Ballina Kryesore “Grupi Drenica”, dënimi që trazoi Kosovën!

“Grupi Drenica”, dënimi që trazoi Kosovën!

SHPËRNDAJE

Vendimi i Gjykatës së Apelit për Grupin “Drenica II”, ku Hysni Thaçi, Zeqir Demaku, Jahir Demaku, Isni Thaçi, Agim Demaj, Fadil Demaku, Nexhat Demaku, Bashkim dhe Driton Demaj si dhe Selman Demaj, u dënuar me gjithsej 14 vjet burg për krime lufte, ka shkaktuar debat të madh në Kosovë.

Shumë deputetë, qytetarë dhe analistë politik, vlerësuan se gjykimi ndaj këtij grupi ishte i padrejtë dhe se po tentohet të barazohet gjenocidi i Serbisë me luftën e pastër të UÇK-së.

Ndërkohë, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës kërkuan nga subjektet politike dhe deputetët që të përmbahen nga deklaratat lidhur me vendimet gjyqësore.

Këta të fundit, në seancën e jashtëzakonshme të mbajtur në Kuvendin e Kosovës, ku pati akuza e kundër akuza nga më të ashprat, ndonëse të thirrur për të miratuar një rezolutë në mbrojtje të vlerave të luftës, dështuan të bëjnë një gjë të tillë.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e PDK-së Nait Hasani, në një prononcim për gazetën  “Bota Sot”, ka deklaruar se rasti i Grupit “Drenica II”, por edhe “Drenica II”, është i ndikuar politikisht, pasi sipas tij, po tentohet të barazohen me krimet dhe gjenocidin serb në Kosovë.

Ai për këtë ka fajësuar drejtësinë ndërkombëtare, e cila sipas tij është e ndikuar edhe nga Serbia.

“Ky është mjerim i drejtësisë ndërkombëtare. Duhet ndikuar në drejtësi, sepse Serbia ka ndikuar në misionin e drejtësisë EULEX në Kosovë”, ka thënë Hasani.

Riza Smaka, njohës i çështjeve të Kushtetutës, vlerëson se në parim aktgjykimet e gjykatave, në përgjithësi, nuk preferohet të komentohen me atë që ato të instancës së parë janë rregullisht të apelueshme, pra sipas tij, mund të atakohen përkatësisht të kontestohen me mjete juridike ordinare.

“Poashtu edhe trajtimi tematik i të akuzuareve në procedura prokuroriale e gjyqësore, nga legjislativi, qoftë vetëm nga aspekti politik, nuk mund të mos reflektohet në tentativa të influencimit dhe interferimit të tij në pushtetin e gjyqësorit”, ka thënë ai për “Bota Sot”.

Ndërsa, analisti politik imer Mushkolaj, thotë se ekziston procedurë e qartë e ankimimit me rastin e cfarëdo vendimi të gjykatës.

Sipas tij, Kuvendi nuk ka çka të debatojë për këtë çështje.

“E vetmja që deputetët mund t’a bëjnë është që të shesin patriotizëm në emër të mbrojtjes së vlerave të UÇK-së, ndërkohë që shumë nga ta kanë abuzuar me këto vlera për interesa personale”, ka thënë Mushkolaj për “Bota Sot”.

Gazmend Islami, njohës i rrethanave politike, vlerëson se që nga paslufta asnjëherë nuk kemi pasur një gjyqësor dhe një prokurori të pavarur dhe ndërhyrje direkte të politikës së brendshme dhe asaj të jashtme.

Sipas tij,  e keqja e gjithë asaj në procesin kundër “Drenica I” dhe “Drenica II”, është që gjyqësori nuk është i pavarur dhe që të gjitha akuzat janë të pabaza.

Kjo, siç thotë ai, për shkak se ka me qindra individë të tjerë që duhet akuzuar për bërjet e pasluftës.

“Marrim shembull me vrasjet që kanë ndodhur pas luftës, a nuk ka mundur gjithë kjo intelegjencecë që është brenda Kosovës të zbulojë kush qëndron pas tyre a? Mirëpo, për shumicën e vrasjeve dihen edhe vrasësit, por dihen edhe ata të cilët i kanë shtyrë që të kryhen këto akte kriminale, sepse ata janë të kapur me politikën”, ka thënë Islami për “Bota Sot”.

Tutje, ai vlerëson se Kosovës i duhet një gjyqësor dhe prokurori e pavarur, që një herë e mirë të çlirohemi nga krimi i organizuar që është instaluar në vend që nga paslufta nga Qeveria e përkohshme e Kosovës.

“Ajo është tmerri i thelbi dhe i të keqes që i është bërë Kosovës. Qytetarët, populli por edhe shteti janë duke vujatur pasojat e asaj qeverie e cila ka instaluar njerëz të vet në çdo pjesë, prandaj kjo është e keqja e asaj që ende nuk kemi një gjyqësor të pavarur,  kemi vrasje të pazbuluara”, ka thënë Islami.

Sipas tij,  ky avaz do të vazhdojë deri sa në krye të shtetit kemi njerëz që janë të lidhur direkt me SHIK-un në krye me Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin.

Ndryshe, kolegji i Apelit me vota unanime vendosi që të ndryshojë aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, duke e ndryshuar dënimin për veprën penale në vazhdim të kryer në bashkëkryerje për të pandehurit Jahir Demaku me 6 vjet burgim, Sylejman Selimin me 7 vjet burgim, Isni Thaçin me 6 vjet e 6 muaj burgim dhe Zeqir Demaku me 6 vjet burgim, ndërsa, është konfirmuar dënimi prej 3 vjet burgim për të pandehurit Agim Demaj, Fadil Demaku, Nexhat Demaku, Selman Demaj, Driton Demaj, Bashkim Demaj./BS/

Loading...