Ballina Të tjera Ekonomi INVESTIGIMI/ Gjigandi i varfër i naftës me kontraktorë të pasur: Prapaskenat e...

INVESTIGIMI/ Gjigandi i varfër i naftës me kontraktorë të pasur: Prapaskenat e betejës së qeverisë me Bankers Petroleum

SHPËRNDAJE

Dy raporte të panelit të ekspertëve mbi mosmarrëveshjen mes qeverisë shqiptare dhe Bankers Petroleum mbi shfrytëzimin e burimeve të naftës së Patos Marinzës, të disponuara nga BIRN, zbulojnë se kompania kanadeze e ka “shkelur” marrëveshjen në disa drejtime, por pala shqiptare nuk ka dështuar me sukses të ofrojë prova për dëmin financiar të pësuar.

Nga Gjergj Erebara

Dy raportet e ekspertëve mbi mosmarrëveshjet mes palës shqiptare dhe kompanisë Bankers Petroleum mbi kostot e nxjerrjes së naftës për vitin 2011 të siguruara nga BIRN tregojnë se paneli i ekspertëve konkludoi në disa raste se Bankers ka kryer shkelje në procedurat e tenderimit, por në fund, kompania fitoi të drejtë për shkak se ekspetët nuk morën prova të mjaftueshme nga pala shqiptare që të tregonin se shkeljet e vërtetuara kanë shkaktuar dëm financiar. Ndërkohë, raportet hedhin dritë mbi procedurat e prokurimit të përdorura nga Bankers si dhe listën e kompanive kontraktore.

BIRN analizoi veçmas raporteve bilancet e kompanive kontraktore të Bankers, të cilat rezultojnë nga bizneset më fitimprurëse në vendin tonë, një aspekt tjetër i dyshimtë i veprimtarisë së kompanisë më të madhe në Shqipëri. Normat e stërmëdha të fitimeve neto të kontraktorëve të Bankers, të cilat, në disa raste arrijnë në deri 70 për qind mbi të ardhurat, bien ndesh me faktin që vetë Bankers rezulton me aktivitet ekonomik me humbje. Diferenca është që Bankers i nënshtrohet një norme tatimi mbi fitimi në masën 50 për qind në rast se realizon fitime, ndërsa kompanitë nënkontraktore i nënshtrohen normave të tatimit mbi fitimin në masën 10 për qind, (për periudhën deri në vitin 2014) dhe në masën 15 për qind pas vitit 2015.

Raportet e ekspertëve, të cilët mbajnë vulën “konfidenciale” janë përgatitur nga kompania Navigant dhe nga kompania Price Waterhouse Cooper në përputhje me marrëveshjen e arritur më herët këtë vit mes Bankers dhe Qeverisë. Raportet detajojnë pretendimet e palëve dhe dalin në konkluzionin se në “disa raste” Bankers kreu procedura tenderimi të pamjaftueshme ndërsa në një rast nuk kreu fare procedura tenderimi për nënkontraktorët e vet. Megjithatë, paneli me tre ekspertë konkludoi se pavarësisht shkeljeve, “palët nuk ofruan prova bindëse për të sugjeruar se kostot qenë të paarsyeshme”, duke ia ngarkuar në këtë mënyrë përgjegjësinë Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe paaftësisë së kësaj agjencie për të monitoruar dhe identifikuar shkeljet në kontratën më të madhe koncesionare të Shqipërisë aktualisht.

Raporti vëren se në të paktën një rast, marrëveshja ëshkë shkelur në thelb nga Bankers Petroleum, por edhe në këtë rast, ekspertët rezultuan të ndarë në opinion nëse shkelja ka sjellë apo jo dëm për shtetin shqiptar. Rasti në fjalë lidhet me kontratën e Bankers me kompaninë shqiptare Albstar për punime civile, kontratë që për vitin 2011 kushtoi 22.9 milionë euro dhe për të cilën, dy nga tre ekspertët konkluduan se nuk kishte dëm ndërsa njëri, nga kompania Navigant, konkludoi se kishte dëm dhe shkelje dhe se për rrjedhojë, duhej të klasifikohej si kosto e parekuperueshme.

Mosmarrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe Bankers nisi në vitin 2014, kur Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, (AKBN) institucioni që përfaqëson Shqipërinë në kontratën koncesionare, kreu një auditim të bilancit bankers dhe procedurave të prokurimit të kompanisë për vitin 2011dhe konkludoi se pjesa dërrmuese e shpenzimeve të kompanisë për këtë vit qenë të parregullta.

Bazuar në auditimin e AKBN-së, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i dorëzoi Bankersit një pretendim për 57 milionë dollarë taksa të papaguara. Bankersi kundërshtoi dhe kërcënoi me proces arbitrazhi, gjë që shtyu qeverinë të bie në marrëveshje për të pranuar krijimin e një grupi të pavarur ekspertësh për të analizuar situatën. Ekspertët i dhanë të drejtë Bankers.

Qeveria shqiptare duhet të vendosë brenda pak ditëve të ardhëshme nëse do t’i drejtohet gjykatës së Arbitrazhit për të hedhur poshtë raportin e ekspertëve apo jo. Sipas një letre të dërguar nga avokati i palës shqiptare Curtis, letër që rrodhi në mediapak ditë më parë, qeveria duhet t’i drejtohet arbitrazhit. Për momentin, qeveria nuk ka vendosur se çfarë do të bëjë. “Çështja është në diskutim”, i tha një burim BIRN në kushtet e anonimatit.

Kontrata koncesionare

Petroleum nënshkroi një kontratë koncesionare me qeverinë shqiptare në vitin 2004, në bazë të së cilës, fitonte të drejtën për të shfrytëzuar burimin e naftës Patos-Marinzë, fusha më e madhe naftëmbajtëse në Shqipëri. Kontrata koncesionare parashikonte që Bankers duhej të investonte për të rritur prodhimin e naftës dhe duhej t’i paguante qeverisë shqiptare 50 për qind normë fitimi pasi të shlyente investimet fillestare. Që nga fillimi i punës, ka pasur ankesa me supozimin se Bankers kryen shpenzime të tepërta për të mbajtur kompaninë me humbje në vijimësidhe për të shmangur në këtë mënyrë pagesën e tatimit mbi fitimin. Duke u përballur me këtë realitet, qeveria shqiptare vendosi një taksë të posaçme të njohur si “renta minerare” në vitin 2009, në masën 10 për qind mbi prodhimin, por ia njohu këtë taksë të re si kosto e zbritshme.

Me kalimin e viteve, rritja e prodhimit dhe çmimet e larta të naftës e bënë Bankersin kompaninë mëtë madhe në Shqipëri për nga xhiroja vjetore. Në vitin 2014, Bankers realizoi të ardhura prej 853 milionë dollarësh ose rreth 5.5 për qind e të gjithë prodhimit të brendshëm bruto të Shqipërisë. Të ardhurat e qeverisë shqiptare në formën e rentës minerare në atë vit qenë86 milionë dollarë.

Çmimi i naftës në tregun ndërkombëtar ra në kolaps gjatë vitit 2015 ndërsa Bankers bllokoi investimet që nga fundi i vitit të kaluar, gjë që solli edhe rënie të prodhimit. Rrjedhimisht, të ardhurat e qeverisë nga renta minerare ranë gjithashtu.

