Ballina Aktualitet (VIDEO) PËR SHKAK TË TËRMETEVE, FAMILJA VESELI MBETI NË TENDË

(VIDEO) PËR SHKAK TË TËRMETEVE, FAMILJA VESELI MBETI NË TENDË

SHPËRNDAJE

Kjo tendë e vogël e improvizuar në oborr, është strehimi momental i familjes Veseli nga lagjja e Fushë Tophanës, që kur shtëpia e tyre pësoi dëmtime të rënda nga tërmetet që goditën Shkupin javën e kaluar. Shtëpia ka pësuar plasaritje dhe çarje gjithandej, shkruan SHENJA.

Kryefamiljarja Irfete Veseli, thotë se aty nuk ka kushte më për jetë sepse në çdo moment rrezikohen të bien muret e dhomave ndërsa sqaron se kushtet e tyre janë shumë të vështira dhe ata nuk kanë mundësi që vetë të riparojnë dëmet e shkaktuara.

“Kemi pasur mjaft dëme. Është dëmtuar e gjithë shtëpia, është çarë. Nuk është më e sigurtë për të jetuar. Kemi bërë një tendë dhe për momentin po flemë aty ditën rrimë jashtë. Nuk ka ardhur askush për të na parë”, thotë kryefamiljarja Irfete Veseli.

Veseli më tej thotë se e gjithë barra e familjes është mbi të, pasi bashkëshorti ka ndërruar jetë para 5 viteve. Ajo thotë se brenga më e madhe e saj është që nuk po arrin dot që t’u siguroj strehë mbi kokë fëmijëve të saj. Ndërsa, shton më tej ajo, me të ardhurat mujore që kanë, mezi arrijnë që të mbijetojnë.

“Punon vetëm djali madh merr 150 euro, paguajmë rrymë dhe ujë. Tash kemi nevojë për një shtëpi. Ku të jetojmë?! Kush ka mundësi të ndihmon mirë do ishte, kush nuk ka, Zoti u dhashtë edhe atyre që nuk kanë”, thekson Veseli.

Kryefamijarja Veseli, tregon me tmerr të madh përjetimet e ditës kur ndodhi tërmeti, ndërsa u bëri thirrje gjithë atyre që kanë mundësi, të solidarizohen dhe t’iu dalin në ndihmë kësaj familje që për momentin ndodhet në një situatë shumë të vështirë.

Teuta Buçi /SHENJA/

Loading...