SHPËRNDAJE

Një i ri shqiptar ka hyrë në historinë e një prej universiteteve më prestigjoze të Belgjikës, VUB. Studenti shqiptar Arlind Cara është i riu i  parë jo vendas që mban një fjalim në eventin kryesor universitar në ceremoninë e hapjes së vitit të ri akademik. Kjo ceremoni cilësohet si një ngjarje jo thjeshtë për Universitetin e njohur flamand por edhe komunitetin hollandisht folës flamand që përbën më shumë se gjysmën e popullatës në Belgjikë.

Jo vetëm prania e tij, gjithashtu edhe fjalimi i Carës ka patur nje jehone pozitive, jo vetëm ne mjediset universitare belge por edhe nga mediat vendase në Belgjikë. Fjalimi i të riut shqiptar që është njëkohësisht doktorant pranë departamentit të Shkencave të komunikimit në Universitetin e Tiranës, është cilësuar si një nga pikat kulminante të ceremonisë.

Një nga momentet kryesore të kësaj ceremonie ka qenë shqiptimi në hollandisht i një prej motove të Universitetit nga ana e studentit shqiptar, “Ik ben nu al redelijk eigenzinnig”. Frazë e cila në shqip përkthehet: “Unë jam një i ri kokëfortësisht i arsyeshëm!”.  Një ngjarje tjetër kulminante e ceremonisë universitare ka qenë edhe parakalimi i Bordit Akademik të Universitetit prestigjoz belg, VUB, së bashku me drejtues të universiteteve kryesore të Belgjikës e të ftuar të nderit të ceremonisë hapëse të Universitetit. Pjesë e këtij parakalimi ka qenë edhe i riu Shqiptar,  Arlind Cara.

Aktiviteti u mbajt në një nga sallat më të njohura kulturore të Brukselit në sallën prej 2500 vendesh “BOZAR”. I riu shqiptar është një nga drejtuesit e Këshillit Studentor të Universitetit Belg, përkatësisht drejtues i seksionit të studentëve jo vendas pranë Universitetit. Gjithashtu ai ka qenë pjesë aktive e shumë iniciativave rinore dhe civile në Shqipëri  së bashku me organizatën “RIAS”, rrjetin rinor të organizatave “Kongresi Rinor Kombëtar”.