Ballina Aktualitet KUVENDI NUK SHPËRBËHET MË 12 TETOR

KUVENDI NUK SHPËRBËHET MË 12 TETOR

SHPËRNDAJE

E mërkura nuk do të jetë dita e fundit e punës për deputetët e përbërjes aktuale, raporton SHENJA.

Kjo mësohet nga kalendari i aktiviteteve të Kuvendit ku për të enjten është caktuar një seancë e re. Por, prolongimi i seancës për shpërbërjen e Kuvendit nuk nënkupton me automatizëm edhe shtyrjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të parapara për më 11 dhjetor edhe pse një skenar i tillë as nuk përjashtohet.

Ligjërisht Kuvendi duhet të shpërbëhet nga 45 deri më 60 ditë para datës së zgjedhjeve andaj deri më 27 tetor ka kohë për një vendim të tillë që zgjedhjet të mbahen në afatin e paraparë nga liderët e katër partive parlamentare, që është 11 dhjetori.

Sipas një brifingu joformal, partitë në pushtet thonë që shtyrja e shpërbërjes së Kuvendit bëhet me qëllim që të miratohet buxheti për vitin e ardhshëm dhe sipas tyre kur të miratohet ky buxhet menjëherë mund të caktohet edhe seanca për vetëshpërbërje të deputetëve.

Por, nga ana tjetër, jozyrtarisht shtyerja e kësaj seance lidhet me vizitën e Komisarit të Lartë për Zgjerim dhe Fqinjësi të BE-së, Johanes Han si dhe me dy ligjet për Prokurorinë Speciale që pritet të jenë temë diskutimi pikërisht edhe gjatë takimeve të komisarit Han me liderët vendor.

Përveç buxhetit për vitin e ardhshëm, Ligjin për Dëshmitarë të Mbrojtur dhe atë për vazhdimin e mandatit të Prokurorisë Speciale, një temë tjetër e cila ende nuk ka zgjidhje, por duhet të përmbyllet para shpërbërjes së Kuvendit është edhe ridefinimi i Njësive Zgjedhore.

Ky është obligim që buron nga Kodi Zgjedhor ku në mënyrë decide thuhet se njësitë zgjedhore nuk guxojnë të kalojnë limitin prej plus minus 5 për qind nga numri mesatar i votuesve.

Ndërkohë, njësia e gjashtë zgjedhore ka 5.28 për qind më tepër votues se mesatarja, ndërsa njësia e tretë ka katër për qind më pak sesa mesatarja.

Arben Zeqiri /SHENJA/