Fethullah Gulen për CNN: Nëse një akuzë e vetme vërtetohet, le të më varin (VIDEO)

Fethullah Gulen ka rimohuar përfshirjen e tij në grushtin e shtetit të dështuar në mesin e muajit korrik në  Turqi . Madje, sipas tij, ...


Fethullah Gulen ka rimohuar përfshirjen e tij në grushtin e shtetit të dështuar në mesin e muajit korrik në Turqi. Madje, sipas tij, grushti i shtetit në Turqi“duket më shumë si një film i Hollivudit se sa një grusht shteti ushtarak”.

Në këtë drejtim, në një intervistë për CNN, nën pyetjet e Fareed Zakaria, ai ka bërë thirrje që një organizatë ndërkombëtare të bëjë hetimet rreth pretendimeve të qeverisë të cilat e lidhin atë me një përpjekje për grushtshteti.

“Le të lemë një organizatë ndërkombëtare ta hetojë këtë. Nëse një akuzë e vetme vërtetohet, nëse një bisedë telefonikë apo një dokument vërteton se organizimi u bë nga unë, atëhere unë vetëofrohem të ndëshkohem, le të më varin në çast. Por, unë flas me sinqeritet, se nuk kam gisht në këtë që ndodhi në Turqi”.

Veç këtyre, i pyetur nëse ai kishte një mesazh për Erdogan, Gulen ka thënë: “Unë vetëm lutem që ai të mos shkojë para Zotit me gjithë këto mëkate që ka kryer”.

Grushti i shteti i 15 korrikut mori jetët e 270 njerëzve në Turqi, duke përfshirë dhe 24 të akuzuarit për komplot. Pas tij gjithashtu u bë një valë e arrestimeve, ndalimeve dhe përjashtimeve të të dyshuarve për ndonjë përfshirje.

Më poshtë intervista e plotë:

Z. Gylen, ju falënderoj që jeni sot me ne.

Më duhet mua që t’ju falënderoj.

Më lejoni t’ju pyes për grushtin e shtetit. Kryeministri i Turqisë është shprehur zyrtarisht se ka një lidhje të drejtpërdrejtë personale mes jush dhe atyre që kanë planifikuar grushtin e shtetit atje. Cili është reagimi juaj?

Nëse ekzistojnë mundësitë, le të ngrihet një komision ndërkombëtar hetimor dhe ta shqyrtojë deri në imtësi këtë çështje. Ua kam shprehur të gjithëve në mënyrë verbale, se nëse ekziston qoftë edhe një bisedë telefonike e vetme, apo ndonjë provë tjetër të mirëfilltë që provon edhe një të dhjetën e kësaj akuze, unë do ta ul kokën dhe do të them: “Ata thonë të vërtetën. Le të më kthejnë dhe të më dënojnë me varje.” Mirëpo, jua them pa fijen më të vogël të dyshimit, se nuk kam pasur asnjë lloj komunikimi me njeri, madje as bisedë telefonike. Tani, në prapavijë, mund të mendosh se ka simpatizantë apo njerëz që shfaqen si të tillë, naivë, që mund të kenë rënë në kurth, apo u është ushtruar trysni për të thënë kështu në këmbim të ndonjë premtimi. Jo vetëm që nuk di gjë, por nuk di as ç’të them. Sidoqoftë, tipari më dallues i një veprimi të nxitur prej mllefit është se, menjëherë një ditë pas përpjekjes për grusht shteti, me mijëra njerëz u larguan nga detyra. Kjo tregon haptazi se ata kanë qenë të etiketuar që më parë dhe nevojitej vetëm një skenar për të përligjur një operacion të tillë. Mendimi jotendencioz të shtyn të mendosh kështu.

Kryeministri dhe njerëzit përreth tij kanë ngritur tani një akuzë shumë specifike, sipas së cilës organizatorët e grushtit të shtetit morën peng shefin e shtabit të përgjithshëm dhe i thanë se mund ta lidhnin drejtpërsëdrejti në telefon me ju, ndërsa ju do ta bindnit atë që të dilte në mbështetje të grushtit të shtetit. Është e vërtetë kjo, apo kishit ju një mesazh për shefin e shtabit të përgjitshëm, apo donit ju që të komunikonit njëfarësoj me të…?

