Ballina Bota Clinton: Trump, kërcënim për demokracinë; Perry e Cyrus në krah të saj

Clinton: Trump, kërcënim për demokracinë; Perry e Cyrus në krah të saj

SHPËRNDAJE

Gjatë mitingut elektoral në Pittsburgh të Pensilvanisë, kandidatja demokrate në zgjedhjet presidenciale të 8 nëntorit në Shtetet e Bashkuara, Hillary Clinton e kritikoi qëndrimin e rivalit të saj mbi votimet, për të cilat thotë se janë manipuluar që tani.

“Donald Trump ka bërë diçka, që deri më sot nuk e ka bërë asnjë kandidat presidencial apo parti. Refuzoi të thotë nëse do ta pranojë rezulatin e këtyre zgjedhjeve. Ky – miqtë e mi, – është një kërcënim për demokracinë tonë. Në këtë vend, ne e dimë shumë mirë ndryshimin mes lidershipit dhe diktaturës”, tha Clinton.

Clinton: Trump, kërcënim për demokracinë. Perry dhe Cyrus i bashkohen ish-Sekretares së Shtetit

Ylli amerikan i “Pop”-it, Katy Perry iu bashkua fushatës për Clintonin në Las Vegas. Perry shkoi derë më derë në fjetoret e Universitetit UNLV (University of Nevada-Las Vegas) duke i ftuar studentët ta hedhin votën e tyre për Clintonin.

Këngëtarja mbante veshur një bluze ku shkruhej “grua e keqe”, etiketimi që Trump i bëri kundërshtares së tij në debatin e fundit televiziv.

Në krah të Clintonit ka dalë edhe Miley Cyrus. Ylli i serialit “Hanna Montana”, e shndërruar së fundi në vajzën e pahijshme të “Pop”-it me përdorimin e drogave, kërcimet me tone seksuale dhe zhveshjen në videot muzikore, ishte në mesin e frekuentuesve të Universitetit “George Mason” në Virxhinia, ku bëri të njëjtin veprim si Perry.

Hillary Clinton vazhdon të kryesojë në sondazhet parazgjedhore, ndonëse diferenca e saj me Trumpin është ngushtuar së fundi në 4 pikë.