Ballina Shëndeti Mos i humbisni: Disa studime pikante mbi shëndetin

Mos i humbisni: Disa studime pikante mbi shëndetin

SHPËRNDAJE

OBSH: Ndotja e ajrit merr jetën e 5 milionë njerëzve  

Një studim i ri vë në dukje se ajri i papastër është forma më vdekjeprurëse e ndotjes. Ai është shkaktari i katërt kryesor i vdekjeve të parakohshme. Studimi i ri “Kostoja e Ajrit të Ndotur: Forcimi i Bindjes Ekonomike për Veprim”, është kryer nga Banka Botërore dhe Instituti i Matjes dhe Vlerësimit të Shëndetit. Studimi thekson se “rreth 90 për qind e popullsisë në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, janë të ekspozuar ndaj niveleve të rrezikshme të ndotjes së ajrit.” “Kur themi ndotje e ajrit flasim për copëzat e vogla që janë rreth nesh në ajrin që thithim. Ka burime të ndryshme të këtyre copëzave që janë sa një e dhjeta e madhësisë së fijes së flokut të njeriut”, thotë ekonomisti i Bankës Botërore. Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se shumica e këtyre grimcave vijnë nga djegia e karburantit në industri, impiante të energjisë, makina dhe kamionë dhe furrat pjekëse. Studimi thotë se në vitin 2013 “mbi 5 milionë njerëz gjetën vdekjen nga sëmundjet e lidhura me ajrin e ndotur jashtë dhe brenda shtëpive.” Kanceri i mushkërive, azma, çrregullime kronike pulmonare dhe infeksione të rrugëve të frymëmarrjes, janë të lidhura me ajrin e ndotur. Ai mund të kontribuojë gjithashtu në sëmundjet kardiovaskulare. Ajri i ndotur mund të dëmtojë veçanërisht rëndë fëmijët pasi sistemi i tyre imunitar dhe mushkëritë nuk janë të zhvilluara plotësisht. “Ndotja e ajrit është një rrezik jo vetëm për shëndetin, por edhe një pengesë për zhvillimin. Në nivel global ka një humbje prej 225 miliardë dollarësh në të ardhura nga puna, që lidhen me vdekjet e parakohshme të shkaktuara nga ajri i ndotur”.

 

Pajisje për identifikimin e baktereve rezistente

Sipas Qendrës amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve, të paktën 2 milionë njerëz në Shtetet e Bashkuara infektohen çdo vit dhe 23 mijë prej tyre vdesin pas infektimit me baktere rezistente ndaj ilaçeve. Në disa raste dallimi mes jetës dhe vdekjes mund të përcaktohet nga koha se kur është zbuluar bakteri rezistent. Pra, nëse ai zbulohet më herët, shanset për të mbijetuar janë më të mëdha. Shkencëtarët polakë kanë gjetur një mënyrë për të identifikuar bakteret që u rezistojnë ilaçeve. Firma “Biolavë” ka prodhuar një pajisja sa një furre me mikrovalë, e cila mund të ndihmojë në identifikimin e baktereve që u rezistojnë ilaçeve. Pajisja mund të përdoret edhe nga amatorë, të cilët thjesht duhet të vendosin një mostër të bakterit në një enë dhe të shtypin një buton. Makina e izolon dhe analizon mostrën e baktereve dhe brenda nëntë deri në gjashtëmbëdhjetë orë prodhon rezultatin e analizës. Lukasz Pawelek, menaxher i kompanisë “Biolavë” thotë se -“Një ditë, pajisja jonë do të kryejë teste në çdo restorant, vende ku infeksionet me salmonelë nuk janë aq të rralla. Në rrethana të tjera, ne mund të përdorim këtë pajisje për të mbrojtur njerëzit nga rreziku i një epidemie.” Duke patur parasysh përhapjen e mikrobeve rezistente ndaj antibiotikëve të shumtë dhe efektin e tyre vdekjeprurës, disa mjekë thonë se përdorimit të antibiotikëve për trajtim të infeksioneve mund t’i vijë fundi. Kjo pajisje mund të ndihmojë mjekët dhe amatorët në identifikimin e shpejtë dhe luftimin e baktereve vdekjeprurëse.

