Burimi i dritës dhe Mjeshtri

Nga Rudina Xhunga Agron Dine është njëri nga tre musketjerët e  pikturës së Vlorës. Bashkë me Nestor Jonuzin dhe Skënder Kamberin bë...

Nga Rudina Xhunga

Agron Dine është njëri nga tre musketjerët e  pikturës së Vlorës. Bashkë me Nestor Jonuzin dhe Skënder Kamberin bëjnë treshen e famshme vlonjate që nuk ka penel t’i konkurrojë.
Kur e pyet, të thotë se janë plot të tjerë dhe zë i numëron emër për emër.
Por ai, ndryshe nga të gjithë, nuk e ka braktisur kurrë qytetin. Aty e nisi duke shkarravitur me kongjill rrugicat e Muradies, derisa e pa dikush dhe i thirri.
Agroni i vogël iku me vrap, se mos e ndëshkonin që bënte muret pis, por ai e ndoqi dhe e çoi prej dore në Shtëpinë e Pionierëve. Do bëhesh piktor i tha. Ke dorë.
Fati e mori prej dore, edhe kur nuk ia doli të fitojë në lice. Abdurrahim Buza ia dalloi dorën.
Herë i panjohur, herë mjeshtër, e herë gazetar, gjithmonë fati e ka gjetur sado Agroni të fshihej.
Në ’97 kur Vlora ishte në luftë, një gazetar spanjoll në kërkim të lajmeve, hyri gabimisht në shtëpinë e tij. Agroni ia hapi derën me helmetë në kokë dhe penela në dorë.
Po pikturonte,  por pat harruar të hiqte helmetën që mbante në kokë, kur pikturonte në atë shtëpi gjithë xhama e pak mure, për të lejuar dritën të hynte.
Gazetari u shtang, po pasi pa penelat dhe piktori i shpjegoi që helmeta e mbronte nga plumbat qorrë, u ul dhe u shtrua në raki e histori.
Pak kohë më pas, gazetat spanjolle shkruan për piktorin e luftës që nuk i braktiste ngjyrat, edhe në mes të çmendurisë kolektive.
Menjëherë erdhi ftesa nga Barcelona për ekspozitë, për burrin me penela, helmetë dhe cigare, ngjitur pas gishtash.
“Nuk di të bëj tjetër gjë, -thotë Agroni,  me kapele tani, në vend të helmetës. Gjithë jetën kam pikturuar, çdo çast, çdo orë të ditës. ( Është 68 vjeç tani) ”
Vetëm një javë ka qenë  bojaxhi në Greqi. Pasi humbi çdo gjë në Piramida, u nis për emigrim. Ditën e fundit të javës së parë si bojaxhi, e dalloi një greke.
E pyeti ç’punë kishte bërë andej nga vinte dhe e vuri në provë të pikturojë mure. Mjeshtri që kishte marrë në vite, të tjerë në provim, nuk bëri zë.
Gruaja nuk i besonte fatit që kishte gjetur dhe ashtu mbaroi aventura e tij si bojaxhi Greqie e nisi puna me Galeritë greke.
Po shpirti nuk i ikte nga Vlora. Vlora është shtëpia. Është e gjitha aty, në 54 metra katrorë, pak mure e shumë dritë, që ia dha Këshilli dikur.
Për to i ka lënë të gjitha. Për to u kthye, në një dhomë e kuzhinë, që mjaftojnë sa për dy telajo, të Agronit dhe Tizianës. Babë e bijë dhe një parajsë ngjyrash.
Kur shikon kompozimet e të dyve, kur mëson për shtëpitë ku ato kanë marrë shtëpi dhe sheh ato pak metra katrorë ku kanë marrë jetë, bindesh se artin e madh e krijon pamundësia.
Mundësia bën ekspozita, por jo art.
Këtë mundohet t’i mësojë Agroni së bijës, pasi i mësoi ngjyrat dhe i trashëgoi karakterin.
Tiziana ka mbaruar prej 6 vjetësh shkollën, pikturat e saj të lënë  pa frymë, por i ka braktisur mbi një divan të fëmijërisë dhe ka ikur në Londër, të kërkojë punë.
Gruaja, Miranda, e shtyn të shoqin,  të kërkojë punë për vajzën te miqtë, të njohurit, te ata mijëra njerëz që ia duan pikturën ndër gjithë shqiptarët, por Agroni  si vlonjat i paepur që është, nuk kërkon asnjë nder, se talenti bën vetë derë, thotë.
Ata të dy, babë e bijë janë dueti më i bukur që mund të ketë krijuar ky qytet, kompozimet e tyre janë përditshmëria, përsosmëria, unikja që ka Vlora, punët e tyre janë thesari i çdo koleksionisti dhe drita e çdo muri.
Janë babai dhe vajza, janë mjeshtri dhe nxënësja, janë shpirtrat e kompozimit.
“Ah , tani kam nisur bëj shumë peizazhe”, – thotë,  sikur po bën mëkat. Po ç’mëkate të mrekullueshme, nga dallgët e Tunelit, te shelgjet e Zhironit, nga urat e Volorekës te Gjuhadoli i Shkodrës, nga sheshet e Kalabrisë te rrugica e vetme që sheh det, në Sarandë.
Me bojën që pikon, si ende  e patharë, e pambyllur, e pambaruar. “I lë vetë kështu, sepse nuk dua t’i mbyll.
Dua t’i lë të marrin frymë, të jetojnë, të tregojnë aty ku shkojnë, siç më treguan mua. Kjo është pikturë, nuk është dollap që mbyllet. Një pikturë nuk mbyllet kurrë. Ndryshe nuk flet. Ç’e do një pikturë memece?”
Ndaj flasin pikturat e Agron Dines, siç flet burimi i dritës që e merr atë prej dore të krijojë.
“Më jepni një burim drite, t’ju jap një botë të mrekullueshme”- është motoja e Mjeshtrit që nuk e la kurrë Vlorën, se aty është burimi i dritës.

Related

Opinione 6689437388329865542

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item