Shpenzime pa tender

Bankers nënkontrakton një pjesë të madhe të operacioneve të veta te kompani të tjera, nga proceset e hapjes së puseve te punimet civile në ndërtim rrugësh apo te shërbimi i transportit të naftës bruto nga fusha naftëmbajtëse pranë Fierit për në portin e Vlorës. Një shpenzim tjetër i rëndësishëm është blerja e një lënde djegëse të njohur si “holluesi”, i cili futet nën tokë për të tretur naftën e vendburimit dhe për ta bërë atë më të lehtë për nxjerrje. Sipas kontratës koncesionare, Bankers duhet të përdorë procedura prokurimi për këto shërbime me qëllim që të marrëçmimin më të ulët në treg dhe rrjedhimisht, të mos rrisë kostot e nxjerrjes së naftës.

Bankers është akuzuar nga raporti i autidimit të AKBN-së se ka blerë shërbimet e shpimit, të transportit, të punimeve civile etj,. pa procedura prokurimi, duke inflacionuar kostot në kurriz të taksapaguesve. Raporti i parë auditues i AKBN-së i përket bilancit të Bankers për vitin 2011 dhe del në konkluzionin se 299 milionë dollarë shpenzime nga 384 milionë totale të vitit 2011, janë kryer pa procedura prokurimi dhe për rrjedhojë, nuk duhet të njihen si shpenzime të zbritshme. Pas negociatave, AKBN pranoi se 51 milionë dollarë nga shpenzimet janë të rregullta ndërsa mosmarrëveshja vijoi për pjesën tjetër prej 248 milionë dollarësh, para të cilat, që gjatë vitit 2011 i janë paguar nëntë kontraktorëve të Bankersit. Gjatë shqyrtimit, paneli i ekspertëve i analizoi pretendimet zë për zë. Raportet e ekspertëve krijojnë edhe një panoramë të mënyrës së punës së Bankers, përfshirë prokurimet me praktika të dyshimta, zgjatje kontratash pa fund dhe pa tender shtesë si dhe, në rastin e punimeve civile, kryerjen e punimeve me vetëm një kompani përgjatë të gjithë periudhës së operacioneve në Shqipëri dhe pa kurrfarë procedure prokurimi. Pikërisht ky shpenzim i fundit, vetëm për vitin 2011 është në masën 22.9 milionë euro.

Furnitorët dhe procedurat

Sipas raportit të ekspertëve, shpenzimet e Bankers për kompaninë kanadeze Simmonsjanë një nga shpenzimet e dyshimta. Në vitin 2011, Bankers i pagoi Simmons 34.6 milionë dollarë. Kjo është një kompani që ofron shërbime shpimi. Ajo ka ofruar shërbime për Bankers që nga viti 2005 ndërsa në vitin 2008 ajo fitoi një kontratë me negocim të drejtpërdrejtë me Bankers. AKBN deklaroi se ky shpenzim nuk duhet të njihet sepse në bazë të kontratës koncesionare, Bankers duhet t’i kryejë shpenzimet vetëm përmes procedurave konkurruese të tenderimit por Bankers deklaroi parfa panelit se punësimi i Simmons konsiderohej më me leverdi për ta se sa gjetja e një kontraktori të ri me procedurë prokurimi. Në vitin 2009, Bankers kreu një tender tjetër për shërbimet e shpimit dhe ftoi gjashtë kompani për të marrë pjesë. Në tender, Simmons rezultoi oferta më e mirë, por Bankers vendosi të zgjedhë kompaninë e dytë fare pak më të shtrenjtë, me parimin se i nevojitej të diversifikonte kontraktorët e shpimit për të fituar më shumë siguri nëvijimësinë e operacioneve të veta. Fakti që Simmons hodhi ofertën më të mirë në këtë tender u përdor nga Bankers para ekspertëve si argument se çmimet e shpimit nuk qenë të fryra.

Por në vitin 2010, Bankers nënshkroi një kontratë të re me Simmons dhe e bëri këtë me çmime më të larta se sa kontrata e mëparshme dhe, më e rëndësishmja, e bëri pa tender.

Në qershor 2011, Bankers kreu një tender tjetër për të njëjtin shërbim, por ofertat e marra qenë më të shtrenjta se sa Simmons dhe Bankers vendosi të vijojë të punojë me këtë kompani duke refuzuar ofertat e tjera.

