Fillimi i Luftës së Dytë Botërore/ Rrëfimi i përkthyesit: Si Hitleri u shtang pas ultimatumit

Më 3 shtator 1939 fillon Lufta e Dytë Botërore. Si përgjigje për pushtimin e Polonisë nga Hitleri, Britania dhe Franca, të dyja aleate ...


Më 3 shtator 1939 fillon Lufta e Dytë Botërore. Si përgjigje për pushtimin e Polonisë nga Hitleri, Britania dhe Franca, të dyja aleate të vendit të pushtuar, i shpallën luftë Gjermanisë, duke filluar Luftën e Dytë Botërore.
Viktima e parë u bë anija britanike e linjës oqeanike, Athenia, e cila u fundos nga nëndetësja gjermane U-30, që e mendoi anijen britanike një anije luftarake. Në anije kishte më shumë se 1.100 pasagjerë, 112 prej të cilëve humbën jetën, midis tyre 28 amerikanë. Presidenti Ruzvelt, ndonëse ishte i shqetësuar nga tragjedia, deklaroi se Amerika nuk do të dërgonte ushtrinë e saj në Europë. Shtetet e Bashkuara do të qëndronin neutralë për disa vite.
Britania, nga ana e saj, si fillim, hodhi mbi Gjermani 13 ton fletëpalosjeve propagandistike kundër nazistëve. Më 4 shtator, ata filluan të bombardonin anijet gjermane, duke u shkaktuar humbje të mëdha. Ata gjithashtu synonin të mos dëmtonin civilët gjermanë. Ushtria gjermane, sigurisht, nuk ishte kaq e frenuar. Franca, pas dy javësh, do të fillonte një sulm kundër kufirit perëndimor gjerman. Përpjekja e tyre u dobësua në një korridor të ngushtë prej 250 km , që të çonte në frontin gjerman, i rrethuar nga kufijtë e Luksemburgut dhe Belgjikës, të dyja vende neutrale. Gjermanët minuan korridorin, duke ndaluar sulmin francez.