 

Vaksinë të re, ndoshta kundër Zikës dhe kancerit

Një vaksinë e re gjenetike për të cilën shkencëtarët thonë se mund të zhvillohet brenda një jave, mund të përshtatet për mbrojte nga një numër sëmundjesh, duke përfshirë Zikën dhe ndoshta kancerin. Mushkonjat janë një nga transmetueset më të zakonshme të sëmundjeve, nga Zika te malaria. Zika shkakton defekte lindjeje te foshnjat, dhe është përhapur në kontinentin amerikan nga Brazili në Porto Riko e deri në Shtetet e Bashkuara.  Shumë përpjekje janë ndërmarrë për të zhvilluar një vaksinë kundër Zikës dhe për disa vaksina tashmë kanë filluar provat klinike. Omar Kahn, inxhinier kimist në Institutin Teknologjik të Masaçutesit shpreson se vaksina e tij me material gjenetik, ARN, së shpejti do të fillojë të provohet klinikisht. “Kundër Zikës ose Ebolës, ne mund të përgjigjemi shumë shpejt, brenda shtatë ditëve. Pra, në raste të jashtëzakonshme dhe kur ju keni nevojë për një vaksinë të sigurt, ne jemi të aftë për t’u përgjigjur.” Vaksina përdor materialin gjenetik ARN për të stimuluar sistemin imunitar. Shkencëtarët mund ta programojnë këtë material gjenetik nga një virus ose bakter për të luftuar çdo organizëm që shkakton sëmundje dhe e lidhin atë me nanogrimca. Kjo ide ka ekzistuar, por futja e vaksinës në qeliza ka qenë sfidë, kështu që studiuesit e kanë bërë atë të vogël sa virusi që vihet në shënjestër. Shkencëtarët besojnë se mund të jenë në gjendje të krijojnë vaksinën ARN për të luftuar një numër sëmundjesh të tjera. “Ne jemi të interesuar të shohim nëse këto vaksina mund të përdoren për të trajtuar njerëzit me kancer dhe ata që mund të jenë në rrezik për kancere të caktuara. Ata mund të vaksinohen për të shmangur kancerin më vonë”, thotë Daniel Anderson i Institutit Teknologjik të Masaçutesit. Shkencëtarët kanë krijuar një kompani për të promovuar vaksinën ARN sapo ajo të jetë gati për t’u përdorur në njerëz.

 

Program për të mbajtur nën kontroll peshën

Aparatet që ndjekin aktivitetet tuaja fizike dhe që shpresonit se do t’u ndihmonin të humbisnit disa kilogramë, ndoshta nuk funksionojnë – pretendon një studim i ri. Studiuesit në Universitetin e Pitsburgut thanë se gjatë një periudhe dyvjeçare, njerëzit që morën vetëm këshilla të mjekut për shëndetin, humbën më shumë peshë nga ata që vunë aparatet e tipit fitbit dhe morën gjithashtu edhe këshilla. Në fakt, ata që morën vetëm këshilla humbën afërsisht gjashtë kilogramë peshë, ndërsa ata që përdorën edhe matësit e aktiviteteve fizike humbën vetëm 3.5 kilogramë. Pjesëmarrësit u vendosën në dietë me kalori të ulët dhe u këshilluan të vazhdonin të njëjtin aktivitet fizik. Ata morën gjithashtu leksione këshilluese rreth dietës dhe ushqimit. Ata u monitoruan çdo gjashtë muaj për mbi 24 muaj. Pas gjashtë muajsh, kërkuesit e ndanë grupin përgjysmë. Një pjesë vazhduan këshillat për shëndetin dhe pjesa tjetër vuri vetëm pajisjen. 18 muaj më vonë, të dyja grupet treguan përmirësime të ndjeshme. Megjithatë kur vjen puna për humbjen e peshës, grupi që mori këshilla humbi dyfishin e peshës.

 

Braktisni mishin, ushqehuni me proteina bimore

Proteina ndihmon në ndërtimin dhe riparimin muskujve dhe kockave. Kjo është thelbësore. Por mishi i kuq, në veçanti, ka një nivel të lartë të kolesterolit, një faktor rreziku për sëmundjet e zemrës. Studiuesit zbuluan se problemet kardiovaskulare ishin më të larta në mesin e njerëzve të cilët jo vetëm që hanin mish, por edhe pinin shumë duhan dhe alkool, ishin obez dhe rrinin ulur. Ata gjithashtu gjetën se njerëzit të cilët zëvendësuan proteinat shtazore me ato bimore reduktuan rrezikun e vdekjes së parakohshme. Dr. Andrew Chan, Spitali i Përgjithshëm i Masaçusetsit: “Është e qartë se nga këndvështrimi afatgjatë, një dietë e bazuar kryesisht në proteinat me bazë bimore ka prirje të jetë më e favorshme për jetëgjatësinë se sa konsumimi i nivelit më të madh të proteinave me bazë shtazore.” Dr. Mingyang Song dhe Andrew Chan, nga Spitali i Përgjithshëm i Masaçusetsit dhe Universiteti i Harvardit, ishin në mesin e atyre që analizuan se si proteina shtazore dhe ajo bimore ndikojnë tek shëndeti i njeriut.  “Individët që konsuamuan sasi më të lartë të proteinës shtazore kishin një rrezik disi më të lartë të vdekshmërisë, në veçanti, të vdekshmërisë nga sëmundjet kardiovaskulare”, – thotë Dr. Andrew Chan nga Spitali i Përgjithshëm i Masaçusetsit.

Burimi: VOA

Loading...