Crosco

Crosko është një kompani kroate e cila ofron shërbime shpimi. Ajo e fitoi kontratën me një tender në prill 2009 dhe vetëm për vitin 2011 u pagua 17.2 milionë dollarë. Por në vitin 2011, kontrata me Crosco u shtua në volum dhe kjo u bë pa tender tjetër. Bankers deklaroi para ekspertëve se në atë kohë nuk besonte se një tender do të sillte çmime më të ulëta.

Phoenix

Phoenix është një kompani tjetër shpimesh. Ajo fitoi fillimisht një kontratë në vitin 2008 përmes një procesi tenderimi, por vijoi punën pasi kontrata fillestare përfundoi dhe Bankers argumenton se kjo qe zgjidhja më e mirë në atë kohë. AKBN argumenton se kostot e kësaj kompanie, 16.9 milionë dollarë vetëm në vitin 2011, nuk duhet të njihen për shkak se u përfituan pa garë. AKBN hedh poshtë pretendimin e Bankers për vijimin e punës me këtë kompani duke argumentuar se programi i shpimeve të kësaj kompanie në vitin 2011 qe shumë më i madh se sa në vitin 2008 dhe se rrjedhimisht, edhe interesi i kompanive të tjera mund të qe i lartë në rast se do të zhvillohej një tender.

Albstar

Kontratat e Bankers me kompaninë shqiptare Albstar, e cila ofron punime civile si rrugë etj., është më e debatueshmja. Albstar ka filluar të punojë me Bankers fillimisht në vitin 2004 me një kontratë 15 mujore, e cila u zgjat në vijimësi. Bankers thotë se nuk kishte pse ta ndërronte këtë kompani me procedura tenderimi për shkak se kjo qe kompania me më shumë eksperiencë në fushë. Por fakti që punimet civile nuk konsiderohen si punime specifike të naftës bëri që AKBN ta rrëzojë pretendimin me argumentimin se në Shqipëri ka 1,951 kompani ndërtimi dhe vetëm në qarkun e Fierit ka 111 kompani të tilla. Njëri nga tre ekspertët, përfaqësuesi i kompanisë Navigant, e konsideroi pretendimin e AKBN-së të drejtë, por dy të tjerë, përfaqësues të Price Waterhouse Cooper, e hodhën poshtë pretendimin me argumentin se sërish, AKBN nuk duhet të mjaftohet vetëm me identifikimin e shpenzimit pa tender, por duhet të vërtetojë edhe se shpenzimi pa tender i ka shkaktuar kosto dhe nëçfarë mase i është shkaktuar ky dëm. Në të gjitha pretendimet e saj, AKBN nuk është munduar të argumentojë se sa më lirë se sa vlera e kontraktuar nga Bankers mund të siguroheshin të njëjtat shërbime në treg por është mjaftuar me argumentin që meqë nuk është kryer tender, i gjithë shpenzimi nuk duhet të njihet si kosto e zbritshme. Kjo bëri që ekspertët, pavarësisht se pranuan se Bankers e ka shkelur kontratën në pikën e “Willful Default”, që do të thotë “me ndërgjegje ka shkelur një detyrim që duhej ta kryente sipas kontratës”, kjo nuk përbën në vetvete vërtetim dëmi të pësuar nga pala shqiptare.

Bolv-Oil

Kompania e transportit të naftës Bolv-Oil ka punuar me Bankers që nga viti 2008 fillimisht si fituese tenderi dhe më pas, me zgjatje kontrate vazhdimisht. Bankers pretendon se kjo qe zgjidhja më ekonomike për të. Vetëm gjatë vitit 2011, kontrata e kompanisë me Bankers qe me vlerën 10.1 milionë dollarë.

