Ballina Bota Gara në Shtëpinë e Bardhë – Clinton: Trump është simboli i një...

Gara në Shtëpinë e Bardhë – Clinton: Trump është simboli i një sistemi të manipuluar

SHPËRNDAJE

Kandidatja Hillary Clinton ka sulmuar edhe njëherë rivalin e saj Donald Trump në lidhje akuzat për mospagimin e taksave, duke deklaruar se republikani është simboli i një sistemi të manipuluar dhe të korruptuar, për të cilin është zotuar se do të luftojë në rast se zgjidhet president i Shteteve të Bashkuara.

Clinton u shpreh se ajo personalisht kishte publikuar të dhëna për 40 vite që kishte paguar taksa, ndërkohë që miliarderi nju-jorkez nuk e ka bërë dicka të tillë.

Më tej, ish-sekretarja e Shtetit nënvizoi se Trump përgjatë dekadave që kemi lënë pas, nuk ka lëvizur një gisht për të mbrojtur punonjësit e tij dhe se shumë biznese të tij kanë shpallur shpesh herë qëllimisht falimentin për të përfituar shuma rimbursuese nga qeveria.

“Ndoshta ju mund t’a keni dëgjuar se për një kohë të gjatë, Trump ka refuzuar që të publikojë një raport për të ardhurat dhe pagimin e taksave. Ndërkohë, ju mund t’a shihni këtë raport për mua për 40 vitet e shkuara. Tashmë Trump përfaqëson sistemin e korruptuar që ka premtuar se do të ndrysojë.

trump clinton

E gjithë kjo histori na tregon edhe mënyrën se si ai bën biznes. Trump nuk bën asgjë për të ndihmuar punonjësit. Përgjatë dekadave të fundit, ai ka përdorur lidhjet e tij politike për të përfituar miliona dollarë si dhe ka shfrytëzuar ligjet për taksat për të përfituar nga rimbursimet e qeverisë.”

Nga ana tjetër, Donald Trump është kundërpërgjigjur duke deklaruar se ai ka patur humbje prej 900 milionë dollarësh në vitin 1995, pasi në atë kohë sipas tij, edhe shumë biznese të tjera kanë patur humbje të konsiderueshme.

Ai shtoi se i kupton mjaft mirë ligjet për taksat dhe se ka përdorur cdo hapsirë ligjore për të bërë më të mirën për veten dhe për zhvillimin e mëtejshëm të bizneseve të tij.

Trump theksoi se njohuritë e tij në fushën e biznesit do t’i japin mundësi që të aplikojë politika me qëllim shmangjen e abuzimeve. Në mbyllje ai tha se një tjetër prioritet për të është mbajtja e bizneseve në Shtetet e Bashkuara.