Ballina Teknologji Maksi-sulm kibernetik, interneti në kaos

Maksi-sulm kibernetik, interneti në kaos

SHPËRNDAJE

Një sulm kibernetik i përmasave të mëdha ka goditur këtë të premte trafikun në qindra faqe interneti në zonën e bregut lindor të Shteteve të Bashkuara.

Sulmi pirat ka goditur mes të tjerash faqet më në zë të web-it, si Twitter, “Financial Times”, Spotify, Reddit, e-Bay dhe “New York Times”. Bllokimi ka zgjatur për rreth dy orë, ndërsa tashmë trafiku në internet ka rifilluar rregullisht.

Lajmin e ka bërë të ditur shoqëria DYN, serverët e të cilës u vunë në shënjestër nga piratë informatikë që çoroditën rrjetin duke shkaktuar një mbipopullim të trafikut.

Mes faqeve të tjera të prekura nga ky sulm kanë qenë edhe ato të Visa, Amazon, Netflix, CNN dhe Tumblr. Ende nuk ka patur një deklaratë nga autoritetet amerikane lidhur me ngjarjen dhe asnjë, të paktën deri më tani, akuzë.

Së fundmi Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar Rusinë për sulme kibernetike me qëllim manipulimin e zgjedhjeve presidenciale, ndërsa kanë paralajmëruar me një kundërpërgjigje që Kremlinit do t’i vijë së shpejti.

Por ndërkohë, një tjetër sulm, edhe më i rrezikshëm, është kryer ndaj aseteve amerikane, këtë herë ndaj aeroplanmbajtëses “Ronald Reagan”, për të mbledhur të dhëna mbi manovrat ushtarake të Shteteve të Bashkuara.

Lajmin e bën të ditur “Financial Time”, që citon një kompani amerikane për sigurinë informatike, “FireEye”. Sipas kompanisë në fjalë, piratë informatikë kinezë kanë sulmuar funksionarë të qeverisë amerikane që ndodheshin në bordin e anijes luftarake, duke i “mbytur” me email-e të infektuara me virus.

Ngjarja në fjalë ka ndodhur 11 korrikun e kaluar, një ditë përpara vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pretendimet territoriale në Detin e Kinës së Jugut. Ato ditë anija ndodhej pikërisht në këtë zonë.

Loading...