Ballina Kultura Gjirokastra, jo vetëm trashëgimi kulturore (FOTO) (VIDEO)

Gjirokastra, jo vetëm trashëgimi kulturore (FOTO) (VIDEO)

SHPËRNDAJE

NGA BRIKENA METAJ
Kur përmendet Gjirokastra të gjithë mendojnë çatitë e gurta e kalldrëmet tradicionale të qytetit të shpallur pasuri e UNESCO-s. Por e gërshetuar me të gjitha këto elemente të trashëgimisë kulturore është edhe pjesa e poshtme e qytetit, aty ku zhvillohet jeta sociale dhe komerciale, por e lënë krejtësisht jashtë vëmendjes së investimeve me qëllim turizmin, përkundër është kryer në zonën muzeale.

11 vjet pas hyrjes në UNESCO Gjirokastra vijon ende të përpëlitet mes rrënojave të një qyteti muze dhe përpjekjeve të vakëta për rijetëzim. Qeveri që ikin e vinë. Strategji të reja dhe të vjetra. Shtëpi që rrënohen e të tjera që ngrihen.

Gjirokastra vijon të mbetet tërheqëse për të gjithë ata që e vizitojnë këtë qytet për herë të parë. Duket se ka shumë për të të ofruar edhe pse në të vërtetë të mjafton shumë pak kohë për t’i parë të gjitha. Shtëpitë karakteristike, ato që këtij qyteti i dhanë statusin “qytet muze” janë përherë e më shumë drejt humbjes.

Tashmë është e lehtë të numërosh me gishtat e duarve shtëpitë e vjetra gjirokastrite, detajet e mrekullueshëm të të cilave të magjepsin me bukurinë e tyre. Shtëpitë e tipit kullë, me dritare të shumta të punuara me kujdes. Ky qytet muze ku gjithçka duket se është prej guri mban në gjirin e tij kaq shumë muze të vegjël, të gjithë për t’u zbuluar.

Të duhet të gjesh kënde të ndryshme vështrimi që çdoherë Gjirokastrën ta shohësh ndryshe. Por e pashmangshmja në çdo rast është përballja me rrënimin që prej vitesh është ulur këmbëkryq, pavarësisht përpjekjeve për të mbrojtur këtë pasuri prej 11 vitesh e cilësuar “pasuri botërore”.

Gjysma e dytë e shek të XX-të solli një zhvillim të shpejtë e të gjithanshëm të Gjirokastrës, me rritje të kujdesit për rehabilitimin dhe mbrojtjen e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe artit të ndërtimit të objekteve muzeale. Deri në fillimin e viteve ’90 Gjirokastra kishte marrë trajtën e një qendre të rëndësishme administrative në Jug të vendit, status që e ruan edhe sot.

Por pas kësaj periudhe gjërat ndryshuan për qytetin muze që dalëngadalë filloi gjunjëzimin e vet ndaj barbarizmit të ndërtimeve pa kriter të kohës, duke e sjellë qytetin e gurtë në gjendje emergjence. Përfshirja e tij në UNESKO ishte një dritë jeshile për qytetarët dhe më shumë përgjegjësi për pushtetarët edhe pse për këta të fundit dukej se kjo certifikatë vlerësimi kishte aspak rëndësi. Ndërtimet pa leje dhe betonizimi vijuan përdhunshëm në qytetin e gurtë.

Tashmë Gjirokastra bën 11 vite si pjesë e pasurisë botërore të UNESCO-s. Por edhe sot, 11 vjet më pas situata është larg asaj të duhur e të dëshirueshmes. Vetë ministrja Kumbaro, pohon se në këto vite nuk ka patur një përmbysje të situatës në Gjirokastër pasi braktisja që banorët i kanë bërë qytetit dhe mungesa e mirëmbajtjes për vite të tëra ka lënë gjurmë që kërkojnë kohë të rregullohen.

Bashkëpunimi me pronarët është një pikë thelbësore për ruajtjen dhe konservimin e vlerave të Gjirokastrës dhe kjo është një pikë në të cilën theksohet fort nga pushtetarët.

Zëra të ndryshëm nga pushteti, me ndikim në jetën sociale të qytetit, shprehin opinionin se në 11 vite edhe pse përparimet janë të dukshme, bilanci vijon të mbetet negative. “Brenda një viti më shumë rrënohet sesa mirëmbahet e restaurohet”, pohon Sadi Petrela, drejtor i fondacionit Gjirokastra. Sipas të cilit një qeverisje me një apo dy mandate është e pamjaftueshme për ta shpëtuar Gjirokastrën, që ai e cilëson “një çështje të rëndësishme kombëtare”.

Vjeshta pritet ta kthejë pazarin e Gjirokastrës në një kantier ndërtimi në kuadër të zbatimit të projektit të ri të restaurimit të lagjes së parë dhe kryesore të qytetit. Fotot e prezantuara nga ministria të asaj që pritet të jetë fytyra e re e pazarit të vjetër, janë mbresëlënëse dhe nuk kanë asgjë të ngjashme me pamjen që për më shumë se 25 vite u është servirur vizitorëve.

