Tri jetët e Edi Ramës

Kohën e tij e ndan në tri jetë. E para është piktura. Pastaj politika. Po e treta? Shpreson ta ketë në të ardhmen, për të bërë të tjer...

Ndaj çdo akuze  për marrëdhënien mes tij dhe Kristaq Ramës, për makthin artistik e shkëlqimin e yllit si piktor, pikërisht tani që është kryeministër, Edi Rama i ka përgjigjet gati, të drejtpërdrejta, të hidhura, siç di t’i lëshojë vetëm ai…  
Nga Zefina Hasani, Revista Mapo
Profili i tij, ai zyrtari, i shkruar në faqen zyrtare të Kryeministrisë (por dhe në atë të Partisë Socialiste, për ta prezantuar si kryetarin e saj) e përmbledh në një rresht karrierën e tij: në arte, sport, mësimdhënie, publicistikë dhe politikë.
Duket si një nga ato frazat që gjenden rëndom nëpër biografitë zyrtare.
Por në rastin e Edi Ramës, pas çdonjërës prej atyre fjalëve klishe, fshihen histori e bëma, që veç të rëndomta s’mund të jenë. Përkundrazi.
Duke ndjekur, pikërisht atë rrjedhë fjalësh përcaktuese, në atë fjali zyrtare, për të cilën Rama, pasi u informua, dha konfirmimin e tij, jo zyrtar: “Në fakt,  tani po e mësoj përmbajtjen e biografisë sime në faqen zyrtare të kryeministrisë. Por nuk më duket se çalon në korrektesën e përshkrimit sepse vërtet jeta ime ka shkuar kështu, jam marrë me të gjitha”, nisëm bisedën për të bërë një tjetër profil të kryeministrit, atë jo zyrtar. 
Do të doja të ndalonim tek arti, sporti, mësimdhënia e publicistika, duke e lënë fare mënjanë këtë herë politikën, ç’ka është pak e vështirë në fakt sepse në rrjedhë të kohës, sidomos pasi u bëtë kryeministër, gjithçka që ju keni bërë është tejet politizuar… Por le të përpiqemi! Le ta nisim andej nga dhe ju vetë e keni nisur, nga piktura. A e kujtoni, që kur keni filluar të vizatoni?
Unë nuk e kujtoj, më kanë thënë se kam nisur të vizatoj, si shumë fëmijë të tjerë në fakt, kur kam qenë 3 vjeç. Por ndryshe nga shumë fëmijë të tjerë, s’kam reshtur më së vizatuari.
M’u kujtua që në Vlorë, gjatë fushatës elektorale për 23 qershor, gjatë prezantimit të tij, të kuruar me shumë kujdes, me video e foto bardhezi (e jo vetëm), me detaje që ai me siguri e dinte mirë se do t’ia garantonin atë çfarë duhet e çfarë ngjit më fort, kureshtinë e këndelljen e masave, me të shkuarën e historitë e vockla personale, ai e përmendi lidhjen e tij me vizatimin që në vogëli. Tha se kur ishte gjendur, ashtu si shumë fëmijë të tjerë, që i vendosnin përpara sendeve të ndryshme për të zgjedhur njërën, e me atë çfarë zgjidhnin në fillim përcaktonin ç’ka do të bënin në jetë, ai vetë kishte zgjedhur një penel dhe një tufë me çelësa. Këto të fundit kanë të bëjnë me zgjedhjen e karrierës politike, që s’është qëllimi i kësaj bisede, ndaj ndalojmë tek peneli. 
Kush jua dha atë penel, i kujt ishte?
Ah, këtë nuk e di ta them dot, por në shtëpinë tonë nuk mungonin penelat sidoqoftë.
Por vizatimin si fillim duhet ta keni nisur me laps, apo jo?
Edhe kjo është një pyetje e vështirë për t’iu përgjigjur me precizion. Mbase po, po mbase jo, në disa pak vizatime të fëmijërisë sime që kam parë më vonë, s’ka asnjë me laps. Janë me bojëra uji.  
Një prej këtyre vizatimeve me bojëra uji- “Vapori i madh”, vizatim nga djali i vogël 5-vjeçar Edi Rama, yllkë në një nga kopshtet e fëmijëve të Tiranës-  qarkulloi në media e rrjete sociale, pasi u postua në FB nga dikush (Petro Mejdi). Sigurisht që e ka parë dhe ai vetë dhe e konfirmon se “Vapori i madh” është një prej atyre vizatimeve të tij të para, që as nuk e di se ku i kanë përfunduar.
