Ballina Aktualitet HAPET PANAIRI I 15-TË I LIBRIT NË TETOVË

HAPET PANAIRI I 15-TË I LIBRIT NË TETOVË

SHPËRNDAJE

Panairi i 15-të i librit mbodhi në një vend shtëpi të shumta botuese nga vendi dhe rajoni në Pallatin e Kulturës në Tetovë. Rreth 40 shtëpi botuese u sjellin lexuesve të pasionuar mijëra tituj të zhanreve dhe autorëve të ndryshëm, duke filluar nga klasikët e deri tek ato bashkëkohorë. Në hapjen e këtij panairi u vërejt një prani e konsiderueshme e njërëzve, duke përfshirë edhe studentë, nxënës të shkollave të mesme dhe fillore.

Panairi i librit, sipas kryetarit të Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Abdulmexhit Saliu, nuk është vetëm një datë kalendarike apo promovim i librave dhe autorëve, por realiteti ynë i përbashkët kulturor.

“Ky panair është fryt i punës, sakrificave, bashkëpunimit dhe misionit tonë të përbashkët, që na lidh fortë dhe na mban të bashkuar, e ajo është gjuha dhe letërsia jonë shqipe. Panairi, një traditë tashmë e konsoliduar, nuk është vetëm një promovim i librave dhe autorëve, por është realiteti ynë i përbashkët kulturor”, deklaroi Saliu.

Ndërkohë, kryetarja e Komunës së Tetovë, Teuta Arifi, tha se ky lloj i eventeve kulturore dëshmon entuziazmin e madh në këtë fushë, i cili njëkohësisht sipas saj kërkon mbështetje institucionale.

“Ne si autoritete komunale kemi pasur parimin që të mbështesim ato aktivitete të cilat janë mirëmbajtur dhe kanë mbajtur veten e tyre fal entuziazmit dhe punës të të gjithëve që kanë punuar në këto organizime”, u shpreh Arifi.

Nazmie Elezi nga Agjencia e shpërndarjes së librave të Shqipërisë thotë se çdo vit ka ngelur e kënaqur nga frekuentimi panairit si dhe nga shitja e librave.

“Më shumë kërkojnë histori dhe psikologji. Edhe rinia ka mjaftueshëm interesim”, tha Elezi.

Ndërkohë, Vjollca Zalli, Përfaqësuese e librave të Shkëlzen Zallit, thotë se e gëzon fakti që prindërit i sjellin fëmijët që në moshë të hershme për të vizituar panair.

“Kam ngelur çdo vit shumë e kënaqur, na kanë mirëpritur shumë. Tetova është jashtëmase e mirëpritur për librin shqip. Libri shqip është njësoj si për Shqipërinë si për Prishtinën, çdo autor që shkruan për fëmijë ka nxjerrur librin e vet”, u shpreh Zalli.

Nga ana tjetër, Arben Kondi nga Shtëpia Botuese Çamëria, thotë se për dallim prej viteve të tjera, kohëve të fundit vërehet një zbehje e vizitorëve.

“Ka një zbehje Panairi i Tetovës në krahasim me atë që është bërë para 15 viteve apo para 10 viteve apo edhe para 3-4 viteve. Problemi është se si mund ta përmirësojmë që të kemi interesim më të madh. Besoj se kjo duhet të jetë me mbështetjen e institucioneve në Tetovë”, tha Kondi.

Panairi i librit në Tetovë do të zgjat deri më datën 29 tetor.

Teuta Buçi /SHENJA/