Ballina Aktualitet LSDM, data e zgjedhjeve nuk do të shtyhet edhe një herë

LSDM, data e zgjedhjeve nuk do të shtyhet edhe një herë

SHPËRNDAJE

Edmond Ademi nga LSDM-së garanton se zgjedhjet nuk do të shtyhen edhe një herë. Pavarësisht se kreu i partisë Zoran Zaev, përmes një letre dërguar ambasadorëve ngriti shqetësime për pengimin e procesit zgjedhor nga partitë në pushtet, Ademi, thotë se votimet do të mbahen më 11 dhjetor.

“11 dhjetori do të jetë ditë e votimit ku qytetarët dhe votuesit e Maqedonisë do të kenë shansin të votojnë për një ardhëmri tjetër më të mirë. Unë e kuptoj në një farë mënyre skepticizmin që ndoshta ekziston në publik tek qytetarët madje edhe tek një pjesë e intelektualëve në drejtim të asaj se a do ketë apo jo zgjedhje duke u bazuar në dy anulimet e më hershme që ndodhën më 24 prill dhe 5 qershor, mirëpo ato ishin rezultat i mospërmbushjes së kushteve elementare”, tha Edmond Ademi, LSDM.

Sipas kreut të LR-PDSH-së, Ziadin Sela Marrëveshja e Përzhinës ishte një teatër politik që nuk solli asnjë ndryshim pozitiv dhe rezultoi me fshirjen e 30 mijë votuesve shumica e të cilëve shqiptarë. Ai ka shfaqur edhe dilemat e veta për Prokurorinë Speciale, duke thënë se ajo po zbardh raste vetëm për palën maqedonase.

“Mendoj që do të ketë zgjedhje nga vetë fakti që gjithë ajo krizë e madhe politike e krijuar para më se një viti, rezultoi me një kompromis poashtu të madh dhe në esencë bisedimet dhe Marrëveshja e Përzhinës për mua ishin vetëm një teatër asgjë tjetër. Me gjithë përkrahjen që ka nga ana jonë për të bërë punën e vet, fatkeqësisht deri tani PSP-ja merret dhe zgjedh vetëm problemet që kanë të bëjnë me qytetarë maqedonas dhe me spektrin politik maqedonas”, tha Ziadin Sela, kryetar i LR-PDSH-së.

Ndërkaq analisti Nijazi Muhamedi është skeptik se a do të ndikojë mbajtja e zgjedhjeve në daljen nga kriza politike.

“Realisht në aspektin sociologjik një hap i humbur në veprim kompensohet me tre hapa të tjerë. Prej një procesi që duhej të rithemelonte këtë demokraci dhe sistemin politik që të jetë i legjitimuar në aspektin demokratik, tash ne e kemi sjellë punën që nga të gjithë gjërat të ngelin vetëm zgjedhjet si një prej atyre kushteve që në fakt ato zgjedhje do të rilegjitimojnë një situatë që e ka sjell këtë krizë institucionale”, u shpreh Nijazi Muhamedi, analist politik.

Debati në emisionin ‘Rruga Drejtë” është shtrirë edhe mbi përdorimin e gjuhës shqipe, temë të cilin e hapi LSDM-ja por më pas sikur pësoi një zmbrapsje. Zijadin Sela ka folur edhe për strategjinë e partisë së ti për avancimin e të drejtave të shqiptarëve dhe sqaroi idenë e tij për federalizmit të Maqedonisë.

Agron Vrangalla

Loading...