A s’keni ruajtur asgjë?
Unë jo. Jam një katastrofë ambulante për sa i takon ruajtjes së sendeve, lidhja ime me botën materiale ka qenë gjithnjë shumë e dobët. Aq e vërtetë është kjo sa, nëse Linda s’do të kishte ardhur në jetën time, për të vënë me forcën e saj të qetë bindëse ca pika mbi “i”, unë zor se do të jetoja ndonjëherë në një shtëpi që të ishte imja. Kam jetuar vetëm nëpër apartamente me qira, me devizën “shtëpia ime jam unë’ dhe s’kam dashur asnjëherë të lidhem me disa mure të palëvizshme. Ndërkohë që kur kam lëvizur nga një vend në tjetrin, jo pak gjëra kanë ngelur pas përgjithmonë, ca me dashje e ca krejt për mungesë vëmendjeje. Prej kësaj e kanë pësuar edhe pikturat e mia që kanë mbetur shpesh “rrugëve”. Po nejse, nga ç‘kam pikturuar në vite të mëparshme im atë ka shpëtuar disa, përfshirë edhe vizatime të fëmijërisë dhe ja, unë as nuk e di ku janë!..
A nuk jeni bërë ndonjëherë kurioz për t’i gërmuar, për t’i gjetur?
Jo në fakt.
Thatë se babai është kujdesur për vizatimet.  Shumëkush do të thoshte se ka qenë pikërisht ai që ju ka ndenjur mbi kokë për t’ju mësuar…
Në fëmijëri jo, më vonë jo e jo! Madje askush në shtëpi nuk më ka thënë ndonjëherë: “vizato!” kur isha i vogël! Sepse nuk është asnjëherë diçka e mirë në fakt, ta detyrosh fëmijën të pikturojë. Fëmijët bëjnë mrekulli, nuk thoshte kot Pikaso dua të ribëhem fëmijë, por mrekullitë e fëmijëve me format e me ngjyrat nuk tregojnë medoemos se të gjithë ata kanë talentin e artistit pamor. Në fakt janë shumë të paktë ata që e kanë farën krijuese të artistit brenda tyre dhe gjëja e duhur, është që fëmijës të mos i mungojnë kurrë letrat e ngjyrat, por të mos i thuash kurrë: “ulu vizato!”.  Nëse kalon fëmijëria e parë dhe fëmija vazhdon të vizatojë, i panxitur nga askush, atëherë diçka ka brenda tij që duhet ndjekur me kujdes. Por gjithnjë në distancë.
Prindërit e mi nuk donin që unë të shkoja në Liceun Artistik, pikërisht sepse im atë besonte se nëse e kisha vërtet brenda meje atë diçka në ndryshe që bën diferencën, më mirë që këtë ta provonte koha, pa u futur qysh në shkollën e mesme në rrugën e edukimit të mirëfilltë artistik. Fitoi kokrra e lotit tim në një betejë jo të shkurtër, e cila mesa duket i bindi prindërit se po kërkoja me këmbëngulje thjesht fatin e artistit brenda meje…
Në fëmijëri jo… e nisët përgjigjen e kësaj pyetje. Më vonë, e theksuat fort, jo e jo…
Asnjëherë im atë nuk është marrë drejtpërdrejt me punën time. Madje e ndiqte çka bëja në Lice e më pas në Akademi me cepin syrit. Kur isha fëmijë ai më merrte shumë-shumë rrallë në studion e tij, ndonjë të diel që donte të lironte time më nga barra e të ndenjurit pas meje. Më vonë e vizitoja mbase dy a tre herë në vit studion e tij. Për të, rruga ime nuk duhet të ishte e ndryshme nga ajo e dikujt që nuk e kishte babain artist dhe kjo ka qenë diçka e paçmueshme që ai ka bërë për mua. Nga ana tjetër ai ka dashur dhe ka bërë të tijën, që unë të rritesha me idenë se asgjë nuk ishte aty, gati për mua. Fëmijëria ime ka kaluar me një kufi të pashkelshëm, “Mos kërko sepse nuk e merr!”; kështu u mësova që fare i vogël të mos kërkoj as akullore, as lodra (të cilat mësova t’i pres me durim të vinin). Ky rregull u prish vetëm në moshën e leximit, sepse “të kërkosh libra nuk është gabim!”, ndërkohë që më mbeti zakoni i mirë që të mos kërkoj asnjëherë nga të tjerët gjëra materiale. Ndërsa pasi hyra ne Lice e më vonë në Akademi, për të marrë këshilla për artin im atë më sugjeronte të trokisja tek shokët e vet dhe kjo qasje e tij shumë e kthjellët, më la të lirë prej hijes së babait e më çoi në rrugën e dy udhërrëfyesve pa të cilët nuk do isha bërë dot asnjëherë ai që jam, Danish Jukniut dhe Edi Hilës më pas. I pari ishte maestroja më i madh i të rinjve që ka pasur ky vend, i dyti një Golden Boy i pikturës shqiptare që në kohëra e vende të tjera, ma ha mendja do të kishte ngjitur majat e botës së artit. Po kam marrë disa mësime shumë të vyera edhe nga Thoma Thomai e Sali Shijaku; dy ustallarë të klasit të parë.
