FOTOT/ Pamjet fantastike nga malësia e Shebenikut

Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë, i shtrirë në mijëra hektarë pasuri të paprekura natyrore po zbulohet rishtas në guidat turistike s...


Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë, i shtrirë në mijëra hektarë pasuri të paprekura natyrore po zbulohet rishtas në guidat turistike shqiptare, por tradita e barinjve rrezikon të braktiset nga të rinjtë.
Nga Vladimir Karaj
Varri i Xheladin Qoshit gjendet në një livadh pranë rrugës për në Qafë- Kusar. Këtu ka vdekur dhe i biri. Nipi i tij, Qamil Qoshi veron në mal që prej fëmijërisë. “Sa jam ngrit n’kom,” thotë burri nga Zgoshti i Librazhdit.
Familja e tyre jeton brez pas brezi në ketë copë të Malit të Shebenikut, 1800-2000 metra mbi det. Stanin, një kasolle e vogël guri dhe vathët e bagëtive rreth tij e kanë ngritur rrëzë një shkëmbi të bardhë. Ujin e marrin prej një burimi aty pranë. Orenditë janë trungje të prera pemësh dhe stola të sajuar me dërrasa. Shtëpia e vogël ka një përzierje mes aromës së bulmetit dhe asaj të malit.
Vargmali Shebenik-Jabllanicë në lindje të Shqipërisë-park kombëtar që prej vitit 2008 kthehet prej shekujsh në verë strehë për stanet, barinjtë e baxhoxhinjtë, që kalojnë aty gati më shumë se gjysmën e vitit. I vështirë për t’u arritur për mungesë të rrugëve të mira, ai ruan më shumë se 33 mijë hektarë pasuri natyrore të panjohura të Shqipërisë.
Vargmali nis pranë liqenit të Ohrit dhe shtrihet në Veri deri në Dibër, i mbushur me pyje të dendur ahu dhe një sërë liqenesh akullnajore. Kreshta e Jabllanicës ndan Shqipërinë me Maqedoninë; dy majat më të larta të parkut shkojnë në 2260 metra nga niveli i detit- Shebeniku dhe 2265 metra -Jabllanica.
Barinjtë janë thuajse të vetmit banorë të mijëra kilometrave gjelbërim dhe natyre të virgjër. Ata ngjiten aty me tufat e tyre apo bagëti të mbledhura nga fshatrat e zonës dhe kalojnë gati gjysmën e vitit.
Por tufat kanë filluar të rrallohen, ndërsa barinjtë i kanë harruar zakonet e vjetra të fyellit e krrabës.
“Baba im i ka në shtëpi, ai mund t’i bjerë fyellit,” thotë Urim Biçaku, një tjetër bari i ngulur disa kilometra larg stanit të Qamil Qoshit.
Celularët- edhe pse vështirë të kapin valë janë shoqërues të rinj në një botë që ndryshon ngadalë, ashtu si format e gurëve të latuar prej motit.
Rrugë e Draganit
Në një të shtunë gushti, banorët janë mbledhur për festën e Lunikut në një pllajë të Shebenikut. Festa-një takim i të ikurve që kthehen për t’u çmallur dhe atyre që jetojnë ende këtyre anëve është një traditë e re e viteve të fundit.
Një grup natyralistësh hollandezë, pjesë e Shoqërisë Hollandeze të Gjitarëve i bashkohen festës së mishit të pjekur, rakisë dhe djathit të staneve. Ata gjenden prej ditësh në park, në një ekspeditë për regjistrimin e gjitarëve të rrallë.
Vargmali Shebenik-Jabllanicë është shtëpi për rrëqebullin, një “tigër i vogël ballkanik” në rrezik zhdukje, kaprollin, dhinë e egër dhe një sërë kafshësh të tjera të rralla.
Festa ndizet nga një DJ që luan kryesisht tallava, ndërsa një grup daullexhijsh i bien muzikës popullore të zonës, sipas kërkesave. Tingujt përzihen e ndonjëherë duket sikur kacafyten për të drejtuar hapat e valltarëve, në një lirishtë gati sa 10 fusha futbolli.
