Ballina Futboll Çelsi leksion Murinjos, 4-0 ndaj Mançester Junajted

Çelsi leksion Murinjos, 4-0 ndaj Mançester Junajted

SHPËRNDAJE

Vetëm 29 sekonda, kaq i mjaftuan Çelsit të vendoste gurin e parë të themelit për të shtruar rrugën e suksesit në sfidën më të nxehtë të javës së 9 në Premier League. Jose Murinjos pëson një disfatë të rëndë në stadiumin ku fitoi famën në ishull pasi Mançester United u dorëzua pa kushte 4-0 ndaj “Bluve të Londrës”.

Nuk pati histori në atë që duhej të ishte një përballje e rivalizuar pasi Çelsi vrau çdo shpresë të “Djajve të Kuq” në 90 minuta zjarri që filluan me golin më të shpejtë sezonal të Premier League. Pedro përfiton nga dalja e gabuar e De Geas dhe e ndal topin në rrjetë kur akrepi i sekondave kishte trokitur vetëm 29 herë.

Ky është gjithashtu goli më i shpejtë i pësuar nga Manchester United gjatë shekullit të fundit. Një rekord për të cilin do të flitet gjatë në Angli. Ndeshja vijoi në dishezë për skuadrën e Jose Mourinhos që pësoi edhe golin e dytë në minutën e 21 pas një goditje të saktë të Gary Cahill .

“Stamford Bridge” në festë dhe Antonio Conte në qiellin e shtatë pasi një start të tillë nuk e kishte ëndërruar as tifozi më i zjarrtë i bluve. Mançester Junajtid dukshëm në vështirësi nuk arriti të ndërtonte pothuajse asnjë aksion të rrezikshëm me Pogba e Ibrahimovic të pafuqishëm për të bërë asgjë. Në krahun tjetër, Çelsi si një orë zvicerane nuk gaboi asgjë në fushën e lojës duke gjetur golin e tretë në minutën e 62 me belgun Eden Hazard.

Festa e bluve u kompletua me një tjetër gol 20 minuta nga fundi ku mesfushori Ngolo Kante bëri gjithçka mirë duke e ndalur topin në cepin e djathtë të portës së De Geas.

Një sfidë spektakolare nga e cila Jose Mourinho dhe Manchester United dalin me kocka të thyera, ndërsa Çelsi konfirmon momentin pozitiv dhe rikthehet bindshëm në garën për titull me vetëm një pikë më pak se Mançester Siti dhe Arsenal. Zhgënjim dhuroi edhe skuadra tjetër e Manchesterit, City që nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 ndaj Southampton. Nathan Redmond kaloi fillimisht në avantazh miqtë, ndërsa Kelechi Iheanacho shpëtoi nderin e skuadrës së Pep Guardiolës që nuk arrin të fitojë në 3 ndeshjet e fundit në kampionat dhe në 5 sfidat e fundit në të gjitha kompeticionet.