Ballina Aktualitet DISA FAMILJE NË HASANBEG MBETËN PA KULM MBI KOKË (VIDEO)

DISA FAMILJE NË HASANBEG MBETËN PA KULM MBI KOKË (VIDEO)

SHPËRNDAJE

Pavarësisht se gjendja në Hasanbeg po normalizohet dhe në rrugët kryesore shumë pak dallohen gjurmët e vërshimeve, janë disa familje në brendësi të këtij fshati të cilët kanë mbetur pa kulm mbi kokë, për shkak se janë detyruar ti rrënojnë shtëpitë e tyre, të cilat kanë qenë shumë të dëmtuara si pasojë e vërshimeve, njofton SHENJA. Sipas banorëve, ata i kanë rrënuar shtëpitë pasi ato rrezikoheshin që të rrënoheshin vet.

Kështu është gjendja në oborrin e familjes Ibrahimi, ku deri para vërshimeve në këtë oborr ka pasur shtëpi në të cilën kanë jetuar 7 anëtarë.
Bekim Ibrahimi thotë se e gjithë ajo që kishin ndërtuar gjatë 40 viteve u shua brenda një nate dhe se ata kanë nevojë për ndërtim e një shtëpie të re, por shpresat e tyre tek qeveria janë minimale.
“Edhe pas vërshimeve, pas fatkeqësisë natyrore, shtëpia në të cilën kemi jetuar 40 vite me prindët dhe dy vëllezërit është dëmtuar shumë, patjetër jemi detyruar që ta rrënojmë shtëpinë. Komisioni i qeverisë ka qenë dhe i ka bërë vlerësimet, por asnjë përgjigje deri tash nuk kemi pasur. Më së shumti që na ka ndihmuar janë ambasada e Turqisë me personelin e vet, ata kanë ndihmuar shumë, mbi 80% të rrugëve dhe kanalizimin ata e kanë pastruar me kamionat e tyre dhe besoj që gjithë fshatarët janë falenderues ndaj ambasadës së Turqisë”, tha Bekim Ibrahimi.
Babai i Bekimit, Ismail Ibrahimi, rrëfen tmerrin që kanë përjetuar atë natë dhe i pa shpresë thotë se tashmë jetojnë me qira pasi nuk kanë ku të strehohen dhe nuk u ka mbet asgjë.
“Drutë, rrobat dhe gjithçka që patëm shkuan, kaluam tek shtëpia e kushëririt në katin e tretë se frigoheshim që uji po na kaplon. Duke dalur fëmijët filluan të qajnë, dhe filloi shtëpia të rrënohet. Rrobat e dimrit dhe drutë të gjitha i ka marrë dhe nuk e dim se ku i ka dërgu. Për momentrin vetëm këto mbathëse më kanë ngelur”, tha Ismail Ibrahimi.
I njëjti fat ka përcjellë edhe fqiun e tyre, Enver Ahmetin.  Kryefamiljari thotë se ishin të detyruar ta rrënojnë shtëpinë e tyre nga frika se mos ajo po rrënohet vetvetiu dhe gjithashtu kishin frikë se uji i cili  ishte grumbulluar në shtëpi dhe era e keqe që e kishte kapluar mund t’u shkaktonte familjarëve ndonjë infektim.
“Ka pasur vetëm 10 sekonda për të shpëtuar djali dhe mbesat. Vërshima e madhe i ka marrë muret dhe katet e shtëpisë. Kjo shtëpi ka qenë dy katëshe dhe uji ka depërtuar edhe në katin e dytë. U detyruam të lajmëroheshim në sipërmarrje, për të pyetur a ta rrënojmë shtëpinë. Ata na thanë që kemi të drejtë ta rrënojmë, por që fillimisht ta fotografojmë, që të mos vijë deri tek infektimi”, tha Enver Ahmeti.
Këto janë vetëm dy shtëpi  të cilët kanë mbetur pa vend strehim pas fatkeqësisë së dy javëve më parë. Ata  apelojnë që t’u dalin më ndihmë  sepse kanë mbetur pa kulm mbi kokë dhe  nuk munden që gjithmonë të banojnë me qira.
Emine Ismaili /SHENJA/


Disa familje në Hasanbeg mbetën pa kulm mbi kokë by tvshenjaofficial

Loading...