Për ata që nuk kërcejnë, dy kilometra larg është Shpella e Akullit. Jashtë është 36-37 gradë celsius, por përtej pragut të shpellës ndjen të rrëqethesh prej freskisë.
“Më thellë është më ftohtë,” na thonë banorë të zonës. Ajo është vetëm një prej shpellave mahnitëse në këto anë.
Lutfi Karaj ka krijuar me stanin një biznes familjar, pak metra larg vendit ku zhvillohej festa. Jo më shumë se një kilometër larg tij, Xhaferr Kullafi, një baxhoxhi ka ngritur stanin e tij. Ai mbledh bagëti të zonës dhe ka punësuar barinj, ndërsa merr qumështin për të prodhuar bulmet. Zona në fakt nuk është e famshme për prodhimet e djathit. Kullafi thotë se djathi që ata prodhojnë mbërrin në treg me emra të tjerë si i “Gjirokastrës” apo i “Tepelenës”, edhe pse ai do të donte të kishin një markë të tyren.
Rruga drejt Draganit kalon përbri një liqeni artificial në Fushë Studen-pika e fundit e banuar në këtë anë të malit. Rruga, me gjasë e rrahur për shekuj me rradhë përmendet në këngë epike të Çermenikës, si një prej shtigjeve që priste shkurt Egnatian dhe lidhte Lindjen me Perëndimin.
Për rrjedhojë, çdo gur apo shkëmb aty mbart një legjendë thesari. Isa Allkja, një bari 21 vjeç është i bindur që shumë prej thesarkërkuesve që gërmuan në këto anë pas viteve ’90 u bënë të pasur. Si shumë banorë të zonës, edhe ai është rritur me historitë e karvanëve dhe thesareve të fshehura, “me kurban” për të mos u gjetur kurrë.
Për herë të dytë ndaluam në Liqenin e Draganit (Zgoshtit) i mbuluar prej një myshku në ngjyrë të kuqe. Ai është vetëm një prej 9 liqeneve akullnajorë e karstikë të Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë.
Liqenet, si edhe parku vetë nuk njihen më shumë se pak rrjeshta në Gjeografinë e vendit, por kjo mund të ndryshojë shpejt. Administrata Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe organizata joqeveritare të mjedisit si PPNEA janë në punë e sipër për të kthyer zonën në atraksion turistik. Ato kanë për synim edhe ruajtjen e parkut dhe të specieve brenda tij.
Një projekt i fundit ka shënuar një pjesë të shtigjeve, ndërtuar sheshpushime e çezma guri për udhëtarët. Turizmi malor ekologjik mund të jetë e ardhmja e zonës dhe një mundësi ekonomike për banorët.
Drejtor i Administratës të Zonave të Mbrojtura të qarkut Elbasan, Fatmir Brazhda thotë se sfida e tyre është ta bëjnë të njohur parkun dhe të nxisin banorët e bizneset në krijimin e “guest houses” për të pritur turistë.
Një natë në stan
Ramazan Biçaku, baxhoxhi thotë se e njeh malin që 5-6 vjeç. Ai ka 40 vjet që ngjitet për verim në mal. Me origjinë nga Qarrishta e Librazhdit, fshat i vendosur në një pllajë të malit, ai tregon se zanatin e ka trashëguar brez pas brezi. Më pas ka bërë edhe shkollë të posaçme.
Prej më shumë se një dekade, Biçaku blen qumështin e barinjve të zonës dhe jeton mes tyre në baxhon e ngritur me dru e blloqe në mes të pyllit të ahut. Megjithatë, pak kush e njeh këtë zonë për djathin e saj.
Nga liqeni deri tek baxhoja e Ramazan Biçakut, ku bujtëm natën është edhe 45 minuta me makinë. Biseda në tavolinën e mbushur me djathë që ruan aromën e malit vërtitet rreth punëve aty, mundësive dhe problemeve. Rruga është e para. Energjinë elektrike një pjesë e staneve dhe baxhove e kanë siguruar përmes paneleve diellore. Ramazani thotë se ata janë të interesuar të investojnë më shumë, por ende është e vështirë të sigurojnë financime.