Kjo duhet të ketë qenë dhe koha kur kanë nisur të realizohen pikturat prej vërteti, apo jo?
Po, piktura prej vërteti kanë filluar për mua në atelienë e Liceut Artistik dhe në banjën e shtëpisë, e cila ishte “studioja” ime.
Në banjën e shtëpisë?!
Po,  po, nuk është aspak shaka, nuk kishte vend tjetër në shtëpi, në kuzhinë apo dhoma ishte e pamundur. Kuzhina përveçse e vogël ishte gjithnjë e “populluar” nga gjyshja dhe mamaja, ndërkohë që në dhoma, as që bëhej fjalë të hapje bojërat e vajit. Sepse, përveçse mund të bëje dëme duke bërë njolla që pastroheshin vetëm me benzinë, era e vajit të lirit me terpentinë e bënte ajrin të padurueshëm për çdo “banor” tjetër, përveç meje vetë.
Duke folur për këto kohë të Liceut, i përmend që edhe e ëma, Aneta, pikërisht për këtë vrull e padurim artistik foli në atë prezantimin e Vlorës, ku kujtoi të birin, edhe në ditë të dielash me shi, duke rendur që në mëngjes drejt liqenit, me bojërat e tavalozën në duar. Rama tund kokën e i shton edhe disa detaje më shumë tregimit të Anetës. Se pas ateliesë së Liceut e banjës së shtëpisë, kishte dhe një vend të tretë ku pikturonte, në natyrë, e jo vetëm ai por dhe shokë të tjerë të Liceut, e jo vetëm në ato kodra e Liqeni,  por edhe andej nga Sauku e Selita, kryesisht të dielave paradite që në mëngjes herët ose pasditeve në periudhat e vitit kur dita fillonte të zgjatej. Se ishte pikërisht kjo koha kur kuptoi se piktura ishte si ushqim, pa të cilin nuk do të jetonte dot.
A kënaqej nga ajo çfarë realizonte adoleshenti Rama? Dhe ai ishte kjo pikërisht dhe koha kur do të nisnin pakënaqësitë, pangopja, rebelizmi, kriza artistike?
Në këtë pikë asgjë s’ka ndryshuar. Unë u gëzohem gjërave që bëj, po nuk kënaqem kurrë, nuk ndaloj asnjëherë, nuk rri dot pa u përpjekur ta ndryshoj për mirë atë që më ka gëzuar kur e kam bërë më parë dhe aty për aty më është dukurOk!. Besoj se hyj ndër prishësit më të palodhur të pikturave, kërkoja gjithnjë më shumë nga çfarë arrija në telajo, qoftë në Lice qoftë në Akademi, po edhe më pas e njëjta gjë. Rebelizmin siç e quani ju, e kam pasur natyrë të dytë në atë moshë, si jo shumë të tjerë atëherë dhe si të gjithë ata që sot – është kohë tjetër natyrisht – janë në atë moshë. Po mua rebelizmi nuk m’u shua asnjëherë. Fatmirësisht!
Dëshirën e brendshme për të ngrënë mollët e ndaluara asokohe e kisha të pashuajtshme, çka besoj më çonte natyrshëm edhe në rrugën e shkeljes së kufijve shoqërorë, e cila shkoi deri tek rebelimi kundër regjimit të asaj kohe. Lëre se ç‘përralla tregojnë sot, ai rebelim nisi e mori formë pikërisht ne Akademinë e Arteve.
