Ballina Bota Analiza Bashkimi Europian ka dështuar të bashkojë shpirtrat e Europës

Bashkimi Europian ka dështuar të bashkojë shpirtrat e Europës

SHPËRNDAJE
Roberto Saviano

Nga Roberto Saviano

Nuk do të zgjatem shumë ndonëse do t’ia nis nga larg.

E keni pyetur ndonjëherë veten se nga vjen lokucioni latin “pecunia non olet”?

Svetonio te “De vita caesarum” tregon i pari këtë anekdotë: Tito, biri i Vespazianit, qorton të atin se ka vënë një taksë mbi urinën e mbledhur nëpër nevojtore, të cilat që nga ai çast quhen vespazianë. Titos i vjen turp që populli përdor emrin e të atit për të treguar banjat dhe në shenjë sfide, pasi ka urinuar, përpara të atit hedh gjithë përçmim përtokë dy monedha, si të ishin lëmoshë. Rrëfehet se Vespaziani, pasi i mblodhi monedhat i afroi në hundën e tij dhe pastaj në atë të të birit dhe e pyeti se ç’erë kishin. Ajo që Vespaziani donte t’i tregonte Titos ishte se paraja nuk ka erë, nga cilado anë të vijë, në çfarëdolloj mënyre të fitohet dhe për çfarëdolloj qëllimi.

E përkundrazi jo, paraja ka erë. Duhet të dish ta dallosh. Shpesh qelb erë gjaku dhe riciklimi. Droge, armësh dhe nafte dhe Europa, ky ortek parash, erën e të cilave do të duhej të mësonim ta dallonim, i mirëpret vazhdimisht nëpërmjet atyre që zakonisht i përkufizojmë parajsa fiskale. Çdo shtet ka vrimën e tij të zezë: Franca ka Luksemburgun, Gjermania ka Lihtenshtajnin, Spanja ka Andorrën, Italia ka San Marinon. Gjithë bota ka Zvicrën dhe Londrën.

Një Europë që di të dallojë erën e parasë, do të mund të fillonte edhe nga Gjermania, nga një vend që di se çfarë do të thotë defiçit të drejtash njerëzore. Një vend ku sot mungojnë ligjet antiriciklim të efektshme dhe krimi i shoqërisë mafioze, por që do të dinte t’i përballonte këto tema shumë delikate duke mbajtur parasysh dinjitetin njerëzor dhe të drejtat, kaq i lartë ka qenë çmimi që ka paguar, në ‘900-ën, për mungesën e tyre.

Nga Gjermania do të mund të fillonte një Europë e të drejtave që, sot, kapitaleve të ardhura nga riciklimi i karteleve meksikane apo që shërbejnë për të financuar celulat terroriste nëpërmjet kontrabandës së naftës, narkotikëve dhe veprave të artit, u hap dyert në të dy kanatet. Po ato dyer që qenieve njerëzore ua përplas në fytyrë. Përpara paratë dhe jashtë njerëzit: ky mekanizëm përmbledh atë që është sot Europa, apo më mirë, që aspiron plotësisht të jetë.

Britania e Madhe që voton për Brexit, Marinë Le Peni që më 3 shtator në Brachay u premtoi qytetarëve francezë, në rast të fitores së saj, një referendum mbi Fransortie; e gjithë kjo nuk është vetëm humbja e Europës, por edhe e sidomos dështimi i motivimeve që çojnë në mendimin se të dalësh nga Europa, se të mbyllësh kufijtë, është një mënyrë për t’u ndier i mbrojtur.

Strategjia e Daesh-it është pikërisht kjo: të krijojë terror për ta shtyrë komunitetin ndërkombëtar të dorëzohet, të mos interesohet për atë që ndodh në Irak, në Siri, në Kurdistan. Por çfarë ndodh pikërisht atje, përveç kasaphanave të vazhdueshme të civilëve që e shtyjnë një pjesë të popullsisë të gjejë strehë në Europë? Ndodh që i vetëquajturi Shtet Islamik synon thelbësisht mbisundimin e fushave të naftës dhe të trafikut të narkotikëve, dhe mëton ta bëjë pa ndërhyrë asnjë entitet i huaj.

Nëse mbyllim kufijtë, do të ndryshojë gjë? Thelbësisht jo, madje situata nuk do të mund veçse të përkeqësohet sepse pastaj lufta që tani nuk na përket përveçse në raste të jashtëzakonshme (sepse atentatet te ne janë raste të jashtëzakoshme, gjetiu janë rutinë e përditshme), do të bëhet një luftë civile midis brezave të emigrantëve, që në Europë jetojnë prej dhjetravjeçarësh, dhe atyre që ndihen europianë të pastër. Unë jam italian dhe po i flas një publiku gjerman. Mua sinqerisht e gjithë kjo më frikëson jashtëzakonisht shumë.

Ç’lidhje kanë kapitalet kriminale, refugjatët dhe Bashkimi Europian me M100 Media Award-in? Kanë jashtëzakonisht shumë lidhje. Plotësisht, do të thosha. Sepse nëse ky çmim më jepet për kushtet e mia të jetesës, për të treguar se ajo që shkruaj dhe denoncoj dëgjohet, atëherë mediat europiane kanë detyrën, në këtë fazë shumë delikate që Europa po kalon, të zgjedhë kompleksitetin, të përpiqet të shpjegojë pa kërkuar rrugë të shkurtra, cilat janë rreziqet reale të rravgimeve nacionaliste që shumë vende europiane po përjetojnë. Dhe të shpjegojë se zgjidhjet e propozuara janë jetëshkurtra dhe të dështuara.

Por ajo që djeg më shumë sot është pikërisht dështimi i Bashkimit Europian jo vetëm si subjekt politik ndërkombëtar, jo vetëm si subjekt politik i besueshëm dhe i fortë, por edhe e sidomos në aftësinë e tij për të integruar shpirtrat e shumtë që e përbëjnë.

Europa siç qe në ëndrrën e Ventotenes, por edhe më parë të Giuseppe Mazzini-t, nuk mund të ishte vetëm një Europë ekonomike, një treg apo, edhe më keq, një strukturë që duket të ndërmjetësojë midis financës dhe qeverive.

Europa vuan sot rreptësinë e brendshme, një rreptësi që në politikë ekonomike u duk receta e duhur, por që po paraqet një llogari shumë të shtrenjtë.

Një rreptësi që, në politikën e jashtme, u përkthye në mungesën e vizionit komunitar. Sa të ndryshme do të ishin sot fatet e Sirisë, të Kurdistanit dhe të Turqisë nëse kjo e fundit do të bënte pjesë në Bashkimin Europian. Do të kishte filluar një stabilizim i kufijve tanë pa arritur në tragjedinë humanitare që po eksperimentojmë sot. Edhe më shumë: të nesërmen e grushtit të dështuar të shtetit, nëse qytetarët turq do të ishin sot qytetarë europianë do të mund t’i drejtoheshin Gjykatës europiane të të Drejtave të Njeriut vendimet e së cilës do të kishin në Turqi një vlerë dhe një peshë. Po edhe nëse nuk do të respektoheshin, do të ishte një çështje e një rëndësie jetësore për ne, do të diskutonim për të në çdo seli.

Ja pse këtu, në atdheun e dytë të turqve, në Gjermani, sot dua t’ua kushtoj M100 Media Award-in dy intelektualëve turq, Ahmet Altan (gazetar dhe shkrimtar) dhe vëllait të tij Mehmet Altan (profesor ekonomie) të arrestuar më 10 shtatorin e shkuar.

Grushti i dështuar i shtetit më 15 korrik i dha udhë një gjuetie të përnjëmendtë shtrigash që kulmoi me akuzat e tmerrshme edhe pse të pabaza në dëm të kolegëve shkrimtarë dhe gazetarë që kanë punuar gjithnjë që të gjenin hapësirë idetë e demokracisë dhe të lirisë.

Ahmet Altan dhe Mehmet Altan akuzohen se kanë hedhur gjatë një emisioni televiziv, të transmetuar një ditë para grushtit, mesazhe në kufi për të mbledhur mbështetësit e grushtit të shtetit. Taraf, gazeta që drejtonte Ahmeti, ka punuar gjithnjë për të drejtën e qytetarëve turq për njohje, që qeveria të jepte llogari për veprimet e veta. Ahmeti ka qenë disa herë i proceduar dhe i dënuar si opozitar e Erdoganit. I vëllai, Mehmeti, ka mbështetur nevojën për ta rindërtuar identitetin e Turqisë mbi respektimin e të drejtave të njeriut, jo mbi racën apo mbi fenë, do të duket e ditur e gjithë kjo, por është nje mesazh revolucionar.

Ja, nëse Truqia do të ishte pjesë e Bashkimit Europian, sot fatet e Ahmet dhe Mehmet Altan-it do t’i ndienim pranë, kaq pranë sa nuk do të mund të heshtnim mbi fatet e tyre. Nëse Turqia do të ishte pjesë e Europës burgosja e tyre do të ishte një skandal sepse do të dinim që, duke pranuar sot atë që u ndodh atyre, nesër do të na ndodhte me siguri edhe neve.

Po e mbyll duke cituar Ernesto Rossi-n, ndër etërit themelues të Bashkimit Europian atë që ndiej më pranë, edhe për shkak të origjinës gjeografike, meqë ai ka lindur në Kazertë qytet ku kam jetuar gjatë. Nga province e Kazertës është klani i kazalezëve, klani që kam denoncuar te “Gomorra” dhe që më ka kërcënuar, duke më shtrënguar t’i jetoj dhjetë vitet e fundit të jetës sime i shoqëruar. Që kur isha 26 vjeç e deri sot. Te “Mendime dhe fjalë” Ernesto Rossi shkruan: “Sado e dhimbshme të jetë situate e tanishme, sado i përparuar të jetë procesi i evolucionit fetar të Republikës sonë, ne, nuk dëshpërohemi. Mbi historinë e njerëzimit nuk ulet kurrë sipari, dhe aktorë të dramës jemi ne, me vullnetin dhe idealet tona”. Mund të jetë ende ai vend ku nacionalizmat dhe populizmat munden para se të bëjnë dëme të mëtejshme.

Me vullnetin tonë dhe me idealet tona mund të bëhet.

Përktheu: Adrian Beshaj

Loading...