Për këtë sytë i kthejnë nga shteti. Mungesa e përkrahjes deri tani sidoqoftë nuk i ka “trembur”. Pjesa më e madhe e staneve po përmirësojnë si munden infrastrukturën. Banorët e tyre i kanë këto shtëpi të dyta, ku kalojnë gjysmën e vitit. Ramazani thotë se e ka përmirësuar pak e nga pak ndërtesën, që tani ka pamjen e një shtëpie të rehatshme mali. Mbi oxhakun e njërës prej dy dhomave janë foto të tij dhe të atit, duke përpunuar qumështin.
Bri shtëpisë është baxhoja, plot enë e paisje përpunimi. Të gjitha janë inoksi. Baxhoxhiu thotë se ky është një kapërcim i mirë. Enët janë më të pastra dhe më komode, por 50 –vjeçarit i qan zemra edhe sot për fuçitë e drurit.
“Nuk bën më njeri nga ato,” kujton ai, ndërsa thotë se druri e ruan më mirë djathin. I freskëti i malit dhe ndonjë gotë raki të ndihmojnë ta bësh gjumin të qetë.
Herët në mëngjes, Isa Allkja nis të marrë qumështin prej dhive. Ulur në një trug në vathën e tij, ai i pret ato njëra pas tjetrës. Kafshët duket sikur e dinë rradhën, ndërsa zhurma e qumështit dhe ajo e këmborëve janë të vetmet që dëgjohen në mëngjes.
Isa Allkja është ngjitur me tufën e parë në mal kur ishte vetëm 13 vjeç. Paguhej 15 mijë lekë, aq sa i jep sot bariut të keçave që i kujton veten.
Një vit më parë, ndryshe nga sa bëjnë bashkëmoshatarë të tij ai vendosi të shpenzonte 4 milionë të vjetra që të kishte tufën e vet.
“Shumë më thoshin të mos e bëja, por unë thashë ta provoj një herë”, tregon i riu.
Ai e fillon ditën herët në mëngjes dhe e mbyll vonë në darkë. Dy herë në ditë mjel dhitë në vathën pranë baxhos. Qumështi shkon menjëherë në përpunim për djathë në baxhon e Ramazanit.
Rruga e planifikuar kalon nga njëri stan në tjetrin. Isa i njeh të gjithë barinjtë, siç njeh edhe bimët e malit.
Braktisja për vite me rradhë ka dëmtuar një sërë rrugësh të hapura dikur prej ushtrisë apo prej makinave të trupave, që kanë shfrytëzuar në kohën e diktaturës dhe ca më vonë ahishtën. Për fat, pylli ka filluar ta marrë veten.
Pylli i ri dallohet me sy të lirë prej atij të vjetrit, ndërsa ecën mes për mes malit. Ipshta- siç i thonë banorët ahut të vogël, është e hollë, e bardhë dhe e shpeshtë, aq sa ndonjëherë është e vështirë të kalosh mes saj. Drurët e vjetër qëndrojnë si monarkë mes ipshtës së re. Do të duhen dhjetra, në mos qindra vjet që ahishta e re të zëvendësojë pyllin madhështor që mbajnë mend barinjtë e vjetër.
Braktisja e të rinjve
Pas Ahishtës është stani i Qamil Qoshit; ai sapo është kthyer prej kullotës. I biri, Leonardi, student i Gjeo-Mjedisit në Tiranë ka ardhur për ta shoqëruar në pak ditë. Por ai nuk ka ndërmend të rrijë gjatë në mal. Të paktën jo aq sa për t’u mësuar me të.
Leonardi buzëqesh lehtë kur e pyesim nëse ka ndërmend të vijojë traditën. Ndoshta, historia e familjes me burra që rriten e pushojnë deri në frymën e fundit maleve, do të ndalojë këtu. Qamili nuk është shumë i shqetësuar për këtë për momentin.
Megjithëse e do malin dhe ia njeh bukuritë, jetën aty ai e përmbledh shkurt: “taksirat”. Këtë vit, Qamil Qoshi ka një tufë të vetën me 60 kokë dhe mbi 300 të tjera i ka mbledhur në fshatra.
Më herët, barinjtë që mblidhnin bagëtitë në fshatra u kthenin fshatarëve një pjesë të bulmetit. “Nëse delja kishte një lugë gjelle qumësht, atëherë pronari i saj merrte dy kile gjizë dhe një kilogram gjalpë mali”, tregon Hazis Kujtila.