Tea-Co është një kompani tjetër transporti që fitoi një kontratë trevjeçare në vitin 2008, në bazë të konkluzionit të një tenderi të zhvilluar që në vitin 2005. Bankers pretendon se kontrata me të qe për shkak se nuk qe në gjendje të identifikonte operatorë të tjerë në treg të aftë për të ofruar kamionë me vakum. AKBN i hedh poshtë këto pretendime duke argumentuar se Bankers nuk ka asnjë provë për zhvillimin e një tenderi dhe se i vetmi dokument për këtë kompani është një memorandum i brendshëm në lidhje me një takim të zhvilluar në janar 2009 me kontraktorë transporti. AKBN pretendon gjithashtu se memoja e takimi tregon se Bankers “negocioi drejtpërsëdrejti kushtet me këto kontraktorë”.

Q.Sinaj

Kompania Q.Sinaj ofron shërbime transporti lëngjesh të tilla si heqja e ujit të ndotur, kamionë me presion dhe transportim me tanker. Kjo kompania ka punuar me Bankers që nga viti 2004, fillimisht me një kontratë gjashtëmujore ndërsa kontrata u shty vazhdimisht, përfshirë edhe ppër vitin 2011. Bankers pretendon se kjo kompani ka marrë pjesë në një tender në vitin 2008 ku humbi, ndërsa një tender në vitin 2009, u konfirmua fituese krahas Bolv-Oil. AKBN thotë se nuk ka prova që të vërtetojnë se ofertat e tenderit të vitit 2009 lidhen në ndonjë farë mënyre me kontratën e kësaj kompanie për vitin 2011. Q. Sinaj mori 2.5 milionë dollarë nga Bankers për shërbimet e ofruara në vitin 2011.

Western Atlas

Kjo është një kompani tjetër, e cila ofron shërbime elektrike dhe shërbime shpimi me përdorim eksplozivësh. Ajo filloi të punojë për Bankers në vitin 2008 pas një tenderi për “shërbime të ndryshme në fushën e naftës”. Kontrata e saj u zgjat në korrik 2011 pasi e para skadoi. Bankers thotë se puna e kësaj kompanie është tepër teknike dhe se ajo beson se kjo është kompania e vetme e aftë për punë të tilla në Shqipëri. AKBN thotë se nuk ka prova që të vërtetojnë se kjo ishte kompania e vetme me licencë për përdorim eksplozivësh në shërbime shpimi. Kontrata e kësaj kompanie vlente 2.9 milionë dollarë.

Smape

Smape është një kompani që ofron shërbime tubash të gjatë. Bankers filloi të përdorë shërbimet e kësaj kompanie më 2011, fillimisht në shkallë të vogël në formë testi, por kostoja e kontratës u rrit në mënyrë të papritur në 2 milionë dollarë. Më pas kompania mori pjesë në një tender dhe e fitoi. AKBN thotë se në fakt Bankers kishte për detyrë që të kryente tender që në fillim dhe argumenton se nuk kishte arsye që kontrata të ofrohej fillimisht pa tender.

Të gjitha të mësipërmet janë kosto të klasifikuara si predendime të ngritura nga AKBN për kosto të pësuara si pasojë e moszbatimit të procedurave të rregullta të tenderimit. Rezultatet e panelit të ekspertëve jepen për të gjitha këto prokurime sëbashku dhe jo për secilën prej tyre. Të tre ekspertët ranë dakord në konkluzione për tetë nga nëntë kontratat me përjashtim të kontratës së Albstar.

“Për të tetë kontraktuesit, bazuar në dokumentin mbështetës të dhënë nga Palët dhe deklarimet e palëve, Paneli i Ekspertëve del në konkluzionin se procedurat konkurruese të prokurimit të kryera nga Bankers qenë, në disa raste, të pamjaftueshme,” thuhet në konkluzionin e ekspertëve. “Gjithsesi, Paneli i Ekspertëve nuk mori prova bindëse për të sugjeruar se kostot qenë të paarsyeshme apo nuk qenë në përputhje me praktikat e pranuara përgjithësisht  në industrinë ndërkombëtare të naftës”. Për këtë arsye, paneli i ekspertëve i dha të drejtë Bankersit për të gjithë këtë bllok mosmarrëveshjesh me vlerë totale prej 114,3 milionë dollarë.

