Ballina Aktualitet Eshtë “tradhëti” nëse futbollistët e Kosovës nuk luajnë për Kosovën

Eshtë “tradhëti” nëse futbollistët e Kosovës nuk luajnë për Kosovën

SHPËRNDAJE
Enver Bytyçi


Gjithçka kisha pritur në diskursin e Andi
Bushatit dhe disa të tjerëve kur ata bëjnë komente, por nuk kam menduar kurrë
se ata mund ta përdorin ndonjëherë fjalën “tradhëtar”. Në një koment të botuar
te Koha.net Bushati e ka cilësuar Milot Rashicën si “tradhëtar të mërzitur”.
Dhe jo vetëm kaq, ai luan dhe tallet me prindët e Rashicës për emrin që i kanë
vënë të birit, për të shprehur më në fund shqetësimin e tij që po largohen nga
kombëtarja e Shqipërisë.
Nuk dua të abuzoj me interpretime dhe
arësyetime pse Bushati sillet kësisoj për herë të parë në jetën e tij
publicistike. Por për një gjë jam i sigurt: Andi Bushati e urren përdorimin e
fjalës “tradhëti” për shumë e shumë arësye. E përdori këtë sot kundër talenteve
të futbollit shqiptar që kanë vendosur të luajnë për kombëtaren e Kosovës dhe
këtë e shoh si një akt të paprecedent cinizmi dhe poshtërsie. Më poshtë dua që
ta argumentoj këtë arësyetim:
Së pari, asnjë nga lojtarët e kombëtares së
Shqipërisë me origjinë nga Kosova nuk ka qenë shtetas i Shqipërisë para se të
luante me fanellën kuq e zi. Ata janë produkt i shkollës europiane të
futbollit. Ata janë marrë të gatshëm prej andej, pa investuar asnjë cent për
ta, për t’i përdorur në emër të flamurit, por jo në emër të atdheut.
Së dyti, nga kjo që thashë më lart më del
përpara një dilemë: Kush është më i rëndësishëm atdheu apo flamuri? A do të
kishte flamur pa atdhe? Dhe prej këtej do të shkoja te përfundimi tjetër: Kë
kanë atdhe lojtarët e Kosovës që luajnë me kombëtaren e Shqipërisë. Shqipërinë
apo Kosovën? Atdheu im është vendlindja ime. Prej këtu fillon e zgjerohet
rrezja e atdheut deri në kufijtë shtetërorë e më pas deri në kufijtë etnikë.
Por nëse nuk do të kisha një vendlindje, e cila të më lidhë pas saj përmes
kujtimeve, përmes familjes së madhe, të atyre që jetojnë e atyre që nuk
jetojnë,  ndjesia ime për atdheun e për
kombin nuk do të ishte kjo  që është sot.
Kësisoj duhen gjykuar edhe furbollistët e Kosovës. Atdheu i parë i tyre është
vendlindja, Kosova, pastaj vjen Shqipëria. Nëse nuk do ta duan Kosovën, ata nuk
kanë për ta dashur as Shqipërinë.
Së treti, nga ajo që shpjegova në pikën e
dytë rrjedh dhe logjika e shërbimit që i duhet bërë atdheut. Unë shtroj
pyetjen: Këta futbollistë, Rashica, Shala, Meha etj i shërbejnë kombit më mirë
duke luajtur me kombëtaren e Kosovës, apo me kombëtaren e Shqipërisë?!
Argumenti im shkon në favor të lojës për Kosovën. Pse? Ne pamë në rastin e
Majlinda Kelmendit se sa e rëndësishme është që Kosova të shfaqet me dinjitet
në opinionin ndërkombëtar. Nëse futbollistët e kombëtares së Shqipërisë me
origjinë nga Kosova shkojnë e luajnë për Kosovën, atëherë është plotësisht e
mundëshme që ata ta çojnë këtë kombëtare në kampionatin botëror të futbollit të
vitit 2018 që luhet në Rusi. Eshtë njëmijë herë më mirë që në këtë kampionat të
përfaqësohet Kosova sesa Shqipëria, sepse Kosova ka nevojë njëmijë herë më
shumë sesa Shqipëria të promovohet si shtet e të bëhet pjesë e organizatave
ndërkombëtare, përfshirë OKB-në. Unë nuk them se Prishtina ze vend në OKB
