Ballina Aktualitet Kim Mehmet godet politikanët shqiptarë në Shkup, Prishtinë e Tiranë

Kim Mehmet godet politikanët shqiptarë në Shkup, Prishtinë e Tiranë

SHPËRNDAJE
Publicisti dhe shkrimtari shqiptar nga Maqedonia, Kim Mehmeti, ka bërë thirrje për mosmiratimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi më 1 shtator.Ai ka thënë se në këtë ditë do të duhej të miratohej një marrëveshje që e nxjerr Kosovën nga kriza, e jo ajo për demarkacionin. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Mehmeti ka vlerësuar se ratifikimi i kësaj marrëveshje do ta fuste Kosovën në një krizë më të thellë politike. “Do të doja që më 1 shtator të mos votohet për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, por të bëhet miratimi i ‘marrëveshjes’ që do ta nxirrte Kosovën nga balta ku e kanë futur hajdutokratët e tanishëm që e drejtojnë. Përndryshe, Kosovës mund t’i ndodhë diçka edhe më e rrezikshme sesa të mos i ketë të definuara kufijtë shtetërorë: të kalbet nga brenda!”, ka thënë Mehmeti.
Në këtë intervistë publicisti shqiptar nga Maqedonia ka folur edhe për gjendjen e rëndë shqiptare në këtë shtet dhe për situatën pas vërshimeve të fundit. Mehmeti ka thënë se Maqedonia nuk ka ndërtuar institucione që do t’u shërbejnë qytetarëve, por institucione që do ta mbulojnë veprimtarinë kriminale të nëntokës politike. Sipas tij, ky shtet, pas vërshimeve, i ka ndihmuar vetëm maqedonasit. “Pastaj interesi shtetëror i Maqedonisë është ai i etnitetit që e quan vetveten maqedonas, e jo edhe ai i shqiptarëve, andaj ndodh që banorët maqedonas t’i ndihmojë shteti, e ata shqiptarë ta presin mëshirën e bashkëkombësve të tyre”, ka deklaruar Kim Mehmeti.
Ai ka bërë me dije se shqiptarët e Maqedonisë as nuk duhet të presin ndihmë nga Shqipëria dhe Kosova. Publicisti Mehmeti ka treguar se cila do të ishte ndihma më e madhe që këto dy shtete do t’ua bënin gjithë shqiptarëve. “Ndihma më e madhe që Tirana dhe Prishtina zyrtare do t’ua ofronin shqiptarëve të kudondodhur, do të ishte t’i bënin Shqipërinë e Kosovën shtete ku çdo gjë do ta përcaktonte ligji, e jo ‘maliqi’!”, është shprehur ai. Sa i përket marrëveshjes që subjektet politike shqiptare dhe ato maqedonase kanë nënshkruar muajin e kaluar për dalje nga kriza politike, Mehmeti ka thënë se kjo është e dëmshme për shqiptarët e Maqedonisë. Sipas tij, është naive të presësh të mira nga një marrëveshje, e cila është nënshkruar nga politikanë që e kanë sjellë popullin deri në këtë gjendje.
“Epoka e re”: Javën e kaluar Shkupi me rrethin është goditur rëndë nga vërshimet. Nga kjo fatkeqësi natyrore u prekën edhe shumë shqiptarë të kësaj pjese. Si e keni parë reagimin institucional maqedonas ndaj kësaj fatkeqësie?
Mehmeti:
 Maqedonia nuk ka ndërtuar institucione që do t’u shërbejnë qytetarëve, por institucione që do ta mbulojnë veprimtarinë kriminale të nëntokës politike, e cila edhe e drejton këtë shtet. Pastaj interes shtetëror i Maqedonisë është ai i etnitetit që e quan vetveten maqedonas, e jo edhe ai i shqiptarëve, andaj ndodh që banorët maqedonas t’i ndihmojë shteti, e ata shqiptarë ta presin mëshirën e bashkëkombësve të tyre. Përpos kësaj, institucionet shtetërore të Maqedonisë veprojnë si degë partiake të VMRO-DPMNE-së, dhe çdo gjë, përfshirë edhe reagimin ndaj fatkeqësive natyrore, e shohin nga këndvështrimi i përfitimit partiak. Ja, për shembull, i pari që u erdhi në “ndihmë” lagjeve të përmbytura të Shkupit dhe që doli nëpër ballinat e medieve ishte kryetari i VMRO-DPMNE-së, ai që së bashku me vasalët e tij të BDI-së u tregua si fatkeqësia më e madhe ‘elementare’ që i ka ndodhur Maqedonisë.