73.2 milionë dollarë te “agjenti i prokurimit”

Një nga kontratat kryesore të kundërshtuara nga AKBN konsiston mes Bankers dhe një kompanie të quajtur HOH. Me një vlerë mbi 73 milionë dollarësh, HOH i ka ofruar Bankers shërbime të njohura si “blerje mallrash” me vlerë 65 milionë dollarë, transport mallrash me vlerë 6.4 milionë dhe tarifë prokurimesh me vlerë 1.9 milionë dollarë.

AKBN thotë se Bankers nuk ofroi fatura për mallrat e blera por vetëm faturat e lëshuara nga agjenti i prokurimeve, për rrjedhojë, këto nuk duhet të njihen si kosto të ligjshme. Bankers thotë se nuk e ka për detyrim të mbajë faturat që HOH ka marrë nga subjektet që i kanë shitur mallra këtij agjenti për llogari të Bankers. Në kohën e raportit të auditimit, Bankers paraqiti fatura për vetëm 8 milionë dollarë shpenzime. Por Paneli i Ekspertëve nuk u mjaftua me kaq dhe bashkëpunoi me HOH, e cila ofroi dokumentacion mbështetës për rreth 62 për qind të vlerës në diskutim. AKBN deklaroi se dokumentacioni i ri kishte ardhur tepër vonë dhe se AKBN “nuk duhet të marrë barrën dhe shpenzimet për analizimin e dokumentit të ri në këtë kohë” për shkak se dokumentacioni i ri nuk qe prodhuar në kohë.

Ekspertët dolën në konkluzionin se “bazuar në dokumentacionin e ofruar dhe dorëzimet nga Palët, Paneli i Ekspertëve nuk u bind se kostot e diskutueshme janë kryer në mënyrë të paarsyeshme apo jo në përputhje me praktikat përgjithësisht të pranueshme të industrisë ndërkombëtare të naftës”.

Sasia dhe çmimi i diluentit të përdorur

Në vitin 2011, Bankers raportohet se përdori një sasi të paprecedent diluenti për të realizuar prodhimin e naftës. Diluenti është njëlëndë hidrokarbure e lehtë, e cila i shtohet naftës së rëndë të llojit që përdoret në Patos Marinzë në mënyrë që të ulë densitetin e naftës bruto, përgjithësisht për të lehtësuar procesimin dhe transportin.

Në projektbuxhetin e miratuar nga autoritetet shqiptare për vitin 2011, Bankers pati llogaritur se i nevojitej 337 mijë fuçi diluent (një fuçi e barabartë me 159 litra) me një vlerë të llogaritur prej 30.7 milionë dollarësh dhe me çmim për njësi prej 88 dollarësh për fuçi. Por Bankers pretendon se gjatë vitit 2011, u detyrua të përdorë 50 për qind më shumë diluent nga sa qe parashikuar ndërkohë qëçmimi i diluentit u rrit nga 88 në 134 dollarë për fuçi. Kostoja totale e diluentit u rrit nga 30.7 në 45.4 milionë dollarë. AKBN fillimisht refuzoi të pranojë si kosto të rekuperueshme shumën shtesë të shpenzuar prej 14,7 milionë dollarësh, pjesërisht me argumentimin se përdorimi i diluentit me tepri qe i pajustifikuar dhe pjesërisht për shkak se rritja e çmimit qe e paparashikuar në buxhet dhe se Albpetrol dhe AKBN nuk qenë njoftuar paraprakisht për shtesën e çmimit.

