Një gur “i vockël” shahu, në duart e Vladimir Putinit

Analizë e Stratfor Përshkallëzimi i tensioneve midis Rusisë dhe Ukrainës me sa duket është zbutur, për momentin. Situata ishte ten...


Analizë e Stratfor
Përshkallëzimi i tensioneve midis Rusisë dhe Ukrainës me sa duket është zbutur, për momentin. Situata ishte tensionuar, pasi Rusia pretendonte se në 6 gusht, sabotatorë ukrainas kishin kryer një inkursion në Krime. Por, më 15 gusht, Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov bëri thirrje për qetësi në rajon, dhe zyrtarët ukrainas të sigurisë kanë pranuar një rënie në lëvizjet e trupave ruse në Krime, gjatë ditëve të fundit. Megjithatë, duke marrë parasysh zhvillimin politik, ekonomik dhe atë të sigurisë në Krime, është e rëndësishme që të vlerësohet mundësia e një tjetër rritjeje të tensioneve.
Që prej protestave të Euromaidanit në shkurt të vitit 2014, Krimea ka luajtur një rol të rëndësishëm në kundërvënien mes Moskës dhe Perëndimit, mbi Ukrainën. Gadishulli, i populluar kryesisht nga rusë etnikë, dhe prej kohësh bazë e Flotës ruse të Detit të Zi, ishte vendi ku u pa reagimi fillestar i rusëve, ndaj ngjarjeve të Kievit. Menjëherë pas rrëzimit të presidentit ukrainas të asaj kohe, Viktor Janukoviç, ushtarë rusë pa shenja dalluese uniforme, që u bënë të njohur si “burrat e vegjël të gjelbër”, morën në kontroll rrugët kryesore ajrore dhe tokësore në Krime. Zyrtarët e Krimesë shprehën dëshirën për t’u bashkuar me Rusinë, dhe një referendum mbi këtë çështje u organizua vetëm një muaj më vonë. Pas një votimi prej më shumë se 95 për qind në favor (një rezultat i kundërshtuar nga vëzhguesit perëndimorë), Rusia aneksoi formalisht Krimenë, më 18 mars, 2014.
Reagimi i kundërt
Ukraina dhe përkrahësit e saj perëndimorë, ende e kundërshtojnë fort aneksimin, por ai ndodhi pothuajse i pasfiduar nga ushtria ukrainase. Trupat ukrainase që ndodheshin në gadishull para aneksimit, ose dezertuan dhe shkuan tek ushtria ruse, ose u kthyen në Ukrainë. Dhe ndonëse rezultati pothuaj unanim i referendumit shkaktoi dyshime të forta në Perëndim, realiteti është se shumica e banorëve të Krimesë donte të bëhej pjesë e Rusisë. Krimea ka qenë tradicionalisht pjesa më pro-ruse e Ukrainës, dhe shumëkush në gadishull e shihte largimin e Janukoviçit, si një grusht shteti të orkestruar dhe të mbështetur nga fuqitë perëndimore.
Kështu, kthesa e Krimesë drejt Rusisë mund të shihet si një kundërvënie logjike, ndaj kthesës së Ukrainës drejt Perëndimit. Edhe pse rebelimi anti-Maidan u përhap me shpejtësi nga Krimea në pjesët lindore dhe jugore të Ukrainës, që janë historikisht të orientuara nga Rusisa, lëvizja fitoi vërtetë terren, vetëm në territoret separatiste të Donetskut dhe Luhanskit, ku separatistët pro-rusë dhe forcat e sigurisë të Ukrainës ende ndeshen mes tyre. Edhe pse konflikti në Ukrainën lindore ka qenë temë e bisedimeve të rregullta në Minsk, mes Moskës, Kievit dhe Perëndimit, Rusia e ka bërë të qartë se statusi politik dhe ai i sigurisë së Krimesë nuk është në diskutim.
Që kur aneksoi Krimenë, Rusia ka shtuar në mënyrë të konsiderueshme praninë e saj ushtarake atje. Rajoni është përfshirë në Zonën Jugore Ushtarake të Rusisë në prill 2015, dhe atje janë vendosur, edhe më shumë trupa ruse dhe asete ushtarake, duke përfshirë sistemet e avancuara S-400 të mbrojtjes ajrore, të vendosura në 12 gusht. Më herët këtë muaj, shefi i shtabit të forcave ajrore të Rusisë, tha se një batalion i trupave ruse do të vendoset në qytetin verior të Krimesë, Dzhankoi, në vitin 2017, për t’u pasuar nga një regjiment në vitin 2018. Këto lëvizje tregojnë mosgatishmërinë e Moskës për të zvogëluar praninë e saj ushtarake në gadishull, pavarësisht sanksioneve që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara vendosën kundër Rusisë, si reagim ndaj pranisë së saj në Krime.
