Ballina Aktualitet Përmbytjet, Komisioni vonohet në vlerësimin e dëmeve

Përmbytjet, Komisioni vonohet në vlerësimin e dëmeve

SHPËRNDAJE

Kreu i Komisionit për vlerësimin e dëmeve nga përmbytjet, refuzoi të deklarohet para kamerës së Alsat M për t’i sqaruar procedurat e kompensimit të dëmeve . Gjatë një bisede telefonike Alimi tha se nuk e ka ndërmend të prononcohet derisa të mbyllet lista përfundimtare e familjeve të dëmtuara. Duke i ikur përgjegjësisë ai tha se nuk e kupton këmbënguljen e televizionit Alsat M për të marrë përgjigje mbi këtë çështje, ndërsa në mënyrë ironike tha se kjo procedurë nuk duhet kuptuar si të ishte një konkurs ku banorët duhet të konkurrojnë. Banorët nga ana tjetër vazhdojnë të ankohen për neglizhencë nga ana e shtetit. Është bërë gati 2 muaj që nga përmbytjet ndërkohë që banorët e rrënuar e mbajnë shpirtin gjallë vetëm me 500 euro kompensim deri tani.

“Vetëm Kryqi i Kuq që na ka dhënë nga 13.000 denarë tjetër diçka jo. As ndihma as asgjë. Na thanë se do na lëshojnë 500 euro por as ato nuk na i lëshuan. Shkojmë i kontrollojmë llogaritë çdo ditë por nuk ka asgjë. Për momentin banojmë te konviktet e studentëve në qytet. Kanë ardhur nga komisionit vetëm na kanë thënë se shtëpia është e pabanuar por tjetër diçka jo”.

“Kemi marrë vetëm ato mjetet nga kryqi i Kuq, tjera jo. As nuk kanë qenë të na pyesin se a i kemi marrë. Kemi kërkuar nga Komuna por edhe ne më nuk dimë se ku të ankohemi. Disa dokumente që na kanë thënë t’i dërgojmë në Komunë të Gazi Babës i kemi dërguar por ende asgjë nuk ka”.

“Na i kanë lëshuar 500 euro dhe kryqi i kuq 250, vetëm këto. Madje gjysma e fshatit nuk kanë marrë aspak , fqinjët e mi nuk kanë marrë asnjëri. 500 euro asgjë, vetëm baltën mezi e kemi pastruar me ato para dhe nga Kryqi i Kuq jo nga 250 por 220 euro saktë. Asgjë, nga shteti asgjë ndërsa popullata kanë ndihmuar sa kanë pasur mundësi”.

Nga ky Komision thanë se nuk mund të jepet një afat i caktuar se kur pritet të përfundojë e gjithë procedura e kompensimit të dëmeve.

Vjollca Aliti