Ballina Opinione Ardian Klosi: Ik pir..uni me gjithë plehrat tuaja!

Ardian Klosi: Ik pir..uni me gjithë plehrat tuaja!

SHPËRNDAJE

Arben Rrozhani

Ardian Klosi, publicisti dhe veprimtari i shoqërisë civile, i dha fund jetës në prill 2012, në mënyrë tragjike, në papafingon e shtëpisë së tij. Vitet e fundit të jetës ai u ishte dedikuar ngjarjeve të rënda po me humbje tragjike jetësh njerëzore. Shkroi një libër të “zi” për Gërdecin, krimin ende të pandëshkuar të qeverisë së Sali Berishës dhe më pas u angazhua në kundërshtimin e importit të mbetjeve të rrezikshme nga vendet e tjera, nën etiketën “për riciklim”. Prej vitit 2004, kur ish-kryeministri Nano kërkoi të sillte një incenerator në Kashar të Tiranës për të djegur plehrat e Italisë dhe më pas, pasi Berisha kërkoi ta kthente Shqipërinë në kazan plehrash, Klosi i kishte të hapura faqet e gazetës “Shekulli” për të denoncuar planet djallëzore qeveritare që të fitoheshin milionat në kurriz të të sotmes dhe të të ardhmes së Shqipërisë. Shkrimi më i fundit i botuar te gazeta “Shekulli” në tetor 2010, është sa aktual aq edhe denoncues se përballë plehrave dhe biznesit të tyre shumëmilionësh kriminal, qeveritë kanë të njëjtën sjellje.

Fjalët e ish-zv.ministrit të Mjedisit Bino, ngjajnë njëlloj me ato të deputetëve të sotëm socialistë që thonë se janë të detyruar ta rikthejnë ligjin  për importin e mbetjeve për nevoja të industrisë ricikluese. Klosi analizonte ato nisma që kishte bërë Shqipëria prej vitit 2004 për degradimin e mjedisit në favor të strehimit të industrive ndotëse dhe plehrave të huaja, siç ishin ngritja e portit të hidrokarbureve me rafineri në Vlorë, Petrolifera në Vlorë, fabrikat e çimentos në ultësirën nga Fushë-Kruja në Shkodër, parqet eolike (mullinjtë me erë) në zonën e Karaburunit dhe Llogorasë për një firmë siciliane, deri te importimi i plehrave të Romës dhe Napolit në Shqipëri. “Prej çastit që fillojnë përjashtimet, i hapet porta së keqes; kush është në gjendje të dallojë në këtë vend mbeturinat e rrezikshme si elementët e djegies bërthamore, ose mbeturina kimike ose spitalore etj?

Këtu e shumta mund të dallojnë letrën nga xhami, rakinë nga uji dhe kaq. Përfytyroni një doganier në portin e Durrësit i cili do të shquajë mes dengjeve me plehrat e Pulies mbeturina fosfatesh ose uraniumi nga veriu i Italisë dhe Europës. Absolutisht e pamundur, ndaj e vetmja rrugë për sa kohë ekziston kjo injorancë dhe ky nivel zbatimi ligjesh e rregulloresh te ne, është ndalimi total”shkruante Klosi, 6 vite më parë. Ai e mbyllte analizën e tij me thirrjen se projekte të tilla duheshin ndaluar me të gjitha mënyrat. Ai i dha fund jetës më shumë se një vit para se ish-miku i tij Edi Rama të bëhej kryeministër dhe të firmoste VKM-në e parë që do të ndalonte importimin e plehrave në Shqipëri, ligjëruar nga Berisha. Edi Rama do ta kujtonte ish-mikun e vet, Ardian Klosi në fund të prillit të kaluar, kur në kryeministri u promovua libri i autorit Oliver Schmit ”Për Ardian Klosin, gjermanin nga Shqipëria”.