67-vjeçari është rritur në mal, por ka vite që nuk ngjitet më atje edhe pse ka nostalgji. Tani pazari është ndryshe. Barinjtë e shesin qumështin në baxhot e ngritura pranë staneve, ndërsa fshatarët marrin një tufë të majmur në dimër dhe heqin prej vetes barrën e të kulloturit në verë.
Shumë gjëra të tjera kanë ndryshuar prej kohës kur Hazisi ishte bari në mal. Fyelli- kujton ai nuk ishte vetëm për muzikë.
“Këmborët dhe fyelli i bariut bëheshin bashkë. Kjo bënte një muzikë të veçantë,” thotë ai.
Një orkestër që shërbente jo vetëm për të kaluar kohën, por edhe që delet të mos largoheshin prej vendit ku qëndronte çobani.
Vitet e fundit, pak njerëz janë të interësuar të bëjnë këtë punë. Kuturmani, fshati i Hazisit ka të paktën 10 vjet që nuk shkon më në kullotat që i ka fituar, sipas legjendës, në një betim të rremë.
Alfonsi, një “djalë shpikës” i malit gjithashtu nuk ka ndërmend të rrijë gjatë aty. Ai është mekanik, edhe pse nuk ka studiuar për mekanikë. I vjen doresh aq sa me një kaçavidë mund të rregullojë bravën e njërës derë të makinës, që u prish rrugës. Është një kositës i mirë dhe e mban shpinën drejt siç duhet. Por Alfonsi po bëhet gati të ndërtojë një shtëpi në Durrës.
Burrat e malit janë të shqetësuar për këtë braktisje të vazhdueshme.
Urim Biçaku, bari e po ashtu baxhoxhi shpreson shumë që situata të ndryshojë. Ashtu si Ramazani dhe Qamili, ai është rritur në mal dhe të njëjtën traditë po e ndjek me fëmijët e tij.
Djali i tij i tretë dhe më i vogli hedh i pasigurt hapat, duke u mbajtur në orenditë e pakta të dhomës së pritjes së stanit. Është ngritur në këmbë në mal dhe po këtu është përkundur në djepe. Dy të tjerët, të rritur në këtë pjesë të Shebenikut tani mund të vrapojnë lirishtave pas deleve e qenve të stanit.
Urim Biçaku është ndër të rrallët që vazhdon traditën e vjetër. Shumë të tjerë kanë hequr dorë prej kësaj zone.
Këtë verë në stanet e malit dhe zonat për rreth tyre ka gati 10 mijë krerë bagëti, kryesisht të imëta. Ramazan Biçaku thotë se mali ka hapësirë për edhe disa mijëra krerë të tjerë.
“S’ka kush merret më me to (bagëtitë)”, thotë Biçaku, ndërsa tregon se Qarrishta, një fshat që është marrë kryesisht me blektorinë ka tani vetëm 40 shtëpi nga 200 që ka pasur më herët.
Ai kujton se vetëm familja e tij dikur kishte mbi 800 kokë bagëti dhe 63 pjesëtarët e saj kujdeseshin për to. Fshati tregtonte atëherë bulmet nga Struga deri në Elbasan. Tani mali është gati i shkretë edhe pse disa stane popullojnë pjesë të tij.
Urimi kujton se më herët kur fyelli i çobanit binte mbi fshat, vajzat shkonin e mblidheshin atje. Djemtë e rinj që takuam kanë një farë droje të tregojnë për punën që bëjnë.
Fundi i udhëtimit është një shkëmb prej nga mund të shohim gjysmën tjetër të malit, që nuk mund ta prekim me këmbë. Panorama është frymëmarrëse. Lugina me një të blertë të fortë duket sikur mban në peshë mjegullën që sapo është çuar. Ohri është një vezullimë e largët në fund të gjelbërimit. Përballë kreshtat e Maleve të Kuqe, siç i njohin lokalisht. Era në ahishtë është muzika e vetme. Fyejt e bariut ka kohë që nuk dëgjohen.







Related

Shqipëria 1214684414590944678

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item