Ballina Bota Fund zërave, Obama: Michelle nuk do të kandidojë kurrë për presidente

Fund zërave, Obama: Michelle nuk do të kandidojë kurrë për presidente

SHPËRNDAJE

Ajo mund të jetë ylli i shndritshëm i fushatës elektorale të këtij viti, por Zonja e Parë Michelle Obama nuk ka ndërmend që të bëjë kalimin nga përkrahëse në kandidate. Të paktën kështu deklaroi bashkëshorti i saj, Barack Obama, i cili theksoi qartësisht se Michelle nuk do të kandidojë kurrë për poste zyrtare.

“Ajo është një person i shkëlyer dhe i talentuar dhe nuk mund të isha më shumë sesa krenar. Por Michelle nuk ka durimin dhe prirjen që të kandidojë vet, e për këtë ju siguroj”, deklaroi presidenti amerikan për një program radiofonik.

Michelle Obama është bërë një mbështetëse e fuqishme e Hillary Clintonit dhe është shfaqur në mitingje masive. Së fundmi, Zonja e Parë u paraqit bashkë me Clintonin në Karolinën e Veriut, ku veç mbështetjes për ish-Sekretaren e Shtetit, nxiti amerikanët që të shkojnë të votojnë.

Në fjalimet e saj, Michelle Obama ka sulmuar ashpër kandidatin republikan Donald Trump, por pa e përmendur kurrë në emër, diçka që është vlerësuar tej mase nga ekspertët si zotësi politike. Për këtë arsye, shumë demokratë nuk ngurruan të shprehin padurimin e tyre, që Zonja e Parë të shfrytëzonte aftësitë e saj oratorike dhe popullaritetin e jashtëzakonshëm që të kandidonte.

Por vet Michelle Obama ka shprehur mospëlqimin e saj për politikën, madje duke treguar se dikur nuk dëshironte që as bashkëshorti i saj të kandidonte.