Ballina Aktualitet Data e zgjedhjeve në Maqedoni prapë në dyshim

Data e zgjedhjeve në Maqedoni prapë në dyshim

SHPËRNDAJE

Parlamenti maqedonas nuk ia doli të shpërndahej sipas afatit të përcaktuar, duke rrezikuar vonimin e zgjedhjeve të përcaktuara për 11 dhjetor, që mendohet se do ta nxjerrin vendin nga kriza politike.

Zgjedhjet e parakohshme të Maqedonisë, rënë dakord të mbahen më 11 dhjetor, janë sërish në pikëpyetje pasi parlamenti vazhdoi punën të mërkurën në vend që të shpërndahej siç ishte planifikuar, 60 ditë përpara ditës së zgjedhjeve.

Arsyeja formale për mosshpërndarjen e parlamentit ishte e lidhur me vazhdimin e debateve rreth buxhetit të vitit 2017 dhe nevoja për të miratuar një marrëveshje të re mbi distriktet elektorale.

Ndryshimet e propozuara nga opozita në ligjin që synon të përmirësojë punën e prokurorisë speciale janë ende në axhendën parlamentare, pasi u refuzuan nga partitë qeverisëse.

Partia në pushtet VMRO DPMNE akuzohet se ka penguar enkas punën e parlamentit në rast se vendos që të mos shkojë në zgjedhje në dhjetor dhe ta shtyjë datën për marsin e vitit 2017, bashkë me zgjedhjet e zakonshme lokale.

Profesori i shkencave Albert Musliu tha se partia qeverisëse po “blinte kohë”, duke e mbajtur parlamentin të mbledhur. “Nëse partia qeverisëse vendos se nuk ka shans të fitojë zgjedhjet [në dhjetor], ajo mund t’i vonojë zgjedhjet”, tha ai.

Afati ligjor i parlamentit për t’u shpërndarë për zgjedhjet më 11 dhjetor është 27 tetori. I takon kryetarit të parlamentit Trajko Veljanoski që është nga rangu i partisë qeverisëse, të vendosë se kur do të shpërndahet parlamenti.

Çështjet duhet të qartësohen pas vizitës së lajmëruar të komisionerit të BE për zgjerimin, Johannes Hahn në Shkup këtë të premte.

Zëdhënësja e Hahn, Maja Kocijançiç ka thënë se Hahn planifikon të takohet me liderët kryesorë për të diskutuar zgjedhjet e dhjetorit, si dhe reformat e tjera urgjente të rëna dakord në marrëveshjen e ndërmjetësuar nga BE këtë verë.

Analisti politik Nikola Dujovski tha se Hahn do ta përdorë vizitën e tij për të përcaktuar përfundimisht datën e zgjedhjeve, duke rrafshuar mosmarrëveshjet mes politikanëve vendas që kanë akuzuar njëri-tjetrin për vonesa të zgjedhjeve.

Nëse data e dhjetorit nuk konfirmohet, Maqedonia rrezikon një tjetër raund protestash, që do ta thellojnë krizën.