Nuk dua të jem i padrejtë dhe të mos e them se edhe shtetet shpeshherë janë të pafuqishëm përballë forcës së natyrës, njësoj siç duhet thënë se sasinë e shiut që bie mbi tokë e cakton Zoti, e jo kryeministrat e shteteve. Gjithashtu, duhet thënë se drejtuesit e shteteve janë ata që bëjnë çmos që t’u paraprijnë fatkeqësive dhe t’i zbusin ato. Andaj edhe e them se, sikur regjimi DPMNE-BDI të ndërtonte institucione shtetërore që do t’u shërbenin qytetarëve, e jo elitave të tyre partiake, atëherë ato institucione nuk do t’i harxhonin paratë e popullit për të ngritur përmendore, por për t’i mirëmbajtur kanalet ku do të derdhen ujërat e tepërta atmosferike, përfshirë këtu edhe atë të fshatit Haraçinë, meremetimin e të cilit aktivistët e BDI-së e premtojnë në çdo fushatë parazgjedhore. Gjithashtu, duhet thënë se përmbytjet e fundit që i ndodhën Shkupit edhe një herë e shpalosën të vërtetën se fatkeqësia më e madhe ‘natyrore’ që u ka ndodhur shqiptarëve të Maqedonisë është vasalizmi i kryesuesve të BDI-së ndaj sunduesve maqedonas. Pra, u pa edhe një herë se BDI-ja funksionon si degë shqiptare e VMRO-DPMNE-së dhe, si e tillë, nuk ka të drejtë ta ndihmojë hallexhiun shqiptar, por i lejohet ta vajtojë shqiptarin e vdekur. Dhe nuk ka dyshim se drejtuesit e BDI-së prej moti janë shkëputur nga populli i tyre shqiptar dhe sa nuk janë shpallur vlerë nacionale e popullit maqedonas. Mbase duke e ndierë veten si të tillë, drejtuesit e BDI-së ende nuk e kanë vizituar as Lagjen e Trimave të Kumanovës, ku u vranë me dhjetëra kosovarë e policë, e lë më t’i vizitojnë lagjet e përmbytura shqiptare të Shkupit. Këto tregojnë mjaftueshëm se ata tani i frikohen përballjes me votuesit e vet. Thënë shkurt e shqip, kryesuesit e BDI-së sot e jetojnë dështimin më të madh që mund t’i ndodhë një klase politike – mallkimin e popullit të vet, ndërkaq shqiptarët e Maqedonisë përballen me mposhtjen më të dhimbshme që mund t’i ndodhë një populli – kur atë e mposhtin ata të cilëve u ke besuar.
“Epoka e re”: Në këto raste ajo që vjen në shprehje tek shqiptarët është solidariteti. Jeni të kënaqur me solidaritetin që Kosova dhe Shqipëria kanë treguar për shqiptarët e Maqedonisë pas vërshimeve?
Mehmet
i: Ajo që e thashë më parë, kryesisht vlen edhe për funksionimin e institucioneve shtetërore në mëmëdhe, Shqipëri dhe atdhe, Kosovë. Edhe shumica e burrështetasve të atjeshëm tragjeditë shqiptare i masin nëpërmjet pikëve politike që ato do të mund t’u sjellin, si dhe nëpërmjet asaj sa do të jenë në ballinat e medieve. Madje është joreale që ne shqiptarët e Maqedonisë të presim ndihmë më të madhe nga ata që janë fatkeqësia e shqiptarisë në përgjithësi. Çfarë mund të presin shqiptarët e Maqedonisë, për shembull, nga qeveritarët e grupit ‘pronto’, nga ata që e gjunjëzuan Kosovën! Apo, cilën të mirë mund ta presësh nga kabineti aktual qeveritar i Shqipërisë, që ndërton shtet nëpër studiot televizive dhe nëpërmjet rrjeteve sociale!?