Zoti më ruajtë! Zoti më ruajtë! Nëse unë kam dashur të lidhem me shefin e shtabit të përgjithshëm, duhet të dalë dikush që ta pyesë atë nëse ka folur në telefon me mua. Apo a ka marrë gjë ndonjë mesazh nga unë. Apo a i kam dërguar gjë ndonjë gjë me shkrim, apo nënshkruar ndonjë dokument. Unë e njoh atë veçse në distancë. Me aq sa e njoh, edhe pse nga distanca, ai është një njeri me dinjitet. Nuk besoj se do të thoshte diçka që do të binte ndesh me të vërtetën. Nga kjo pikëpamje, do të ishte më me vend që të pyetej ai në lidhje me prapavijën e diçkaje të tillë. Dhe, nëse kjo del se është e vërtetë dhe ka qenë me të vërtetë dikush që është përpjekur ta fusë në kurth duke stisur një skenar të tillë, atëherë kjo çështje duhet të hetohet. 

Po kush mendoni ju se qëndron pas këtij grushti shteti?

Për mendimin e disave kanë qenë ultra-nacionalistët që e kanë planifikuar dhe kanë nxjerrë në krye një varg njerëzish me profil fetar, në mënyrë që të mund t’i demonizonin mandej, me shpresën se kjo do të mirëpritej me bujë nga ana e masës e popullit. Në fakt, qe vetë presidenti që “kjo ishte një dhuratë nga Zoti për ne. Këtej e tutje ne mund të bëjmë me lehtësi ç’të duam.” 

Ju thoni se mund të ketë qenë vetë Erdogani që e ka planifikuar vetë fshehtazi këtë grusht shteti?

Unë e konsideroj shpifje dhe përgojim një akuzë të tillë, edhe pse mund të jetë armiku im i përbetuar që kërkon të më pijë edhe gjakun, unë t’i kujtoja vetes Zotin dhe do t’ia ndaloja vetes që të bëja një akuzë të tillë. Unë jam i vetëdijshëm që do të dal një ditë përpara Zotit për të dhënë llogari.

Mirëpo ju nuk e mohoni që shumë nga njerëzit e përfshirë mund të kenë qenë simpatizuesit tuaj, apo të ideve tuaja…

Mund të ketë pasur edhe nga ata që ndiejnë simpati për mua, por unë do ta cilësoja veprimin e tyre si tradhti ndaj atdheut. Do t’i konsideroja si shkelës të ideve të mia, të cilat unë i kam shprehur përgjatë gjithë jetës sime. Sepse kam qenë unë i ngrati që e kam pësuar më shumë në secilin prej grushteve të shtetit që kanë ndodhur në vendin tonë. Gjithnjë kam qenë kundër grushteve të shtetit, përderisa jeta ime ka kaluar pothuajse nën ndikimin e pasojave të tyre. Bindja ime është se asgjë e mirë nuk do të vinte nga një grusht shteti. Ato shkaktojnë veç përçarje, ndasi, çoroditje, duke i kthyer njerëzit në armiq të njëri-tjetrit. Kjo armiqësi do të ndikonte edhe te brezat e ardhshëm, njësoj siç po ndodh sot në Turqi. Prandaj, ashtu siç e kërkon buonsensi, duke qenë përherë kundër grushteve të shtetit dhe duke qenë se i kam mallkuar gjithnjë ato, unë do t’i dënoja ashpër të gjithë ata që përfshihen në një grusht shteti, vënë në rrezik demokracinë e vendit, lirinë dhe republikën. I mallkoj, kjo është bindja ime kryesore. 

Qeveria ju akuzon ju se keni ndërtuar një “shtet paralel” brenda shtetit; se keni një rrjet shkollash që u bëjnë njerëzve “shpëlarje të trurit”; se ju keni njerëzit tuaj në burokraci, të cilët janë simpatizues tuajët. Se ju keni njerëzit tuaj në sistemin gjyqësor, që janë po ashtu simpatizuesit tuaj dhe se ju keni njerëzit tuaj edhe në ushtri, që ju simpatizojnë. Dhe se kjo përbën një rrezik për shtetin turk.

