Ballina Aktualitet KRYETARI I KUVENDIT I SHPALLI ZGJEDHJET MË 11 DHJETOR

KRYETARI I KUVENDIT I SHPALLI ZGJEDHJET MË 11 DHJETOR

SHPËRNDAJE

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Trajko Veljanoski sot në pajtim me obligimet kushtetuese dhe ligjore e nënshkroi Vendimin për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të cilat do të mbahen më 11 dhjetor të këtij viti.

“Me këtë akt, e në pajtim me rregullat e demokracisë përfaqësuese, mandatin përsëri ia kthejmë popullit, i cili është autoriteti i vetëm suprem dhe më legjitim që të gjykojë, të vlerësojë dhe të vendos, se cili obsion politik duhet ta marrë nderin, por edhe obligimin për ta udhëhequr shtetin tonë. Ndërkohë, Republika e Maqedonisë do të hyjë në një periudhë të ndërlikuar të aktivitetit të përforcuar të partive politike, e cila sinqerisht besoj se do të kalojë në një atmosferë të pjekur, dinjitoze dhe të matur, rezultat i së cilës do të jetë 11 dhjetori kur duhet në një frymë festive zgjedhore të zgjidhen përfaqësuesit popullorë, të cilët do ta përbëjnë përbërjen e nëntë të radhës të dhomës ligjdhënëse të Maqedonisë”, tha Veljanoski.

Ai njëherësh dërgoi falënderim në emër të, siç tha, kolegëve të tjerë deputetë deri te qytetarët për besimin e shprehur në zgjedhjet parlamentare në vitin 2014 të jenë përfaqësues të tyre në Parlament dhe shtoi se beson se kanë arritur ta arsyetojnë besimin e tyre edhe krahas, siç theksoi, të gjitha vështirësive me të cilat janë ballafaquar si rezultat i krizës politike në të cilën është vendosur shteti.

“Duke e pasur parasysh atë që është thënë, dëshiroj ta ndaj bindjen time të thellë se edhe gjatë kësaj periudhe parazgjedhore atdheu ynë do ta japë provimin demokratik për pjekurinë dhe do të ngjitet në një nivel të ri kualitativ që paraqet qëllim kryesor për të gjitha subjektet politike. Sinqerisht besoj se në dy muajt e ardhshëm të gjithë ne të cilët do të angazhohemi për zgjedhjet e 11 dhjetorit para nesh do ta kemi ditën kur më pas përsëri do të duhet të ulemi dhe së bashku të vazhdojmë atje ku u ndalëm paraprakisht”, porositi Veljanoski.

Ai theksoi se pas nënshkrimit Vendimi do t’i dorëzohet Komisionit shtetëror zgjedhor.

Deputetët dje pasdite me 110 vota “për” e sollën Vendimin për shpërndarjen e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë me çka hapet rruga për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 11 dhjetor në pajtim me marrëveshjen e liderëve të katër partive më të mëdha për tejkalimin e krizës politike.