Ballina Kryesore Helmimi nga kombinati ,,Jugohrom”, krim që kushton mijëra jetë njerëzish të pafajshëm

Helmimi nga kombinati ,,Jugohrom”, krim që kushton mijëra jetë njerëzish të pafajshëm

SHPËRNDAJE

(APEL DREJTUAR ORGANEVE TË PUSHTETIT DHE QYTETARËVE TË POLLOGUT)

 Nga Abdulla Mehmeti

Ditën e nesërme, më 31 tetor 2016, përfundon afati i marrëveshjes për vazhdimin ose jo të punës së mëtejshme të kombinatit ,,Jugohrom”, helmuesit më të madh në rajonin e Pollogut, me mbi 500 mijë banorë (Tetovë dhe Gostivar me rrethinë, me një shtrirje prej së paku 50 km rreze veprimi të helmit, pluhurit dhe grimcave kancerogjene, PM10 dhe PM2,5, të cilat me vite të tëra e rrezikojnë jetën e këtyre banorëve).

Nesër do të vërtetohet se Qeveria e Maqedonisë, a është pjesë e mafies dhe krimit të organizuar, apo e mbron interesin e qytetarëve të këtij vendi, kushtetutën, ligjet dhe konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit jetësor, shëndetin dhe jetën e qytetarëve.

Deri më sot, pronarët rus të këtij kombinati, në bashkëpunim me mafien vendëse dhe strukturat kriminale në pushtetin qendror dhe lokal nuk kanë respektuar asnjë normë ligjore dhe standard ndërkombëtar në punën e këtij kombinati.

Askush deri më sot nuk ka dhënë llogari para organeve të drejtësisë për këtë gjenocid dhe krim të organizuar kundër njerëzimit, edhe përkundër disa padive në organet gjyqësore të vendit.

Organet drejtuese të komunës së Jegunovcës, ku graviton ky kombinat, si dhe të Komunës së Tetovës, si qendër më e madhe e këtij rajoni, kanë reaguar se, pronarët e këtij kombinati nuk kanë investuar asnjë projekt për ruajtjen e mjedisit jetësor në këtë rajon dhe as kanë ndërmarrë masa për zbutjen e papunësisë në komunën ku graviton ky kombinat, por përkundrazi kanë angazhuar punëtorë nga komuna të tjera jashtë këtij rajoni.

Absurdi më i madh qëndron në faktin se disa struktura kriminale në organet e pushtetit dhe pronarët aktual të kombinatit ,,Jugohrom” manipulojnë edhe më tej me fatin e të punësuarve në këtë kombinat, duke i dhënë këtij problemi dimension social, përderisa askush nuk e ka ngritur çështjen e privatizimit të paligjshëm dhe kriminal, duke i lënë në mëshirën e fatit mbi 25 mijë punëtorëve në Komunën e Tetovës, nga kombinatet, fabrikat dhe ndërmarrjet tjera të mbyllura në emër të transformimit dhe privatizimit të tyre, nga viti 1993 deri më sot.

Po ashtu, këto struktura kriminale mundohen ta kamuflojnë problemin e helmimit nga ky kombinat, duke e barazuar çështjen e helmimit në masë me çështjen e ndotjes së zakonshme nga komunikacioni, ngrohja me dru, niveli i papastërtisë, stoqet e bërllokut etj., të cilat janë probleme të zakonshme edhe në shumë vende të tjera të botës.

Është koha kur këto veprime kriminale dhe shkelje të ligjit dhe të drejtave elementare të qytetarëve ta marrin dënimin e merituar, ndërsa banorëve të këtij rajoni t’u sigurohet mjedis i pastër jetësor, frymëmarrje e lirë dhe jetë e qetë e me dinjitet.

Beteja për mbrojtjen e jetës së qytetarëve, natyrës dhe të ardhmes sonë vazhdon…