Rama vazhdon të shpjegojë se edhe më pas, në të vërtetë brenda tij, në këtë aspekt nuk ka ndryshuar asgjë, paçka se ka ndryshuar rrënjësisht koha, mosha, pozicioni e me këto, sigurisht, edhe format e shfaqjes së rebelizmit. Këtu s’ka parasysh aspak rebelizmin e kuptuar si kundërvënie publike ndaj pushtetit natyrisht, është krejt  e qartë kjo, po mënyrën e të jetuarit me gjërat që bën, qenien e tij në konflikt me gjërat që s’i pëlqejnë apo s’ia mbushin mendjen, e thekson se s’e ka fjalën  vetëm nga pozita e kryeministri,  por edhe në marrëdhëniet e brendshme me veten e me çka i thotë mendja ose i kap syri…. unë përpiqem të gjej kohën e mënyrës si ta ndërpres, që të mos ikë më tej në rrëfime e kohë, pa ndaluar edhe pak te koha e Liceut. 
E ndërsa Rama vazhdon… “Krizë artistike thatë? Po, më kujtohet një; puna ime e diplomës në Akademi”…arrij të ndërhyj  në pauzën e shkurtër që e jep ai vetë. 
Pa shkuar tek koha e Akademisë, le të qëndrojmë, ju lutem, edhe me një pyetje tek kjo koha e Liceut…Në një rrëfim tuajin mediatik, për kohët kur ishit 16 vjeç keni thënë: “Kishte debate në shtëpi me babain. Nuk dua të flas për këtë temë, nuk dua të bëhet ushqim për qentë”.  Ndoshta prapë s’do doni ta hidhni atë ushqim, as këtë herë, por unë po jua bëj pyetjen gjithsesi- Me çfarë kishin të bënin këto debate,  apo me pikturën?
Jo, kishin të bënin me jetën, me normat e kohës, me paragjykimet apo gjykimet e asaj kohe dhe me tipin tim, që isha i prirur të kundërshtoja për çdo gjë apo të tallesha me gjërat që konsideroheshin tabu. Po gjithsesi, këtu “qenve” mund t’u them pa zbukuruar asnjë presje, se im atë zotëronte artin e të qenit një baba tolerant si rrallëkush, përballë fëmijës, adoleshentit rebel apo djalit të rritur e më pas, të bërë burrë, po se po! Nëse shpirti im nuk u ndrydh dhe unë u bëra një njeri i lirë në mendimet e në zgjedhjet e mia, kjo është në radhën më të parë merita e tij. Nëse unë nuk e pësova nga të qenit djali i një babai me emër të madh, çka dihet se ndodh rëndom me djemtë e baballarëve të shquar, këtë unë ia dedikoj vetëm atij dhe e falënderoj me një mirënjohje të patregueshme, sa herë më viziton në kujtimet e mia apo e vizitoj në banesën ku prehet.
A shkoni shpesh atje?
Kjo është vetëm puna ime, ndjesë!
Si për t’i ikur këtij momenti, paksa të sikletshëm, biseda i kthehet kohës që u prek pak më lart, tek Akademia e Arteve, të cilën Rama e cilëson si periudhë epike,
nëse në historinë e artit flitet për një periudhë të tillë. Brezin e atyre viteve e quan me fat, sepse regjimit po i binin ushkurët dhe hapësira e lirisë së krijimit, edhe pse e ngushtë sa të duash, ishte goxha më e gjerë se ajo e periudhës së tmerrshme të marrosjes ideologjike në kulturën dhe artin e viteve ’75 –’80 . Sepse nëpër atelie kishte nisur një frymëmarrje e ndrojtur, por  e ndjeshme dhe puna pasionante aty, shoqërohej me bashkëbisedime pafund për artin e ndaluar, festa të mbyllura nëpër shtëpi e studio ku kërciste muzika e ndaluar, lexime librash të ndaluar e përkthime poezish “të degjeneruara”… Dhe me një tallje të madhe me çdo tipar të fytyrës serioze të regjimit!
Duket se ju ekzalton po aq, edhe sot kur e kujtoni, ajo tallje…
Do të mbetet e shënuar në kujtesën time, si periudha kur kam qeshur e jemi gajasur në grup, më shumë se dhjetë a njëzetë vjet bashkë; një periudhë që kulmoi nga fundviti  ’89  deri në fundvitin ’90 , me zinxhirin e përplasjeve të paharrueshme në auditorin e Akademisë me të dërguarit e Partisë, që vinin njëri pas tjetrit, çdo herë nga një shkallë më lart e hierarkisë së regjimit, e na mblidhnin gjithnjë e më të shqetësuar për përshkallëzimin e “shfaqjeve të huaja” në fakultetin e Arteve Figurative. Ardhja e ministrit të brendshëm të kohës në shtatorin e  ’90-ës, ishte edhe kulmi i atij përshkallëzimi në një përplasje për disa orë rresht, ku u thanë gjëra që në fund e bënë lumëmadhin e Byrosë Politike të mbyllej afro një orë, në zyrën e Rektorit të Akademisë, për një emergjencë kardiake. “Në këtë fole reaksioni nuk ka më shpresë për ndërgjegjësim!”, mësuam më vonë se paskej thënë hierarku i PPSH-së pas marrjes së ndihmës së shpejtë.
Përmendët pak më lart një krizë artistike gjatë kësaj kohe…
Po, siç dhe e thashë, puna ime e diplomës në Akademi. Për të cilën punova në mënyrë obsesive, shpesh deri në të gdhirë për thuajse një vit dhe pastaj, e prisha e ribëra në katër-pesë ditët e fundit para ardhjes së komisionit të diplomës. Pse e si ndodhi, është një histori më e gjatë se koha që kemi këtu dhe faqet që ju keni në dispozicion për këtë intervistë.
Ka gjithmonë një mënyrë për ta shpjeguar një ndodhi a gjendje edhe me dy-tre fjali, sado e gjatë apo e ndërlikuar të jetë . Apo s’është ky rasti?
Jo, s’është.
Pas Akademisë ju ikët në Paris. Shumë legjenda janë thurur për ato kohë… po rrëfenja juaj cila është?
Legjenda?!Cilat legjenda?! Ajo që jetoja nën ura dhe nuk prisja thonjtë apo që trafikoja ikona të vjedhura?! Apo që bëhesha dru nga thithja e babëzitur e kokainës?!
Po këto, që s’janë pak e s’janë të këndshme për t’u dëgjuar…
Varja, kur të akuzojnë për çka nuk e ke bërë, akuzuesit ose e kanë bërë vetë atë për të cilën të akuzojnë ose kanë dëshirë ta bëjnë vetë, përderisa u shkon mendja!
Në Paris shkova si fitues i një burse të Citè Internationale des Arts, një qendër e jashtëzakonshme ateliesh për artistë pamorë e muzikantë, mu në zemër të Qytetit të Dritës. Më qëlloi një atelie e bukur me pamje nga Sena, vetëm 300 metra nga Hotel de Ville dhe po aq, apo diçka me shumë nga Notredami, ku pikturova e jetova dy vjet. Pastaj mora një apartament, që e bëra edhe studio për një vit tjetër dhe pastaj dihet historia…
Tregon, siç në fakt e ka thënë dhe herë të tjera, se u kthye për të varrosur babanë e u gjend i kyçur edhe vetë brenda mureve të qeverisë së asaj kohe. Thekson, edhe më me bindje, se nëse i ati nuk do të kishte ndërruar jetë pikërisht atë ditë dhe ai s’do të kishe ardhur në Tiranë, për ta përcjellë për në banesën e fundit, pikërisht kur Fatos Nano po ndryshonte qeverinë, sot nuk do ishte këtu ku është. Dhe historia e tij kushedi si do ishte, po kjo që është assesi.
Por ja që historia erdhi e tillë. Pas asaj që ai e quan kyçje në qeveri, si Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve erdhi ajo që mund të quhet shkyçje në Bashkinë e Tiranës, ridalje në natyrë, nëpër fasadat që u ngjyrosën më shumë me firmën e tij si piktor sesa si kryebashkiak. Ndonëse si i tillë i mori dy vlerësime shumë prestigjiozë ndërkombëtare; World Mayor Award dhe European Hero Award i revistës Time. A ishte kjo përpjekja e parë për të tërhequr vëmendjen botërore me artin e tij? Rama përgjigjet prerë- “Asnjë lidhje me vëmendjen botërore për artin tim. Madje divorci brutal me artin në pasditen e funeralit të tim eti, kur edhe pranova të hyj në kthesën e fortë nga rruga e pikturës tek ajo e politikës, asokohe më dukej përfundimtar. Kështu që as më shkonte mendja se një ditë, “shkarravinat’ e zyrës së punës do të fillonin të merrnin ngjyra, të mblidheshin në libra, të shtriheshin në mur, të ktheheshin në motive tekstili e qeramike dhe të transformoheshin në skulptura me ngjyra…” Kështu që ndërhyrjen në pamjen e jashtme të Tiranës, e quan se ishte një formë e rebelimit të brendshëm (ashtu siç e tregoi edhe më lart), që në kontekstin e përpjekjes për të ndryshuar gjendjen e dorëzimit të përgjithshëm ndaj fatalitetit të një kryeqyteti të nënshtruar ndaj ekseseve individuale të gjithkujt, kaloi përmes ngjyrave mbi lëkurën deri aty të rrjepur për së gjalli të ndërtesave të qytetit tonë. E quan një aksion mirëfilli politik, me ngjyra dhe jo një gjest artistik, apo operacion estetik.
Dhe për hir të së vërtetës ai aksion politik me ngjyra u përhap nëpër botë si një lajm i mirë për Shqipërinë…
Ai aksion ringjalli shpresën e optimizmin dhe le të flasin sa të duan e çfarë të duan injorantët apo cinikët e kafenesë plot tym të debatit publik në Shqipëri, Tirana e ngjyrave jo vetëm u bë i pari lajm i mirë nga Shqipëria nëpër mediat e botës, po ajo ringjallje përmes ngjyrave sot përdoret në orë mësimore në universitete nga më të famshmet e botës, si një prej shembujve të rilindjes urbane në një realitet me probleme shumë të mëdha e mundësi financiare tejet të vogla. Po të jetoja sot me leksione nëpër botë mbi atë histori të veçantë, duke shkuar ku më ftojnë çdo vit për ta treguar në aula universitare apo konferenca ndërkombëtare, të ardhurat e mia vjetore do të ishin shumë më të larta se ato nga rroga e kryeministrit…
I ikim këtij diskutimit për të ardhurat tuaja si kryeministër se do të na duhet të merremi me akuzat politike që këtë herë do të na nxirrnin krejt prej linjës së bisedës… Më bëri shumë përshtypje një fjali që thatë pak më parë se kur ishit në Bashki as që ju shkonte mendja se një ditë “shkarravinat” e zyrës së punës do të fillonin të merrnin ngjyra, të mblidheshin në libra, të shtriheshin në mur, të ktheheshin në motive tekstili e qeramike dhe të transformoheshin në skulptura me ngjyra… Në libra e të shtrira në mur i kemi parë, po kjo puna e tekstileve, qeramikës, e skulpturave ç ‘është? Në mos qofsha gabim s’keni folur ndonjëherë për to…
Nuk jeni gabim. Letra murale është në zyrën time dhe ka interes nga galeritë për ta nxjerrë prej aty, në versione të ngjashme, por origjinale natyrisht. Të tjerat janë embrione premtuese.
A do të pranoni të ekspozoni për herë të parë diçka tek kjo revistë?
Po ja, mund t’ju jap një pamje nga letra murale e ekspozuar së fundmi në galerinë e famshme, Alfonso Artiaco, në Napoli.
Perfekt. Por a e dini që edhe për këto tekstile e qeramika do të thonë siç kanë thënë për pikturat e ekspozuara tani që jeni kryeministër, kur s’po ngjyrosni thjesht ca fasada por po ekspozoni veprat tuaja të vërteta, në ekspozita, galeri të njohura, në shumë vende të botës, se po shfrytëzoni postin për famën që s’do ta kishit fituar dot kurrë ndryshe (na hyri prapë në mes politika). A ju mërzit perceptimi- Ylli i tij si piktor po shkëlqen më në fund falë famës si kryeministër i një vendi?
Aty ku ekspozohen punët e mia nuk hyn “miku” e as bëhen favore për hatër të pushtetit të dikujt në vendin e tij. Janë galeri me emër, superprofesionale, që s’mund t’i çelin dyert e ndezin dritat për qoka. Sigurisht, fabula e një kryeministri që krijon në zyrën e tij është shumë e veçantë dhe ka rolin e vet, por është pjesë e së tërës. Sa për perceptimin, këtu doni vërtetën?
Të vërtetën dhe vetëm të vërtetën…
Mua s’më bën asnjë përshtypje, zero, se çfarë arsyesh nxjerrin të tjerët për të shpjeguar “shkëlqimin e yllit tim’, po fare, fare! Rëndësi këtu ka që, tash 18 vjet, vizatimet a pikturat e mia bëhen kur unë jam duke bërë një punë tjetër, në tavolinën e zyrës sime, pa i marrë asnjë minutë punës së ministrit, kryetarit të Bashkisë, kryetarit të opozitës apo kryeministrit; gjatë takimeve me bashkëpunëtorët apo telefonatave, dora vazhdon punën e vet nën urdhrat e syrit, ndërkohë që mendja ime është e gjitha e përqendruar në bisedë. Janë bërë vite tanimë, që ato letra zyre të kthyera në piktura, kanë dalë nga zyra për t’u ekspozuar mbi mure apo futur nëpër libra. Sebep për nxjerrjen e tyre nga sirtarët u bënë, në padijeninë time të plotë, miku im Lad Myrtezai dhe asistentja ime, të cilët në fshehtësi të plotë prej meje çuan katër a pesë vizatime në një ekspozitë grupi këtu në Tiranë. Ishte një surprizë për mua kur mora ftesën dhe pashë vizatimin tim mbi të!
Ka pasur dhe një ekspozitë vetjake tuajën…
Po, ekspozita e parë vetjake ka qenë vite më parë në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, në atë kohë isha kryetar bashkie dhe përsëri nxitja erdhi nga jashtë, prej miqve të mi të artit. Kësaj here me pëlqimin tim sigurisht.
Por e vërteta është se kam ekspozuar jashtë edhe kur ishim në opozitë, po mediatizimi ka qenë më i kufizuar. Asaj periudhe i përket Bienalja e Berlinit për shembull, ku sebepi përsëri u bë një mik i shtrenjtë, Anri Sala. Me Anrin bëmë me forcat tona edhe albumin e parë të pikturave të zyrës, pastaj të dytin me shtëpinë e njohur botuese të artit pamor “JRP Ringier” dhe këtë më pas e morën libraritë e disa muzeve me emër në botën e artit bashkëkohor.
Po ju tregoj një “sekret” të vogël që tregon se si nisi mbledhja e tyre. S’e kam treguar ndonjëherë, po për të filluar koleksionimin është bërë sebep Et’hem Ruka! Po, miku im Et’hem, ministri i atëhershëm i arsimit që e kisha ngjitur në qeveri dhe që në fund të mbledhjes së përjavshme, më merrte vizatimin e ditës. Një ditë i shkova në zyrë në ministrinë e arsimit, nuk e mbaj mend për çfarë, dhe pasi mbaruam bisedën më thotë me buzëqeshjen e dikujt që po të bën një surprizë, “Tani dua të të tregoj një koleksion të rrallë!’, dhe nxjerr një dosje ku kishte ormisur për merak të gjitha vizatimet e mia. Deri atëherë më ndodhte shpesh t’i bëja shuk e hidhja në kosh, kur ikja nga zyra. Ishin të gjitha me stilolaps të zi apo blu si të qëllonte, ndonjëherë edhe me stilolaps të kuq. Për herë të parë i pashë si vepra arti. Dhe kur kthehem në zyrë, i mërzitur që Et’hemi më kishte “grabitur” sy për sy gjithë ato vepra, i them asistentes: “M’i ruaj ato që shkarravis gjatë ditës!”. “Kam ruajtur disa për qejfin tim”, më thotë. “Urgjent në dosje”- i them-“Et’hemit s’kam ç’i bëj, po të tuat do t’i marr mbrapsht!
Pra ju po ekspozoni vetëm çfarë keni pikturuare vazhdoni të pikturoni në zyrë.  Po krijimet e mëparshme, ato të kohëve të Parisit përshembull nuk ia vlejnë për t’u ekspozuar? 
Nëse do t’i mblidhja dot ndonjëherë andej nga janë, larteposhtë, do të mund t’ju përgjigjesha, por si fillim duhen mbledhur… Siç e shihni përsëri, s’do isha bërë kurrë dot magazinier i pranueshëm.
Të pikturosh në zyrë, nëpër takime, mbi dokumente, letra që ju gjenden mbi tryezë është krejt ndryshe nga ai modeli klishe i piktorit që ka nevojë për kohë të mjaftueshme krijimtarie, për studio, për vetmi… Ju s’keni fare nevojë as për njërën as për tjetrën?
Jo, nëse do të shkoja në studio për të pikturuar në vetmi me siguri do isha “kaps’! