Ballina Aktualitet Azem Syla kthehet në burg

Azem Syla kthehet në burg

SHPËRNDAJE
Azem Syla
Ish-komandanti i përgjithshëm i UÇK-së, Azem Syla, i cili njëherësh ka qenë deputet i PDK-së në Parlamentin e Kosovës, është kthyer nga arresti shtëpiak në Gjykatë.

Kjo e fundit ka paralajmëruar se do të dalë me vendim brenda 48 orëve e deri atëherë Azem Syla është dërguar në mbajtje në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.

Këtë herë ai është arrestuar nga EULEX-i nën dyshimin se ka ndikuar në dëshmitarë në procedurën ndaj tij dhe të tjerëve për “Keqpërdorime me prona”.

Arrestimi i Sylës ka ardhur me urdhër të prokurorit të rastit, Danilo Cicareli, i cili ka kërkuar vendosjen e masës së paraburgimit ndaj tij, me dyshimin se ai nëpërmjet një personi tjetër ka provuar të ndikojë në dëshmitarin e dytë të mbrojtur në rastin e njohur si “Toka”.

Duke e konsideruar si të çuditshme mosarrestimin e personit, i cili e ka kontaktuar dëshmitarin e dytë, avokati mbrojtës i Azem Sylës, Tomë Gashi, ka thënë se Azem Syla nuk ka të bëjë asgjë me tentimin e ndikimit në dëshmitar.

“Prokurori ka pretenduar që ka fakte se persona të caktuar në emër të z. Azem Sylës e kanë kontaktuar një prej dëshmitarëve të mbrojtur, i ashtuquajturi dëshmitari i dytë, dhe sipas prokurorit kjo ka ndodhur më datën 2 shtator. Është e çuditshme se 14 ditë më vonë, edhe pse ky dëshmitar është fotografuar nga Policia e EULEX-it, e cila ka qenë në ambientet kur ky person ka kontaktuar më dëshmitarin e mbrojtur, ende nuk e dinë identitetin e tij apo vetëm e dinë pjesërisht identitetin e tij”, ka thënë avokati Gashi.

Sipas tij, Azem Syla nuk ka të bëjë asgjë me tentimin e ndikimit në dëshmitarë dhe kjo është vërtetuar edhe me prova, të cilat prokurori i ka sjellë në seancën e së premtes. Prokurori ka sjellë fotografi të personit që e ka kontaktuar dëshmitarin dhe personi në ato fotografi shumë lehtë mund të shihet dhe të identifikohet, ndërsa edhe vetë dëshmitari i mbrojtur ka deklaruar se këtë person e njeh me vite të tëra, kështu që duket paksa e çuditshme se pse identiteti i tij nuk është zbuluar apo pse prokurori nuk e ka ftuar atë person, ose nuk është marrë në pyetje nga Policia përreth 14 ditë prej ngjarjes e cila ka ndodhur. “Besoj se gjyqtarja e ka kuptuar se dikush ka mundur ta kontaktojë dëshmitarin e mbrojtur, por jo që atë e ka dërguar Azem Syla apo persona të ndërlidhur me Azem Sylën”, ka thënë avokati Gashi, shkruan Zëri.

I pyetur se a e njeh Azem Syla personin të cilin e ka takuar dëshmitarin e mbrojtur, avokati Gashi ka thënë se Azem Syla ka deklaruar se e njeh atë person. Mirëpo, sipas tij, është vërtetuar se Azem Syla në asnjë mënyrë nuk e ka dërguar atë person te dëshmitari i mbrojtur.

Përndryshe, ish-deputeti i PDK-së Azem Syla ishte arrestuar më 29 prill, ku dhe i ishte caktuar masa e paraburgimit. Ai po dyshohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës se ishte udhëheqësi i një grupi kriminal që është marrë me shitjen e pronave shoqërore në periferi të Prishtinës. Ndërkaq, më datën 25 gusht Gjykata Themelore e Prishtinës kishte marrë vendim që t’ia ndërpresë masën e paraburgimit Azem Sylës dhe shtatë të tjerëve të përfshirë në këtë çështje penale dhe t’ua zëvendësojë me paraqitje në stacionin më të afërt policor një herë në javë.

Prokuroria Speciale pretendon se duke u bazuar në rezultatet hetimore, ish-deputeti Azem Syla ka organizuar, financuar dhe mbikëqyrur një grup kriminal, të cilët kanë bërë tjetërsimin e pronave shtetërore dhe me këtë veprimtari të kundërligjshme i kanë shkaktuar dëme buxhetit të Kosovës rreth 30 milionë euro.