Ballina Aktualitet Rajoni Hafizi: Shqiptarët të pashpresë, neverisin politikën për përfitime vetjake

Hafizi: Shqiptarët të pashpresë, neverisin politikën për përfitime vetjake

SHPËRNDAJE

Deputetja e sapo larguar nga Partia Socialiste, Mimoza Hafizi është shprehur se vendin e ka mbërthyer mungesa e shpresës. “Kam kaluar dy ditë inkurajuese mes qytetarësh vlonjatë e gjirokastritë, të cilët kërkojnë, mbështesin e frymëzojnë forcën tonë të re politike. Kam takuar mësues e gazetarë, pedagogë e nxënës, sipërmarrës biznesi, të rinj e pensionistë, profesionistë të lirë, njerëz të punës së ndershme, qytetarë të thjeshtë e pa histori politike, burra e gra që e neverisin politikën si trampolinë përfitimi vetjak”, shkruan Hafizi në Facebook një ditë më parë.

“Kam shkëmbyer ide për aksion me shqiptarë që sfidojnë pesimizmin e mungesën e shpresës që na ka mbërthyer, me vizion e besim për të ardhmen e këtij vendi, me miq që e refuzojnë këtë klasë politike, këtë sistem të degraduar që në dekada ka penguar progresin e Shqipërisë. Kam ndarë qëllimin dhe parimet kryesore të Nismës sonë me qytetarë që janë të gatshëm të bëhen pjesë e një lëvizjeje politike njerëzish të lirë e të barabartë, lëvizjeje politike që ve Shqipërinë mbi Partinë”, tha deputetja, e cila është bërë pjesë e nismës së re politike të iniciuar nga Ben Blushi.