Ballina Aktualitet Ligji për PSP-në dhe dëshmitarët e mbrojtur, përsëri në Kuvend

Ligji për PSP-në dhe dëshmitarët e mbrojtur, përsëri në Kuvend

SHPËRNDAJE

Një ditë pasi Kuvendi hodhi poshtë projekt/ligjet e LSDM-së per shtyrjen e afatit të PSP-së dhe Mbrojtjen e Dëshmitarëve, të njëjtat propozime janë rikthyer në procedurë të rregullt parlamentare nga deputeti i Lidhjes Demokratike Pavle Trajanov, i cili dje nuk ishte fare në seancë. Ai tha se me mbështetjen e plotë të deputetëve të LSDM-së, atyre shqiptarë dhe me presion të bashkësisë ndërkombëtare këto projekt/ligje mund të kalojnë në Kuvend.

“Ekziston mundësia që këto ligje të miratohen edhe nëse deputetët e VMRO-DPMNE-së do të votonin kundër. Pra nëse krijohet një shumicë tjetër, por nevojitet që të gjithë deputetët e BDI-së, PDSH-së dhe deputetët e pavarur të votojnë pro”, deklaroi Pavle Trajanov, LD.

Por, deputetët shqiptarë thonë se as kolegu Pavle Trajnaov sot dhe as LSDM-ja dje nuk i ka konsultuar për këtë nismë për miratimin e së cilës, sipas tyre, nevojitet konsensus i gjerë. Kjo ka qenë edhe arsyeja që shumica e deputetëve shqiptarë nuk votuan një ditë më parë për propozimet e LSDM-së.

“Nëse kërkon Prokuroria Speciale pikërisht të sjellet ligj për dëshmitarët e fshehur për të trajtuar rastet më të rënda që kanë ndodhur është obligim i yni dhe gjithsesi se një gjë të tillë do ta përkrahim”, tha Rafis Aliti, BDI.

PDSH-ja e ka quajtur joserioze dhe jo të sinqertë mënyrën e propozimit të këtyre projekt ligjeve nga opozita maqedonase, të cilën e ka akuzuar se me këtë qasje po devalvon punën e PSP-së.

“Kjo qasje e devalvon punën e prokurorisë dhe nuk e ndihmon atë. Nëse dikush nuk frikësohet nga PSP-ja ajo është PDSH-ja dhe ne jemi jetësisht të interesuar që krimet nga kjo  qeveri të zbardhen”, tha Imer Aliu, PDSH.

E vetmja parti që ka paralajmëruar se do të mbështesë project/ligjet e propozuara nga deputeti Pavle Trajanov është LSDM-ja e cila megjithatë nuk beson se këto propozimet do të marrin mbështetjen e shumicës.

“Pas asaj që ndodhi dje nuk presim asnjë ndryshim nga struktura qeverisëse.  Reagimi i bashkësisë ndërkombëtare tregon se mbështetja për prokurorinë duhet të jetë reale dhe jo vetëm deklarative”, u shpreh Goran Sugarevski, LSDM.

Partia më e madhe maqedonase VMRO-DPMNE ka paralajmëruar se do të kundërshtojë këto projekt/ligje pasi sipas tyre të njëjtit nuk janë paraparë me marrëveshjen politike mes katër partive kryesore. Propozim/ligjet e LSDM-së për Specialen dhe dëshmitarët e mbrojtur që sipas ekipit të Katica Janevës janë të nevojshëm për hapjen e hetimeve për rastet “Monstra” dhe “Sopoti”, nuk ka kaluan meqë për to nuk votuan deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe shumica e deputetëve shqiptarë.

Rijad Murati