Ballina Kronika Monitoronin me aplikacion “spiun” prostitutat, me paratë e fituara kultivonin marijuanë, arrestohen...

Monitoronin me aplikacion “spiun” prostitutat, me paratë e fituara kultivonin marijuanë, arrestohen 10 shqiptarë në Itali (VIDEO)

SHPËRNDAJE

Karabinierët e Torinos kanë arrestuar 10 persona, të gjithë shqiptarë, të akuzuar për rekrutim, shfrytëzim dhe detyrim për prostitucion, armëmbajtje, grabitje, plagosje si dhe prodhim droge. Nga hetimet rezultoi se prostitutat kontrolloheshin me një aplikacion ‘spiun’ të instaluar në telefonat e tyre, tip GPS, në mënyrë që të monitoronin lëvizjet që bënin. Hetimet kishin nisur në gusht të vitit 2015 kur në pjesën veriore të qytetit ishin verifikuar disa sulme, shpërthime dhe gjuajtje me armë zjarri ndaj disa prostitutave nigeriane. Përplasjet ishin mes grupeve të ndryshme kriminale në konflikt për kontrollin e hapësirës së prostitucionit. Në fakt ishte vërejtur se grupi kriminal shqiptar që drejtonte prostitucionin nuk toleronte prezencën e femrave të tjera që nuk ishin pjesë e rrjetit. Organizata menaxhonte 7 prostituta, shqiptare dhe greke, të cilat detyroheshin të ushtronin aktivitetin e tyre në Torino, Volpiano e Cuneo. Prostitutat, rriheshin dhe poshtëroheshin kur fitimet e tyre ishin të ulëta dhe pa dijeninë e tyre kontrolloheshin 24 orë në 24 nëpërmjet një aplikacioni të instaluar në celularët e tyre. Ka rezultuar edhe që fitimet e prostitucionit investoheshin në prodhimin e marijuanës. U zbuluan 3 plantacione në Corio, në provincën e Torinos, në Mortara në Provincën e Pacias dhe në Abbiategrasso, në provincën e Milanos që drejtoheshin nga personat nën hetim me bashkëpunimin edhe të shqiptarëve të tjerë, mes tyre një specialist që gjente zonat pyjore ku mund të kultivohej droga. Në fushat me kanabis, të gjitha në pyje të izoluara dhe në zona të shpyllëzuara për kultivimin, karabinierët kanë gjetur më shumë se 4000 bimë marijuanë, me vlerë miliona euro.

REKRUTIMI I PROSTITUTAVE

I bindnin të linin vendin me premtimin për dashuri dhe një punë të ndershme, por sapo mbërrinin në Itali i detyronin të prostituonin. Kjo ishte teknika e bandës së shqiptarëve që është shkatërruar nga karabinierët e Torinos. Tutorët mbanin lidhje intime me prostitutat në mënyrë që t’i kontrollonin më mirë. Banda që menaxhonte 7 gra shqiptare e greke donte të siguronte kontrollin e tregut të seksit në zonën veriore të vendit. Për ta arritur këtë, kishte kërcënuar prostitutat nigeriane të zonës duke qëlluar me armë zjarri në ajër për t’i detyruar të spostoheshin. Asgjë nuk duhet t’i lihej rastësisë, as lëvizjet e vajzave të tyre. Shfrytëzuesit i kontrollonin 24 orë në 24 me një aplikacion spiun të instaluar në celularët e tyre. Por për t’u arratisur 7 femrave as që iu shkonte në mendje: pavarësisht dhunës dhe poshtërimeve, nuk arrinin të gjenin forcë për t’u larguar nga tutorët e tyre. Secila prej tyre duhet të fitonte 300 euro në ditë, shumë që banda e riinvestonte në prodhimin industrial të marijuanës. Madje njëra prej tyre kishte vijuar të prostituonte menjëherë pasi kishte abortuar në rrugë.

Loading...