Ballina Bota Gara në Florida ende e paparashikueshme

Gara në Florida ende e paparashikueshme

SHPËRNDAJE

Presidenti Barak Obama shkon të premten në Florida për të bërë fushatë për kandidaten demokrate për presidente Hillary Clinton. Ai do të marrë pjesë në një aktivitet fushate ku do të flasë për rëndësinë e këtyre zgjedhjeve për familjet e shtetit Florida.

Fushata e zonjës Clinton thotë se aktiviteti do të shërbejë edhe për të vënë në dukje planin e kandidates për të ndërtuar një ekonomi “që u shërben të gjithëve, jo vetëm atyre në shtresën më të lartë”.

Florida konsiderohet si një ndër shtetet e ashtu-quajtura “fushë-beteje” ku ende nuk ka një kandidat me epërsi të qartë. Ky shtet ka 29 vota elektorale, gjë që e bën një ndër shtetet më të rëndësishme në zgjedhjen e presidentit të ardhshëm.

Një anketë e grupit mediatik Bloomberg të mërkurën tregonte se kandidati Donald Trump ishte në krye në Florida me dy pikë diferencë ndaj zonjës Clinton.

Në 2012, Presidenti Obama fitoi në Florida me një diferencë prej më pak se 1%.

Shpenzimet e Fushatës

Kandidati republikan Donald Trump ka thënë se ka shpenzuar 100 milionë dollarë nga fondet personale për fushatën dhe është i gatshëm të shpenzojë edhe më shumë nëse është e nevojshme.

Kandidatët i kanë dorëzuar qeverisë federale raporte mbi shpenzimet, ku shihet se zonja Clinton ka grumbulluar 950 milionë dollarë dhe se ka aktualisht rreth 178 milionë dollarë për reklama dhe përpjekje për të mobilizuar votuesit për të dalë në zgjedhje në ditët e fundit të fushatës. Fushata e zotit Trump ka grumbulluar 449 milionë dollarë dhe ka aktualisht 97 milionë për ditët e ardhshme të fushatës.

Raportet qeveritare tregojnë se 25 kandidatë presidencialë, ku përfshihen ata nga partitë kryesore, po ashtu edhe nga partitë e vogla kanë grumbulluar gjithësej 1.2 miliard dollarë nga kontributet e drejtpërdrejta për fushatën e cila filloi që në fund të vitit 2014 për disa prej tyre. Komitete të pavarura kanë grumbullur miliona dollarë të tjera për të mbështetur fushatat e këtyre kandidatëve.