Bankers është vënë disa herë nën akuza informale se ka mundësuar importimin me sasi të tepërta të panevojshme për diluentin me justifikimin e përdorimit të tij për nxjerrje nafte por që supozohet se në fakt, një pjesë e diluentit shtesëështë shitur në treg si produkt i gatshëm nafte. Një skenar i tillë, i mohuar nga Bankers në vijimësi, nënkupton praninë e një kanali kontrabande dhe evazioni fiskal me përmasa të mëdha.

Bankers iu përgjigj pretendimeve me argumentet se sasia shtesë e diluentit të përdorur për shkak se nafta e hasur gjatë vitit 2011 qe më e rëndë nga sa pritej ndërsa pretendimi për çmime më të larta është i palogjikshëm për shkak se çmimi i diluentit reflekton çmimin e naftës në tregun ndërkombëtar.

Gjatë shqyrtimit nga paneli i ekspertëve, AKBN argumentoi dhe riargumentoi pa sukses qëndrimin e saj deri sa ekspertët e hodhën poshtë pretendimin në tërësi. Ekspertët vërejtën se AKBN nuk ka vërtetuar në ndonjë rast se diluenti shtesë nuk është përdorur për operacionet hidrokarbure dhe për këtë arsye, nuk ka bazë për të pretenduar se ka pasur abuzime.

Bankers i varfër me kontraktorë të pasur

BIRN analizoi bilancet e kontraktorëve të Bankers, të përzgjedhura nga kompania përmes procedurave prokuruese të cilat, Paneli i Ekspertëve i konsideroi “të pamjaftueshme.” Shumica dërrmuese e kompanive që punojnë me Bankers duket se kanë norma fitimi të pazakonta, të cilat arrijnë në 30, – 50 apo 70 për qind mbi të ardhurat dhe se këto fitime janë të realizuara në vijimësi. Më tutje, shumica e këtyre kompanive veprojnë të regjistruara nëpër parajsa fiskale, siç vepron edhe vetë Bankers.

Kontraktori i parë i përmendur në raport është kompania Simmons. Kjo kompani ka një degë në Shqipëri me emrin Simmons Edeco Limited, Dega në Shqipëri. Bilanci i vitit 2011 i kësaj kompanie i dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit në qershor 2015, tregon se të ardhurat e kompanisë për vitin e debatueshëm qenë 3,6 miliardë lekë ndërsa fitimet neto qenë 855.7 milionë lekë, me një normë fitimi prej 23 për qind.

Përgjatë periudhës 2010-2015, Simmons ka realizuar të ardhura totale prej 24.9 miliardë lekësh dhe fitime neto prej 5.8 miliardë lekësh me normë fitimi neto mbi të ardhurat prej 23.5 për qind.

Kompania tjetër, Phoenix Technology, rezulton gjithashtu me norma të larta fitimi. Për vitin 2011, kjo kompani pati 1,8 miliardë lekë të ardhura dhe 628.6 milionë lekë fitime neto me normë fitimi mbi të ardhura prej 34 për qind. Përgjatë periudhës 2010-2015, kjo kompani ka pasur gjithsej 13,2 miliardë lekë të ardhura dhe 4.9 miliardë lekë fitime neto, me normë fitimi prej 37 për qind.

Ndryshe nga dy kontraktorët e mësipërm, kompania kroate Crosco ka norma fitimi shumë më të ulëta, të cilat variojnë nga 2.4 në vitin 2011, në 18 për qind në vitin 2014.

Edhe nënkontraktorë të tjerë në listën e shpenzimeve të debatuara nga AKBN si Alb-Star kanë norma të larta fitimi, por për këto kompani nuk është e mundur të dallohet se sa kanë fituar nga kontratat me Bankers dhe sa nga aktivitetet e tjera të tyre.

Dokumente

Kliko këtu për raportin e ekspertëve

Kliko këtu për raportin e Navigant

BIRN

Loading...