Rrëfimi i përkthyesit / Ora 09.00: Fyhreri u shtang pas ultimatumit
Hitleri qëndronte pa lëvizur, me sytë të ngulur diku përpara. Ai nuk e humbi, siç është thënë më vonë, as nuk shpërtheu në zemërim, siç kanë supozuar të tjerë. Qëndroi ulur, në heshtje dhe krejt i palëvizur. Pas një intervali që u duk sa një jetë, ai u kthye nga Ribentropi, i cili kish mbetur në këmbë pranë dritares. “Po tani?” pyeti Hitleri me një vështrim të egër, sikur të donte të thoshte se Ministri i Jashtëm e kish udhëzuar gabim për reagimin e Anglisë.
Screen-Shot-2015-09-01-at-1.26.36-PM
Pushtimi agresiv i territoreve prej Hitlerit nisi në 1936, kur ai urdhëroi ushtrinë që ripushtojë distriktin e Rhinelandit. Në kufi me Francën, Rhinelandi kish qenë projektuar si një zonë e demilitarizuar nga Traktati i Versajës, që i dha fund Luftës së Parë. Ishte një sipërmarrje me risk të lartë për Hitlerin. Trupat gjermane ishin të papërgatitura, të papajisura si duhet dhe kishin urdhëra të tërhiqeshin, nëse francezët do të bënin rezistencë. Në fund, manovra shkoi vaj, pa asnjë pengesë. I inkurajuar nga ky rezultat, Hitleri vazhdoi duke absorbuar Austrinë dhe zonën Sudeteland, të dominuar nga gjermanë, por pjesë e Çekosllovakisë. Në marsin e vitit të ardhshëm, ai pushtoi pjesën e mbetur të Çekosllovakisë.
Hitleri qe i papërmbajtshëm. Në 23 gusht 1939, ai tronditi krejt botën kur shpalli se kish firmosur një marrëveshje mos-sulmimi me Bashkkimin Sovjetik. Fyhreri gjerman ishte tani i sigurtë se mund të pushtonte Poloninë, pa patur frikë nga ndërhyrja e rusëve. Sulmi ish menduar fillimisht të niste në orët e mëngjesit të 26 gushtit. Megjithatë, në 25 gusht Britania deklaroi se garancia e saj për pavarësinë e Polonisë ish formalizuar nga një aleancë mes dy vendeve. Hitleri u lëkund dhe e shtyu sulmin për në 1 shtator.
Në orën 09:00 të mëngjesit të datës 3 shtator 1939, Sër Nevil Henderson, ambasador i Britanisë në Gjermani dorëzoi një ultimatum, ku thuhej se nëse veprimet luftarake nuk ndalnin deri në orën 11:00, do të ekzistonte më pas një gjendje lufte mes Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë. Gjermania nuk u përgjigj dhe në orën 11:15 të mëngjesit të 3 shtatorit 1939, Kryeministri Chamberlain shpalli në radio se populli britanik ishte në luftë me Gjermaninë.
“…HESHTJE TOTALE”
Paul Schmidt ishte përkthyes në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, si dhe i pranishëm në ngjarjet historike të atyre ditëve të fundit të paqes në Evropë. Skena është zyra e Ministrisë së Jashtme gjermane në Berlin. Ka kaluar shumë pak pas mesnatës së 3 shtatorit 1939 dhe makineria ushtarake gjermane vazhdon të përparojë në drejtim të Polonisë. Gjermanët nuk i janë përgjigjur kërkesave të mëhershme të Anglisë dhe Francës për të tërhequr trupat, dhe ndërkohë ka mbërritur një mesazh, që thotë se Sër Nevil Hendersoni, ambasador britanik në Gjermani, dëshiron të takohet me Ministrin e Jashtëm gjerman, Ribentrop. Eshtë e qartë se mesazhi i ambasadorit do të nënkuptojë luftë. Ja rrëfimi i Schmidtit, teksa Ribentropi vendos që përkthyesi duhet ta takojë i vetëm ambasadorin:
“Kish kaluar mesnata, kur ambasada britanike telefonoi për të thënë se Henderson kish marrë udhëzime nga Londra, për të përcjellë një mesazh nga qeveria e tij në orën 9 të mëngjesit, dhe se ai kërkonte të pritej nga Ribentropi, në Ministrinë e Jashtme, në atë orë. Ishte e qartë se ky komunikim nuk do të përmbante asgjë për të cilën do të bihej dakord, dhe se ndoshta do të qe një ultimatum real. Si pasojë, Ribentropi nuk tregoi as gatishmërinë më të vogël për të pritur ambasadorin britanik, mëngjesin tjetër. Unë ndodhesha pranë tij.
“Vërtetë, ti mund ta presësh ambasadorin në vendin tim”, më tha. “Vetëm pyet anglezët, nëse kjo u shkon për shtat dhe thuaju se Ministri i Jashtëm nuk është i disponueshëm në orën 9”. Anglezët ranë dakord, dhe kështu që unë u udhëzova të prisja Hendersonin mëngjesin tjetër, domethënë pas pesë orësh, pasi tani qe ora 4 e mëngjesit.
Të dielën, në 3 shtator 1939, për shkak të trysnisë së punëve ditët e fundit, fjeta pak më shumë dhe mu desh të marr taksi për në zyrë. Pashë Hendersonin të hynte në ndërtesë, teksa afrohesha me makinë në sheshin Vilhelm. Hyra nga një derë anësore dhe qëndrova në zyrën e Ribentropit, i gatshëm për të pritur Hendersonin, fiks në orën nëntë. Ai u lajmërua në kohë. Hyri brenda me një pamje shumë serioze, shtrëngoi duart, por refuzoi ftesën time për t’u ulur, duke qëndruar solemnisht në këmbë në mes të zyrës. “Më vjen keq, që me udhëzim të qeverisë time, më duhet t’ju dorëzoj një ultimatum për qeverinë gjermane”, tha me emocion të thellë dhe më pas, ndërkohë që të dy qëndronim në këmbë, lexoi ultimatumin britanik.
“Kanë kaluar më shumë se 24 orë, që kur u kërkua një përgjigje e menjëhershme për paralajmërimin e 1 shtatorit, dhe që atëherë sulmet ndaj Polonisë janë intensifikuar. Nëse Qeveria e Madhërisë së Tij nuk merr garanci të mjaftueshme për ndalim të gjithë veprimeve agresive kundër Polonisë, si dhe tërheqjen e trupave gjermane nga vendi deri në orën 11:00, që nga ai moment do të ekzistojë një gjendje lufte mes Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë”.
Kur mbaroi së lexuari, Hendersoni më dorëzoi ultimatumin dhe më përshënderi duke thënë: “Më vjen sinqerisht shumë keq, që më duhet të të dorëzoj veçanërisht ty, një dokument të tillë, pasi ke qenë përherë i gatshëm për të ndihmuar”. Edhe unë shpreha keqardhjen dhe shtova disa fjalë të ndiera.
Gjithnjë kisha patur vlerësim të madh për ambasadorin britanik. Më pas shkova bashkë me ultimatumin në Kancelari, aty ku mezi po më prisin të gjithë.
Shumica e pjesëtarëve të kabinetit dhe udhëheqësit e partisë ishin mbledhur në një sallë pranë zyrës së Hitlerit. Kish një mbipopullim të pazakontë dhe kisha vështirësi për të mbërritur tek Hitleri.
Kur hyra në zyrën tjetër, Hitleri qëndronte ulur në tryezën e tij dhe Ribentropi qëndronte pranë dritares, në këmbë. Të dy ngritën sytë, sapo hyra. Qëndrova në një farë distance nga tryeza e Hitlerit dhe më pas, me ngadalë përktheva tekstin e ultimatumit britanik. Kur mbarova, kishte heshtje totale. Hitleri qëndronte pa lëvizur, me sytë të ngulur diku përpara. Ai nuk e humbi, siç është thënë më vonë, as nuk shpërtheu në zemërim, siç kanë supozuar të tjerë. Qëndroi ulur, në heshtje dhe krejt i palëvizur. Pas një intervali që u duk sa një jetë, ai u kthye nga Ribentropi, i cili kish mbetur në këmbë pranë dritares.
“Po tani?” pyeti Hitleri me një vështrim të egër, sikur të donte të thoshte se Ministri i Jashtëm e kish udhëzuar gabim për reagimin e mundshëm të Anglisë.
Ribentropi u përgjigj qetësisht: “Supozoj që francezët do të dorëzojnë një ultimatum të ngjashëm brenda një ore”.
Teksa mbarova detyrën time, unë u largova. Atyre që ndodheshin në sallën ngjitur, u thashë: “Anglezët sapo kanë dorëzuar një ultimatum. Pas dy orësh do të ketë një gjendje lufte mes Anglisë dhe Gjermanisë”. Edhe në paradhomë, lajmi u shoqërua nga një heshtje totale. Gëring u kthye nga unë dhe më tha: “Nëse e humbasim këtë luftë, atëherë Zoti na mëshiroftë!”/ Bota.al

Related

Histori 40433921776365254

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item