Këto janë pamjet e dyqaneve të dikurshme të kësaj lagjeje kryesore. Të braktisura prej vitesh, dyqanet e shkatërruara të pazarit të vjetër ofrojnë për turistët e shumtë që vizitojnë qytetin e UNESCO-s, vetëm rrënoja, zbrazëti dhe pisllëkun e harresës e braktisjes, ndërsa vendasit duket se tashmë janë mësuar me këtë pamje që është bërë pjesë e përditshmërisë së tyre. Tashmë të gjithë presin me ankth e utopizëm realizimin e këtij projekti madhor për zemrën e zonës muzeale të qytetit.

Por Gjirokastra nuk është vetëm rruga me kalldrëm, kalaja që shtrihet krenare mbi qytet. Gjirokastra nuk ka vetëm çati të gurta që shkëlqejnë nga rrezet e diellit fill pas shiut. Pikërisht prej kalasë së gurtë mundesh fare lehtë të shohësh pothuajse të plotë qytetin e Gjirokastrës, atë të vërtetin, jo atë të kartolinave, mund të shohësh fare lehtë dy faqet e një monedhe.

Gjirokastra nuk është vetëm qyteti i kalldrëmeve dhe çative gri. Brenda këtij qyteti duket se shtrihet e zgjerohet kërcënueshëm tentativa e qytetërimit modern, e ndare si me thike nga pjesa muzeale e qytetit të dikurshëm asaj pjese të cilësuar si zonë muzeale ku ndërtimet moderne ngrenë krye si çibanë shkatërrimtarë të një tradite qe po përjeton grahmat e fundit te saj.

Pjesa e poshtme e qytetit ajo që pak ose aspak vizitohet nga turistët vendas apo të huaj. Por kjo pjesë e qytetit është pikërisht edhe pjesa ku qyteti merr jetë. Këtu zhvillohet gjithë jeta sociale e qytetit të Gjirokastrës.

Rruga e zhurmshme e lagjes “18 shtatori” krijon kontrastin më të plotë me rrugët e pjesës së sipërme të qytetit. Pallate shumëkatëshe të ngjitur njëri pas tjetrit duket sikur i zënë frymën dritës. Në këtë pjesë të qytetit nuk ka kalldrëme, nuk ka çati guri. Kjo është jeta e një qyteti në përpjekje për t’u modernizuar. Por ndërsa në pjesën e sipërme të qytetit bukuria e detajeve të objekteve të trashëguara në kohë të bën të harrosh mangësitë që sheh syri, këtu shëmtia e një qyteti duket se është ulur këmbëkryq. Rrugët e pashtruara, fasada pallatesh të palyera e të ndotura nga koha, kaosi i qarkullimit në rrugët e pavizuara dhe mungesa e trotuareve janë më të parat gjëra që bien në sy.

Kjo është Gjirokastra, në një vështrim të shpejtë e të përciptë. Brendësitë e problemeve të saj janë shumë më të thella, ashtu si të çdo qyteti në Shqipëri. Ky është qyteti ku siç thotë Kadare mund të hidhesh pa frikë nga një çati në tjetrën, por ky është edhe qyteti ku ndërtimet shumëkatëshe po e fshehin shkallëzimin e këtyre çative, një pjesë e mirë e të cilave janë rrënuar me kohën. Ky është qyteti që të gjithëve u tregon dy anët e veta, të gërshetuara e të ndara njëkohësisht nga njëra – tjetra.

Një luftë e heshtur që vijon mes tyre prej vitesh, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të arrijnë ndonjëherë të paqëtohen e të ndërthuren, me një synim të vetëm, ruajtjen e kësaj pasurie kulturore dhe historike, e njëherazi modernizimin e saj.

13671682_1565653523741582_796970567_n 13704119_1754234391485719_2082201544_n 13712795_247805845618034_626055122_n 13722100_1737106086529113_2068395467_n 13744058_1272140486129374_488179021_n 13745163_278681665844572_317774872_n 13768110_1748527278698359_204621250_n 13827449_1738516773079486_1765794130_n

1 11 13636244_1739572762997100_2105701668_n 13649237_655683321263070_690414317_n 13739530_1723608837901300_279654840_n 14027151_855654094535925_1439893733_n 14031787_934177743395063_1110207540_n 14052432_179851005769455_1552589231_n 14063514_1806979829534923_318257936_n 14072817_1140047029388935_2124905295_n 14099909_280481518988471_1907281647_n 14134898_288450701525001_1590430992_n 14156651_1106409832785256_620298886_n 14279028_1835865799974842_78267655_n 14288050_1255418281148831_1583458149_n 14309845_158744561236996_302161179_n 14482208_550835831789049_8856903153459658752_n

Loading...