Besoj se shqiptarët e Maqedonisë tanimë e kanë kuptuar se s’mund të presin ndonjë ndihmë më të madhe nga Kosova e Shqipëria ku, pa ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve, pozita dhe opozita nuk mund të arrijnë pajtueshmëri as për vendin ku do të ndërtonin ndonjë tualet publik, e jo më për diçka më madhore! Pra, besoj se shqiptarët e Maqedonisë e kanë kuptuar se, nëse dikur popullin tonë e bashkonte e keqja, siç ishte plaga mbarëkombëtare e quajtur Kosovë e pushtuar, sot në botën shqiptare çdo gjë është e ndarë dhe e copëzuar, përpos krimit dhe nëntokës politike, që i ka bashkuar trojet tona etnike. Pastaj shpresoj se shqiptarët e mi të Maqedonisë e kanë të qartë se jemi duke e jetuar periudhën kur na bashkon vetëm “tallava” muzika dhe krimi i organizuar, andaj edhe i ngjasojmë popullit që nuk ka shtet amë!
“Epoka e re”: Cila do të ishte ndihma që Kosova dhe Shqipëria mund t’ua ofronin shqiptarëve të Shkupit që janë prekur nga vërshimet?
Mehmeti:
 Ndihma më e madhe që Tirana dhe Prishtina zyrtare do t’ua ofronin shqiptarëve të kudondodhur, do të ishte t’i bënin Shqipërinë e Kosovën shtete ku çdo gjë do ta përcaktonte ligji, e jo ‘maliqi’! Përderisa Kosova është pronë e grupit ‘Pronto’ dhe përderisa në Shqipëria nuk e ke të qartë se, vallë, politikanët e kontrollojnë krimin, apo kriminelët e kontrollojnë politikën, është absurde të flasësh për ndihmën që këto dy shtete do t’ua ofronin shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve të këtyre dy ‘Shqipërive’ tona.
“Epoka e re”: Subjektet politike maqedonase dhe ato shqiptare në fund të muajit të kaluar kanë arritur një marrëveshje për ta tejkaluar krizën politike. Sa është e favorshme për shqiptarët kjo marrëveshje?
Mehmeti
: Kjo marrëveshje do të jetë e dobishme për shqiptarët e këtushëm po aq sa edhe gjitha të tjerat që u nënshkruan thuajse vetëm sa të kenë për çfarë të grinden politikanët e këtushëm. Është naive të presësh të mira nga një marrëveshje e përpiluar dhe e miratuar nga hajdutët e kriminelët që e sollën popullin dhe shtetin buzë greminës. Thjesht, kësaj pune i thonë: janë mbledhur hajdutët e kriminelët që të merren vesh si do ta shpëtojnë shtetin nga hajnia dhe krimi! Andaj gjitha këto marrëveshje kanë vetëm një qëllim: t’i shpëtojnë dhe t’ua shpërlajnë mëkatet politikanët kriminelë të regjimit DPMNE-BDI. Dhe, si të tilla, ato janë të vdekura që në çastin e nënshkrimit të tyre. Këtë e dinë edhe të huajt që ndërmjetësojnë gjatë nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve, por atë që ata nuk e dinë dhe nuk e kuptojnë dot, ka të bëjë me absurdin se si ky popull i voton edhe ata që kurrë nuk e kanë fshehur se janë ‘ma shkja se shkau’!?
Pra, këto marrëveshje kanë për qëllim relativizmin e krimit të përfaqësuesve të regjimit DPMNE-BDI, që pastaj ata qetë të mund ta harxhojnë atë që ia plaçkitën popullit. Dhe nëse këtë nuk e kanë kuptuar shqiptarët e Maqedonisë, atëherë ata do të përballen me plaçkitjen e radhës që do t’ua bëjnë po këta politikanët e tanishëm “konstruktivë”, që janë dukë u marrë vesh jo për atë se si duhet shpëtuar shtetin dhe popullin, por si ta shpëtojnë vetveten nga populli.
“Epoka e re”: Si do ta vlerësoni gjendjen aktuale politike të shqiptarëve në përgjithësi?
Mehmeti:
 Shqiptarëve të Kosovës dhe të Maqedonisë u ndodhi fatkeqësia që në vend se në duart e çlirimtarëve që e çlirojnë popullin dhe ndërtojnë shtet për popull, ranë në kthetrat e atyre që e privatizuan edhe lirinë dhe ndërtuan shtete për vetveten! Pra, shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë janë në duart e disa ‘çlirimtarëve’ që duan t’u takojë e pamundura: edhe lavdia e ‘çlirimtarit’, edhe hajnia e politikanit! Shqiptarët e Maqedonisë dhe ata të Kosovës tani janë duke u përballur me mposhtjen më të dhimbshme që mund t’i ndodhë një populli: me atë që e pëson nga ata që kurrë nuk e ke besuar se do të mund të të plaçkitin njësoj si edhe gjithë grabitqarët e huaj gjatë shekujve.