Ai i përmendi të gjitha aktivitetet letrare apo civile të Klosit, deri edhe protestën kundër prishjes së Piramidës nga Sali Berisha, por “harroi” atë kundër importit të plehrave. Kujtoi edhe se e kishte parashikuar se do të vetëvritej, gabimisht me revole, kur ai përdori litarin. Kujtonte Rama: “Kur ai ndërtonte shtëpinë te liqeni, thoshte do të bëj një papafingo aty lart. Mirëpo, shtëpia ishte vendosur në një pozicion që nuk kishte asgjë rreth e rrotull dhe zakonisht, kur unë shkoja ndonjëherë, ishte muzg dhe kishte një qetësi të jashtëzakonshme dhe i thosha se pak a shumë në këtë orë, këtu lart do të ndjehet një krismë e thatë, pastaj do të ngrihen dy rosa nga pasqyra e liqenit dhe pastaj do të merret vesh që i madhi Ardian Klosi nuk na tha lamtumirë, por na tha “Ik pirdhuni!”

. Ardian Klosi u nda nga jeta në moshë shumë të re. Motivin e mori me vete. Por nëse do të ndodhte sot, do të hamendësonim ndonjë motiv, si p.sh. dhimbja që ish-shoku i tij “i armëve”, është në krye të atyre që mbrojnë plehrat, është vazhdues i politikës së mbrapshtë të Berishës dhe do t’i jepte fund jetës ndoshta jo me litar, por me armë, ashtu siç e kishte parashikuar Edi Rama, duke thënë: Ik pirdhuni!. Sikur Edi Rama të ishte sot opozitar, kë do të kujtonte te rubrika “AMARCORD” në profilin e tij në “Facebook”? Do të vinte foton e aktivistit dhe ish-mikut të tij që dilte kundër planeve të Nanos dhe Berishës për importimin e plehrave të Europës? Apo të përsëriste shprehjen që tha për të në prill 2016?

“Argumentet” për importin Zyrtarisht, qeveria shqiptare e ka motivuar rikthimin e projektligjit për importin e mbetjeve për të shpëtuar industrinë e riciklimit nga falimentimi. Po kush janë ata? Pak muaj më parë, kur qeveria deshi organizojë një tryezë të rrumbullakët për mjedisin dhe mbetjet, pyetën se kë mund të ftonin. Doli që ishin të gjithë të djathtë, biznesmenë që ishin rritur si kërpudhat pas shiut në industrinë e tyre helmuese gjatë qeverisjes së Berishës, që kanë ngritur impiantet e tyre vrasës anash ose në mes të zonave të banuara duke vjellë helm dhe vdekje ndër banorët e injoruar nga strukturat shtetërore. Mund të jetë shtuar edhe ndonjë biznesmen i majtë në listë për biznesin e plehrave, por në përgjithësi janë të djathtë dhe aspak të injoruar nga qeveria prej anësisë politike. Përkundrazi. Qeveria e koalicionit të majtë, prej shtatorit 2013, është përpjekur me mish dhe me shpirt për të ndihmuar në lulëzimin e bizneseve që u rritën nga Berisha.

Ato 720 milionë dollarë borxhe që sot Rama tha se ishin borxhe të papaguara, iu dhanë biznesmenëve që kishin marrë punë nga Berisha gjatë 8 viteve të tij si kryeministër. Koncesionet e dhënë deri para largimit të Berishës jo vetëm nuk u zhbënë, por vetëm sa janë forcuar dhe bërë edhe më gjakpirës. Kthimi i importit të mbetjeve ishte gjoja për t’i dhënë oksigjen industrisë ricikluese në vend, e cila nuk preferon të përdorë ato dhjetra mijëra ton mbetje që kanë pushtuar vendin, por kërkon si lëndë të parë “plehra të pastra”. Sipas ambientalistit, Lavdosh Ferruni, qeveria shqiptare po gënjen me shpjegimin se ndalimi i importit solli si pasojë që industria e riciklimit të punojë me 30 % të kapaciteteve, duke i shkaktuar një dëm të madh ekonomik, si dhe shkurtim të fuqisë punëtore.

