Ballina Aktualitet Halimi: Është momenti i fundit për unifikimin e partive të vërteta shqiptare...

Halimi: Është momenti i fundit për unifikimin e partive të vërteta shqiptare në Maqedoni

SHPËRNDAJE

“Nuk duhet të humbet kohë, por të unifikohen partitë e vërteta opozitare shqiptare për një qëllim të përbashkët, sepse ndarja e tyre do të jetë humbëse, jo vetëm për ato, por për gjithë shqiptarët në Maqedoni”. Këtë porosi e përcolli për INA, Nazim Halimi, veprimtari i mirënjohur nga Çikago, që është pjesë e Ligës Shqiptaro- Amerikane që udhëhiqet nga ish-kongresisti amerikan Joe DioGuardi dhe Shirley Cloys Dioguardi.

Nazim Halimi nga katundi Dragosht i madh i Kërçovës thotë se vetëm për rrugës së unifikimit të partive të vërteta shqiptare, mund të bëhet kthesa e vërtetë, ashtu që populli shqiptar të jetë i barabartë në këtë shtet.

“Unë mendoj se duhet një unifikim i subjekteve dhe faktorëve të tjerë politik dhe shoqëror. Atëherë do të kemi përkrahjen e SHBA-ve. Ky unitet për çështje të rëndësishme siç barazia në këtë shtet kërkohet edhe nga lobisti ynë DioGuardi. Ne nuk duhet të vazhdojmë me rolin e lypsit, por të marrin pjesën që na takon në tokën tonë. Sepse kur je lyps, dihet çfarë lëmoshë mund të marrësh. Kjo sjellje duhet urgjent të ndërpritet dhe të vendoset me ngulm ajo që na takon si popull i barabartë në këtë shtet. Vetëm me unitet dhe me vendosmëri mund të arrihet qëllimi i caktuar, dhe nuk duhet të presim që dikush të na jap diçka, sepse pala tjetër asnjëherë nuk do të jap atë që nuk i konvenon.”, theksoi Halimi.

Ai theksoi se misioni i LQSHA ka qenë gjithmonë për arritjen e qëllimit për avancimin e çështjes shqiptare në Maqedoni dhe kjo është dëshmuar me dëshminë e patriotit DioGuardi në Kongresin Amerikan, ku ai e tha të vërtetën për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, pabarazinë dhe shpalosi idenë e federalizimit, si zgjidhje më e përshtatshme për shqiptarët.

Halimi thotë se qëndrimet e tij i ka shprehur gjatë vizitës së fundit në vendlindje ku ka takuar krerët e partive të reja shqiptare, Ziadin Selën e LR-PDSH-së, Bilall Kasamin e Lëvizjes BESA, ku janë diskutuar edhe çështjet e hapura për shqiptarët dhe zgjidhjen e tyre. Ai shpreson se në këtë moment të rëndësishëm për shqiptarët në Maqedoni, do të mbizotërojë arsyeja e shëndosh për të arritur një unifikim sa më gjithpërfshirës ndërmjet partive shqiptare, por edhe kuadrove të mirëfillta profesionale, të cilët dijnë ta japin kontributin e tyre me vepra dhe punë konkrete. (INA)

Loading...