Problemet pas aneksimit
Ashtu sikurse është bërë gjithnjë e më e militarizuar, që nga përfshirja e saj brenda Rusisë, gadishulli i Krimesë është përballur edhe me disa sfida politike dhe ekonomike. Edhe pse pjesa më e madhe e popullsisë së Krimesë mbështetën aneksimin, disa banorë – për shembull, shumë prej Tatarëve të Krimesë, një pakicë etnike që përbënte rreth 10 për qind të popullsisë së gadishullit para aneksimit – ishin kundër tij. Disa aktivistë Tatarë janë arrestuar për shkak të mospajtimit të shfaqur, duke bërë që shumë njerëz të largohen përtej kufirit, në Ukrainë. Disa kanë punuar nga Ukraina për të minuar kontrollin rus në gadishull. Në nëntor 2015, ata, së bashku me ultranacionalistët nga Sektori i Djathtë ukrainas, luajtën një rol në ndërprerjen e rreth 70 për qind të furnizimeve me energjisë elektrike për Krimenë. Përçarje përkoi me protestat kundër trajtimit që Rusia u bënte tatarëve në gadishull. Ukraina rifilloi zyrtarisht transmetimin e energjisë elektrike për Krimenë tre javë më vonë, por furnizimi nuk krahasohet me nivelet e para ndërprerjes. Deri tani, gjeneratorë rusë kanë shërbyer si kompensim.
Çështja e furnizimit me energji elektrike ka qenë vetëm njëra, në një seri ngjarjesh që ndikojnë në ekonominë e Krimesë, qysh prej aneksimit. Furnizimi me ujë i gadishullit nga Ukraina kanë qenë në rrezik, dhe ekonomia e Krimesë gjithashtu është rënduar, prej kufizimeve tregtare midis Ukrainës dhe Rusisë, si rezultat i tensionit mes tyre. Izolimi ekonomik dhe financiar që ka ardhur nga sanksionet e SHBA-së dhe BE-së kundër Rusisë, i ka shtuar këto probleme. Jeta e përditshme është bërë padyshim më e vështirë për shumicën e banorëve të Krimesë, që prej aneksimit. Udhëtimi dhe turizmi në gadishullit, ndërkohë, kanë rënë ndjeshëm, sidomos nga Ukraina.
Ngjarjet e fundit në Krime duhet të shihen me këto rrethana në mendje. Gadishulli është integruar thellë në strukturat ushtarake dhe të sigurimit të Rusisë, por gjendja e tij politike dhe ekonomike është bërë më komplekse. Krimea mbetet kryesisht e varur nga infrastruktura e Ukrainës, një dobësi që Rusia është munduar për ta zbutur.
Kërcënimi i veprimeve të subversionit nga Ukraina në gadishull – qoftë faktike, të fabrikuara apo një përzierje e të dyjave – mund të shërbejë si një mundësi për Moskën që të rrisë mbështetjen dhe nxisë nacionalizmin, në një kohë kur Kremlini përballet me presionet e veta të rëndësishme, politike dhe ekonomike. Aftësia e Rusisë për të nisur veprime të mëdha ushtarake në Ukrainë është ende e kufizuar, por shpërthime të izoluara në Krime apo lindje të Ukrainës, mund t’i sigurojnë Presidentit rus Vladimir Putin, mbështetje më të madhe në vend, duke vënë kështu në zbatim një presion afatgjatë ndaj forcave të sigurisë dhe qeverisë së Ukrainës. Zhvillimi i vazhdueshëm i Krimesë në sferat e sigurisë, si dhe ato politike dhe ekonomike do të jetë çelësi për të matur pozicionin e Rusisë, si dhe për të vlerësuar tensionet mes Moskës dhe Perëndimit.
Në shqip nga bota.al

Related

Top Lajm 9028617523563488950

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item