Ballina Aktualitet Lëvizja BESA: Kush po luan me Teatrin Shqiptar në Shkup?

Lëvizja BESA: Kush po luan me Teatrin Shqiptar në Shkup?

SHPËRNDAJE

Përderisa Shkupi ndërtohet e mbindërtohet me objekte kulturore, pallate, muze e përmendore madhështore, që kushtojnë miliona euro, për qytetarët e rendit të dytë, siç i ka kategorizuar shqiptarët çifti VMRU-BDI, mund të lejohet vetëm një rikonstruksion i vockël i të vetmit tempull  kulturor shqiptar në Shkup. Kështu duket qartë se sa e vlerëson, çmon dhe kultivon partia në pushtet kulturën shqiptare në Maqedoni. Në të vërtetë, edhe pse ka ngjarë një vit vonesë prej afatit të caktuar për përfundimin e rindërtimit të Teatrit Shqiptar në Shkup, ping-pongu i VMRO- së vazhdon dhe puna është shumë larg finalizimit.

Për këtë arsye Lëvizja BESA reagon ashpër dhe apelon deri te institucionet kompetente që ta përshpejtojnë punën administrative, që thuhet se është shkaku i vonesës së përfundimit të punëve dhe kështu t’u mundësohet aktorëve të këtij teatri që ta shprehin kreativitetin e vet, në mënyrë që kjo tragjikomedi të marrë fund.

Duke e vlerësuar rëndësinë e zhvillimit kulturor të qytetarit shqiptar, Lëvizja BESA në platformën e saj i ka kushtuar vëmendje të veçantë ndërtimit të teatrove në të gjitha vendbanimet shqiptare, krejt kjo me synimin që edhe shqiptarët e Maqedonisë të mund të jenë të barabartë në zhvillimin kulturor të qytetarëve të vendit.

besa-716x380