduar kamarier, në call center për t’i shpëtuar papunësisë e për të mos u endur rrugëve? Pas shumë e shumë peripecish, orësh studimi, investim në para, kanë arritur në fund të mos gëzojnë frytet e punës së tyre, pasi tregu i punës ka kapacitetet e veta dhe do pranojë aq sa i duhen. A nuk duhet t’i përshtatemi kapaciteteve që ofron tregu sot, apo do vazhdojmë të vendosim në plan të parë dëshirat pa marrë parasysh se çfarë na pret pas studimeve universitare? Liria e të zgjedhurit nuk na jep gjithmonë zgjidhje të mira, por thjeshtë të dëshiruara. Nga ana tjetër vitet e studimeve janë shumë të çmuara për çdo njeri. Kështu, zgjedhja më e mirë është ajo që shërben për të ecur përpara.

Jam pro arsimimit të të rinjve dhe zhvillimit, por në të njëjtën kohë jam dakort që t’i përshtatemi tregut të punës, të mos udhëhiqemi vetëm nga dëshira por edhe logjika se sa do të na vlejë më pas mundi ynë. Sepse tashmë është parë e po shihen mijërat e studentëve të papunë të cilët pasi kanë mbaruar studimet dhe nuk kanë gjetur punë ia kanë mbathur jashtë si e vetmja shpresë. Problemi është kush do ta udhëheq Shqipërinë drejt progresit, nëse pjesa më shkolluar e gjen shpëtimin jashtë vendit? A është zgjedhja që duhet, apo e vetmja zgjedhje në mungesë të zgjedhjeve të tjera që nuk premtojnë të ardhme në raport me atë çka duam për kohën që jetojmë në Shqipëri?

Kushdo mund të mësojë nga gabimet e të tjerëve për të mos rënë në përsëritje. Kam bindjen e plotë se ne si shoqëri nuk po mësojmë nga gabimet e të tjerëve, por po vazhdojmë në të njëjtën rrugë duke i përsëritur ato dhe duke përjetuar ankthin dhe stresin e papunësisë që vjen shumë shpejt pas studimeve. Ne kemi numrin më të madh të juristëve për metra katrorë në vend do të deklaronte në një takim me të rinjtë vet kryeministri Rama. Pra shifrat dhe realiteti që po përjetojmë përditë tregon  se rruga që është ndjekur deri më tash nuk ka qenë e duhura, por ambicja për ta vazhduar e ka bërë edhe më të vështirë situatën.

Çdo njeri udhëhiqet nga ëndërrat, veçandërisht çdo i ri, çdo e re që kërkon një të ardhme më premtuese, dhe bën mirë, pasi njeriu pa ëndërra nuk do ta “gdhente” statujën e jetës së vet me atë dëshirë që e bën kur është i mbushur me to. Dhe një nga këto është arsimimi që tregon se cila është rruga që do të ndjek më pas në jetë. Njeriu pa dije është i humbur dhe i premton pak kohës që jeton. Problemi është që të mos harrojë realitetin me të cilin ndodhemi në Shqipëri. Pasi nuk më duket aspak e drejtë që pas një sakrifice 4-5 vjeçare, apo edhe më shumë, të mos gjesh veten gjëkundi në tregun e punës.

Kryesorja është të mos përsëritet e njëjta histori në të ardhmen. Të minimizohet numri i të papunëve me arsim të lartë, e të mos dëgjojmë më atë shprehjen “ka punë, por nuk ka profesionistë”, e cila sikur vë përpara përgjegjësisë gjithë shoqërinë për zgjedhjet që ke bërë deri më tani që rezultojnë se nuk ka qenë të duhura. Çka tregon se jemi të kushtëzuar në zgjedhjet tona dhe përtej ëndërrave ndodhet një realitet, që pavarsisht na pëlqen apo jo jemi të detyruar ta jetojmë dhe përballojmë.

Arsimimi është drita që udhëheq çdo shoqëri për të ecur pëpara, prandaj nuk quhet më dëshirë, por detyrim për çdo njërin nga ne. Por brenda këtij detyrimi madhor pozicionohen edhe dëshirat tona që kapërcejnë kufijtë e realitetit përmes ëndërrave. Por, ëndërrat bëjnë mirë deri në momentin që nuk na marrin përpara. Ballafaqimi me realitetin për çdo njërin nga ne është një zgjedhje e drejtë, që më pas do të lehtësonte vendimet tona në lidhje me degën që duam të studiojmë, duke marrë vendimin e duhur.