Po, është më se e natyrshme për qytetarët e një vendi që ata të emërohen në pozicione të rëndësishme të institucioneve të tyre. Ata janë pjesë e popullit turk dhe si të atillë e shohin veten. Ata e cilësojnë veten si njerëz të Anadollit dhe ne jemi të gjithë njerëz të Anadollit. Ai vend u takon edhe të tjerëve që mund të ndiejnë simpati për ty, po aq sa u takon edhe të tjerëve. I njoh unë apo jo, kjo është një çështje tjetër. Unë nuk mund ta di se kush është vendosur në cilin pozicion. 


Por të jemi të qartë, pretendimi i qeverisë është se ju keni kaq shumë njerëz në burokraci, në ushtri dhe në sistemin gjyqësor, të cilët janë besnikët tuaj, të asaj çka ju përfaqësoni dhe ata po përpiqen të destabilizojnë qeverinë e Erdoganit, ndërsa ju thoni se kjo nuk është e vërtetë. 
Unë nuk besoj se është e mundur. Siç e shpreha që në fillim, ngjan si një skenarizim ku janë bërë përpjekje që të ketë pasur të tillë të përfshirë në këtë mes. Ngjan më tepër me një film hollivudi se sa me një grusht shteti. Ngjan si një skenar i hartuar nga vetë shteti. Kjo mund të kuptohet prej asaj që kemi parë më vonë. Dikut sikur ata janë përpjekur të krijojnë një terren të mundshëm që do t’u lejonte të bënin gjithçka që kishin planifikuar që më parë të bënin. Jua them me bindje të plotë, unë nuk po përpiqem që të arrij në ndonjë përfundim. Nuk po bëj kurrfarë deklarate përfundimtare. Kjo është vetëm ajo që ngjan të jetë duke ndodhur. 

Ka një sondazh, një sondazh rreth mendimit për ju në Turqi, sipas të cilit, për shumicën e popullit turk jeni ju ai që fshiheni pas këtij grushti shteti. Shumica, një shumicë shumë e madhe e njerëzve mendojnë se ju duhet të ktheheni në Turqi dhe të përgjigjeni përpara ligjit. Si ju bën kjo të ndiheni?

Kur i është mbyllur goja çdo lloj organi mediatik opozitar, duke mos u lënë as edhe një e vetme dhe shteti ka nën kontroll çdo organ në vend, të cilët i japin zë dhe propagandojnë vazhdimisht të njëjtën gjë nëpër radio, televizione, gazeta dhe revista, është krejt e natyrshme që të ketë një opinion publik të tillë në Turqi

A do ta mendonit ju kthimin tuaj në Turqi?
Kthimi në Turqi do ta ndërlikonte edhe më shumë këtë çështje, duke e kthyer atë në një problem të pamundur për t’u zgjidhur. Ata do të bëjnë çmos për këtë, por sikur të jepnin prova për vetëm një të dhjetën e atyre që thonë apo pretendojnë! Por kthimi im me forcë, s’kam se ç’të them më shumë për këtë. E rëndësishme është e bëjnë apo jo dot ata diçka të tillë nëpërmjet rrugëve ligjore dhe unë mendoj se diçka e tillë nuk ka për të ndodhur, me lejen e Zotit.

Cili është mesazhi juaj për presidentin Erdogan?
Uroj që të mos shkojë para Zotit me kaq shumë mëkate që ka kryer.

Z. Gylen, faleminderit shumë!

Zot më ruaj! Më lejoni t’ju falënderoj unë. Ata nuk kanë lënë gjë pa thënë, por nëse kam lënduar kënd me fjalët e mia, u kërkoj ndjesë.

Fareed Zakariya: Ishim me Fethullah Gylenin, klerikun që Turqia e kërkon të ekstraduar një orë e më parë nga ekzili i vetëzgjedhur në Pensilvani. Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë është shprehur se populli turk mendon se ka qenë pikërisht kleriku turk shkaktari i gjithë kësaj dhe, nëse SHBA-të nuk e kthejnë atë në Turqi, ky refuzim do të ketë pasojat e veta në marrëdhëniet midis dy vendeve. Më lejoni t’ju kujtoj se ne kërkuam që të fluturonim drejt Turqisë për ta dëgjuar prej presidentit Erdogan pjesën tjetër të kësaj historie, mirëpo zyra e tij e refuzoi kërkesën tonë.

Related

Intervista 6650520882140709055

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item