Ballina Opinione Hiqmu kishës!

Hiqmu kishës!

SHPËRNDAJE
Kimete Berisha

Kimete Berisha

“Kisha në oborrin e UP-së nuk guxon të preket”, kurse, njerëzve guxon t’u preken veshkat e t’u nxjerren me rrënjë…

Le t’i lënë foret, ata disa të PDK-së, që koha po dëshmon se s’kishin pas lënë të zezë të Zotit që nuk e kishin pas ba.

Pa përkrahjen e plotë të politikës, Lutfi Dervishi me familje nuk kish mundur e as nuk kish guxuar t’ua vjedh njerëzve të varfër veshkat e ti mashtrojë se do t’i paguante sipas marrëveshjes…dhe pastaj, të ikë nga Kosova, ditë’m drekë, me aeroplan.

Për kishën s’ka nevojë të flitet, se kjo temë është e stisur. Kjo ngrehinë ekziston qe 18 vjet, dhe deri sot askujt nuk ia vrau syrin, e bash sot, kur kemi probleme shumë të mëdha, kur pritet që Gjykata Speciale ta dridh vendin dhe politikën, ne merremi me një ngrehinë që i thonë kishë dhe, Presidenti i vendit sillet si Krishti i saj shpëtimtar.

Presidenti i Kosovës po e krijon temën e kishës, po e fetishizon këtë ngrehinë dhe po e shfrytëzon atë që t’i nxisë avdallët e Vetëvendosjes, që për inat pse ky po e mbron, ata të kërkojnë të kundërtën, ta rrënojnë.

Kosova është e ndërtuar fund e krye nga pushtuesit. Edhe
çajin që e pinë shqiptarët është gjetje e pushtuesit.
Nëse do të kishim vendosur t’i rrënojmë veprat dhe ndërtimet e pushtuesve tanë, shqiptarëve do t’u mbeteshin bahqet me patate dhe pasul, dhe do ta përzënim edhe Zotin nga Kosova, edhe fenë që na erdhi si dhuratë nga ish pushtuesi.

S’do të mbetej xhami e vjetër pa u rrënuar, sepse ato janë ndërtime të sulltanëve që ka prerë e kanë gri shqiptarë “të pamarrun vesh”!

Është e dhimbshme, shumë e dhimbshme që oborri i studentëve do të bie në depresionin e atmosferës kishtare. Serbët e kanë zanat të ngrejnë mure të mëdha rreth kishave e manastireve të tyre, ndërsa sa herë të hynë e të dalin nga fakulteti studentëve do t’u kujtohet vdekja “e zezë”..

Pa marrë parasysh a do të ishte në pyetje kisha, xhamia, teqja, apo cilido objekt fetar të kish qenë në pyetje, njësoj do të kishte qenë një atmosferë depresive, ku nga dritaret e amfiteatrove studentët do të shikonin tabuta, arkivole, funerale e kufoma…

Dhe nuk ka nevojë të kalojë koha që studentët të mësohen me ekzistencën e kësaj kishe, sepse të gjithë janë të mësuar me këtë pamje.

Vetëm tash Presidenti, për nevojat e tij personale, po ua sjell ndërmend shqiptarëve se “kisha nuk guxon të preket”, që i bjen katunarçe “Preke,, If You Can”…

Nëse e këqyr hollë e hollë, dhe nuk e fetishizon këtë ngrehinë që shfrytëzohet nga narkomanët dhe endacakët e çmendur, edhe me dasht me rrëzu, pa ndihmën e NATO-s s’besoj që kanë aftësi shqiptarët me rrëzu. Njëherë, para një kohe kur diçka ka pas shpërthyer aty pari, në vend se m’u rrëzu muri i kësaj ngrehine, janë thyer xhamat e restoranteve matanë rrugës.

Pra, nëse sot vendosin shqiptarët me rrëzu këtë kishë, kanë m’u thy xhamat e shtëpive të Vranjevcit më përpara sesa që do të dëmtohej muri i saj,.

Me rrënu është më zor se me ndërtu. E ne, kemi treguar se nuk jemi as të ndërtimit e as të rrënimit.

Sikur politika jonë të kishte qenë kaq kundër kryekriminelit Sllobodan Millosheviç, do të kishte ngritur kundra tij padi për gjenocid ndaj shqiptarëve.

Rrënimi i ngrehinës së kishës nuk është kurrëfarë satisfakcioni për ne, sepse nuk e lan gjakun e shqiptarëve.
Do ta shpaguante këtë gjak, drejtësia, të cilën nuk e kemi lypur në mënyrë zyrtare asnjëherë!
Përkundrazi, Presidenti Thaçi qe 17-të vjet iu bën rixha serbëve që të pajtohen “me ne”, pa pasur nevojë të kërkojnë falje për krimet e tyre ndaj nesh.

Prandaj, vrasësit e shqiptarëve janë të lirë. Sepse, ne merremi me cimento e me tulla, e jo me gjakun dhe gjymtyrët tona të shkapërderdhura nëpër atdhe,

P.S. Pozita në të cilën ndodhemi ne, pa asnjë alternativë, është e tillë që, edhe pse kemi dëshirë ta rrëzojmë, më mirë na bie të mos e rrëzojmë.
Duke folur për këtë kishë, ne po i japim jetë asaj, dhe po “flasim me mure”.

Nëse e rrëzojmë, do t’na marrin për terroristë.
Nëse nuk e rrëzojmë, do të na marrin, siç edhe na marrin, për budallenj.
Por, tani për tani më mirë na bie të na konsiderojë bota budallenj, sesa terroristë.
Kryesore të mos na marrin për qyqarë. Se, unë, mendoj si Gandi, “nëse do të detyrohesha të zgjedh në mes qyqarllëkut dhe dhunës, do ta zgjidhja dhunën”!

Duke mos e rrënuar këtë ngrehinë, nëse kemi fat, eventualisht do të tregojmë se jemi mendjehapur dhe të urtë, popull që nuk tutën prej gurëve e rrasave.

Të gjithë pajtohemi (me leje, a pa leje s’ka rëndësi), se asnjë objekt fetar nuk e ka vendin në oborrin e universitetit, por “pini maca ujë”.

Për ta rrëzuar këtë ngrehinë që kanë thënë zhargonçe “duhet me pas nanën çikë”!
Ata që “e kanë nanën çikë”, kanë guxuar të bëjnë veprime, si në vijim:
1. Në vend të varrit të Emines, nënës së Profetit Muhamed, e kanë ndërtuar rezervoarin e naftës;
2. Në vend të shtëpisë së Hatixhes, gruas së profetit, e kanë ndërtuar tregun e kafshëve;
3. Në vend të shtëpisë së Profetit Muhamed kanë ndërtuar kompleksin e nevojtoreve publike.

E ju, më mirë kujdesuni dhe parandalojeni me Ligj që së paku përmendorja e kriminelit që ideoi këtë kishë, të mos ngritet në oborrin e saj ku shihet me sy, se sa i përket mureve brenda kisheve e manastireve serbe, gjithkund i ke fotografitë e kriminelëve më të mëdhenj të luftës, të cilët i vranë e i prenë shqiptarët me bekimin e klerit të kishës.