Në ndërkohë, Shqipëria e jeton periudhën kur politkëbërja dhe shtetbërja është kuptuar si mundësi që edhe bardi, edhe krimineli, edhe i ndershmi, edhe i pafytyri të vishet me petkun e politikanit dhe të vendosë për fatin e shtetit dhe të popullit. Andaj edhe Shqipëria ndodhet aty ku është sot dhe ngjanë si një lagje ku zhvillohet luftë e egër mes bandave për ta marrë atë nënë kontroll. Kamë frikë se Kosovën dhe Shqipërinë plotësisht i ka zaptuar nëntoka politike dhe se do të duhen të ndërmerren lëvizje shumë dramatike që shteti t’i kthehet popullit. Mbase nuk kam të drejtë, por kam përshtypjen se Kosova është tërësisht e kapur nga grupi ‘Pronto’ dhe për ta shpëtuar vendin nga kjo fatkeqësi, kosovarët do të përballen me situata dramatike.
“Epoka e re”: Mund të jenë shqiptarët më bashkëpunues me njëri-tjetrin?
Mehmeti:
 Politikanët shqiptarë do të bëhen më bashkëpunues vetëm atëherë kur ne shqiptarët do të jemi më kërkues ndaj tyre. Përderisa ndaj drejtuesve të “Shqipërive” tona ne sillemi si delja ndaj bariut, atëherë edhe do të kemi burrështetas për të cilët vlen thënia se, për dallim nga qentë, ata e lehin dhe e kafshojnë të vetin, por jargaviten dhe i lëpihen të huajit. Në ndërkohë duhet pranuar se për një bashkëpunim të mirëfilltë brenda botës shqiptare, ne kemi nevojë edhe për elita të tjera të shëndosha si, për shembull, për opinionbërës dhe intelektualë të cilët nuk do ta kenë mendësinë e këtyre të sotmëve, e të cilët nuk e mbajnë për hajdut politikanin që i vjedh të tjerët e na jep neve, por vetëm atë që na plaçkit neve për t’ua dhënë të vetëve. Të kuptohemi: në ‘Shqipëritë’ tona nuk është e kalbur vetëm shtylla politike, por edhe të gjitha të tjerat që e mbajnë në këmbë një shoqëri dhe një popull.
“Epoka e re”: Në Kosovë procedimi për në Kuvend i marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi ka tensionuar sërish situatën politike. As pozita dhe as opozita nuk po lëvizin nga qëndrimet e tyre.
Mehmeti
: Nëse e gërvishtni sipërfaqen e mosmarrëveshjeve në mes të opozitës dhe pozitës, do ta shihni plagën e vërtetë që e mundon Kosovën: frustracionin e nxitur nga vetëdija se shteti është bërë pronë private e grupit ‘pronto’. Dhe para se të merren me miratimin e marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, deputetët e Kosovës do të duhej t’i tregonin grupit ‘pronto’ sa thellë ka hyrë në ‘territorin’ që nuk u takon atyre dhe për çfarë ata duhen ndëshkuar. Në ndërkohë, deputetët e Kosovës do të bënin mirë sikur ta ‘ratifikonin’ edhe ‘kufirin’ që nuk do të mund ta kalonin shërbëtorët e së djeshmes millosheviqiane, për t’u bërë drejtues e së sotmes kosovare. Kjo duhet bërë sa më shpejt, ngaqë shkaku i mospërcaktimit të këtyre kufijve bazë, burrështetasit e Kosovës janë shumë të përshtatshëm për fqinjët, por shumë të dëmshëm për shtetin dhe popullin që e drejtojnë,

“Epoka e re”: Votimi për ratifikimin e kësaj marrëveshje pritet të ndodhë më 1 shtator. Ju si e shihni zgjidhjen e kësaj çështje?
Mehmeti:
 Do të doja që më 1 shtator të mos votohet për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, por të bëhet miratimi i ‘marrëveshjes’ që do ta nxjerrë Kosovën nga balta ku e kanë futur hajdutokratët e tanishëm që atë e drejtojnë. Përndryshe, Kosovës do të mund t’i ndodhë diçka edhe më e rrezikshme sesa të mos i ketë të definuara kufijtë shtetërorë: të kalbet nga brenda!