Ferruni iu referua të dhënave të INSTAT-it se importi i mbetjeve të plastikës në vitet 2012 dhe 2013 ka qenë përkatësisht 3330 ton dhe 4580 ton, kurse i letrës 0. Ndërkohë kur mbetjet urbane të vendit janë rreth 1 milion ton, nga të cilat plastikat janë rreth 14%. Riciklimet në Shqipëri janë rritur nga 21% në 2014 në 25.3% në 2015 dhe në 2018 parashikohet të rritet me 30%. Po kështu eksportet e plastikës së ricikluar të paktën nga ndërmarrja më e madhe në vend që ndodhet në Tiranë janë rritur. Ferruni thotë madje se në vend që të hapë vende pune, importi do t’i mbyllë ato dhjetëra mijëra që aktualisht janë të vetëpunësuar në sektorin e grumbullimit të materialit për riciklim, sepse plehrat e importuar do të vijnë të paketuara dhe nuk kanë nevojë për fuqi punëtore. GDP-ja do të shënojë rënie, pasi do të bien të ardhurat nga turizmi dhe bujqësia dhe do të rriten shpenzimet nga shëndetësia.

* * *

Demagogji e re për një projekt të vjetër

Ardian Klosi

Një projekt i vjetër dhe gjithmonë i dashur i qeverive Berlusconi: shkarkimi i mbeturinave të Italisë në Shqipëri merr jetë sërish. Në të vërtetë e prisnim prej kohësh dhe po na habiste vonesa e qeverisë Berisha për të hequr pengesat ligjore që ndalojnë importimin e plehrave në Shqipëri. Të gjitha projektet e tjera që kishin zënë fill nën qeverinë Nano, të cilat mund t’i përmbledhim nën titullin: lehtësimi i fqinjit të madh nga industritë dhe veprimtaritë e tjera ndotëse duke përdorur Shqipërinë, po bëhen realitet: ngritja e TEC-eve në Porto Romano, e portit të hidrokarbureve me rafineri në Vlorë etj. Me sa kuptohet për mbeturinat urbane u gjet çasti i duhur për ta shpallur: pasi u platit konflikti për Petroliferën në Vlorë, pasi u shpallën njëra pas tjetrës dhe filluan të ndërtohen fabrikat e çimentos në ultësirën nga Fushë Kruja në Shkodër, pasi u dha zona e Karaburunit dhe Llogorasë për mullinjtë me erë të një firme siciliane, pasi zuri vend mirë edhe centrali bërthamor në protokollet e bashkëpunimit të ardhshëm midis dy shteteve, pasi u harrua disi nga media lufta për mbeturinat urbane që përfshiu Napolin dhe zona të tjera të jugut italian, qeveria Berisha kërkoi këto ditë që të hiqet ndalimi për importimin e plehrave në Shqipëri.

Çast më të mirë për të hedhur një hap të tillë në vështrimin e tij nuk mund të kishte: ende s’mund të thuhet që kjo qeveri është e paralizuar nga skandalet e shumta që i janë hapur ose nga protesta këmbëngulëse të opozitës. Ende është ajo periudha e mjegullt kur mund të merren vendime, siç ishte 2004, një vit para zgjedhjeve për Fatos Nanon kur ai bëri marrëveshjen për Petroliferën dhe atë me Beketin për sjelljen e mijërave tonelata me mbeturina nga Italia. Për më tepër, Berisha e bën këtë lëvizje pasi ka provuar që vetëdija ekologjike dhe lëvizja ambientaliste në këtë vend janë të tepër dobëta; e për sa u takon protestave popullore siç ndodhën në qershor 2004, këtyre me sa duket s’ua ka më frikën sidomos pas Gërdecit, pas përfundimit të protestave në Vlorë dhe tani në fund protestave politike të opozitës.

Këto janë testime të rëndësishme për një ujk të vjetër të pushtetit dhe politikan që nuk ka asnjë skrupull kur është fjala për t’u shërbyer të fuqishmëve, njerëzve që mund ta mbajnë në pushtet, grupeve okulte siç janë bizneset famëkëqija të eksportimit të plehrave të rrezikshme, pa përfillur interesat e sotme dhe të ardhme të Shqipërisë. Shqipëria, siç u vu në dukje me të drejtë këto ditë, është e paaftë të zgjidhë problemin e mbeturinave të veta urbane e jo më të përpunojë plehra të importuara. Argumenti se me djegien e këtyre plehrave përfitohet energji është sa qesharak aq edhe i dëmshëm: qesharak sepse përfitimi është minimal në krahasim me koston e transportit, ndarjes së mbeturinave, koeficientin e energjisë termike që çliruakan këto mbeturina në djegie (edhe një TEC me naftë që ngritën në Vlorë nuk po e vënë dot në punë për shkak të kostos së lartë të lëndës djegëse); i dëmshëm, sepse në mbeturinat që vijnë për djegie në inceneratorë fare mirë mund të fshihen mbeturina të rrezikshme radioaktive etj.