thjesht nga fama që merr vendi prej skuadrës së kombëtares së saj. Por kjo do
të ishte një sfidë kombëtare shumë herë më e madhe sesa loja me kombëtaren e
Shqipërisë.
Së katërti, unë nuk i përkas atyre që
besojnë si në kohën e diktaturës se “Një Shqipëri e fortë (edhe në futboll) do
të thotë një Kosovë e fortë. Përkundrazi, për mua “një Kosovë e fortë”,
konkuruese dhe e denjë për sukses mbarëbotëror, do të ishte një ndihmë e madhe
edhe për Shqipërinë. Jam nga ata që kam shfletuar dhjetramijë dokumente e
botime për shqiptarët në Gjermani e Austri. Ju them me përgjegjësi se dy të
tretat janë për Kosovën, vetëm një e treta ose edhe më pak shkruan e flet për
Shqipërinë. Kosova ka një rëndësi politike e strategjike shumë më të madhe ses
Shqipëria. Kosova në të ardhmen do ta tërheq Shqipërinë drejt suksesit më shumë
sesa e ka bërë këtë ose do ta bëjë në të ardhmen Shqipëria. Dhe Bushati e di se
Shqipëria ka patyur vëmendje të veçantë në aspektin ndërkombëtar në këtë
njëçerek shekulli, kryesisht për shkak të Kosovës. Atëherë pse duhet të jemi
kaq driteshkurtër dhe të shkruajmë nisur nga interesa të caktuara mediokre ose
më keq akoma korruptive?!
Së pesti, për Kosovën është investuar shumë
që ajo të bëhet pjesë e FIFA-s dhe UEFA-s. Këto dy federata nuk mund të njohin
një kombëtare për dy shtete. Në të kundërt, pse duhej investuar për pranimin e
Kosovës në FIFA e UEFA?! Derisa nuk mund të ketë një kombëtare dhe
futbollistëve nga Kosova u duhet të zgjedhin, ata duhet me patjetër të zgjedhin
Kosovën. Nëse nuk zgjedhin Kosovën do të mund të shkonte ajo fjala magjike që
Bushati nuk e ka përdorur kurrë në jetën e vet në kuptimin real të saj, pra
fjala “tradhëti”. Nëse përdorimi i kësaj fjale është bërë për të sensibilizuar
futbollistët e tjerë, që ata të mos braktisin kombëtaren tonë, unë marr guximin
të shkruaj me të madhe e të them me zë të lartë se futbollistët nga Kosova që
nuk do të luajnë me Kosovën do ta meritonin ndoshta këtë epitet. Prandaj u bëj
thirrje të gjithë lojtarëve futbollistë që luajnë më Shqipërinë, Zvicrën e kudo
tjetër, të regjistrohen me urgjencë në kombëtaren e Kosovës dhe të derdhin
gjithë talentin e tyre për të shkuar në botëror e për ta nderuar atdheun e tyre
në këtë event të jashtëzakonshëm.
 Të
gjithë këta, Etrit Berisha, Lorik Cana, Mërgim Mavraj, Arlind Ajeti, Berat
Gjimshiti, Debatik Curri, Amir Abrashi, Burim Kukeli, Migjen dhe Vullnet Basha,
Taulant Xhaka, Ermir Lenjani, Valdet Rama, e Shkëlzen Gashi, si dhe Xherdan
Shaqiri, Granit Xhaka e të tjerë në kombëtaren e Zvicrës, apo Januzaj do
dëshmonin patriotizëmin më të madh në jetën e tyre, nëse do të nisen e
mbërrijnë sa më shpejt në Prishtinë. Asnjë hezitim nuk duhet të kenë. U bëj
thirrje që të mos tundohen dhe të dyzohen nga komente e deklarata idiote, si
ajo e Andi Bushatit, port ë vendosin me shpejtësi e t’I japin Kosovës shpresën
e madhe të promovimit të vlerave që ajo ka.

Nuk po merrem me interpretimet e çeshtjeve
financiare, me të cilat merret Bushati në atë koment të tijin. Dua të them trod
he pa doreza: Vendi i lojtarëve nga Kosova është e duhet të jetë në kombëtaren
e Kosovës. Historia do t’i ndëshkojë, nëse ata do të bëjnë një zgjedhje tjetër!