Ligji për ndalimin total të importimit të plehrave në Shqipëri është i mirë sepse është në këtë fushë i vetmi ligj që mund të zbatohet sot për sot tek ne. Prej çastit që fillojnë përjashtimet, i hapet porta së keqes; kush është në gjendje të dallojë në këtë vend mbeturinat e rrezikshme si elementet e djegies bërthamore, ose mbeturina kimike ose spitalore etj? këtu e shumta mund të dallojnë letrën nga xhami, rakinë nga uji dhe kaq. Përfytyroni një doganier në portin e Durrësit i cili do shquajë mes dengjeve me plehrat e Pulies mbeturina fosfatesh ose uraniumi nga veriu i Italisë dhe Europës. Absolutisht e pamundur, ndaj e vetmja rrugë për sa kohë ekziston kjo injorancë dhe ky nivel zbatimi ligjesh e rregulloresh te ne, është ndalimi total. Ç’ishte ky lajm i mirë i pasuar nga një lam i keq? Sikur të kishte këtu impiante për riciklimin e letrës, të plastikës, të aluminit etj., atëherë do të funksiononte i gjithë zinxhiri, nga ndarja e mbeturinave te furnizimi i fabrikave që thotë zv. ministri. Sikur të mos funksiononte, atëherë do të subvenciononte qeveria që të funksiononte kjo industri ricikluese.

Kush ka qoftë dhe një fije mendimi ekonomik në kokë e kupton që në qoftë se në Itali a kudo gjetiu në vendet e zhvilluara europiane, mbeturinat janë ndarë dhe janë bërë gati për riciklim, ato nuk kanë nevojë të ngarkohen në vaporë për t’u prurë te impiantet e riciklimit në Shqipëri. Kjo nuk është një punë dore, si bie fjala qepja e të mbathurave, që të del më lirë t’i gatitësh në Kavajë sesa në Milano, jo ky është një proces industrial riciklimi ku natyrisht, nëse kursen rrugën, ke ulur dhe çmimin e produktit të ricikluar. Por e mësuar me një popull që s’kundërshton, që është tepër i lodhur nga këta politikanë, me vetëdije tepër të ulët ekologjike dhe tepër individualist në veprimtaritë e tij, qeveria i heq atij nëpërmjet zv.ministrit të saj të Mjedisit edhe mundësinë që të ketë një fije mendimi ekonomik në kokë.

Kur dëgjon një arsyetim të tillë pyet: por përse duhet një arsyetim? Si kanë ardhur punët, është më mirë që kjo qeveri të mos japë asnjë shpjegim për punët që bën sepse ajo punët e këqija i bën që i bën, ndaj dhe nuk është nevoja të fyhen kaq keq njerëzit në inteligjencën e tyre. E gjitha është një demagogji e keqe për të fshehur projektin e rrezikshëm të importimit të plehrave nga Italia dhe vende të tjera të zhvilluara në Shqipëri, një projekt që e dinim të vdekur qysh në 2004-n. Ai duhet ndaluar me të gjitha mënyrat, në radhë të parë me anë të vetëdijesimit të qytetarëve shqiptarë, duhet organizuar edhe një herë shoqëria civile, në qoftë se projekti s’mund të ndalet politikisht, për të ndaluar shitjen e mëtejshme të interesave të vendit në formën më të keqe të mundshme, atë të helmimit të tokës dhe ajrit të tij me mbeturinat e të tjerëve.

*Botuar te gazeta “Shekulli”, më 16 Tetor 2010. Ribotohet sot kur qeveria pret të votojë importin e mbetjeve urbane në seancën plenare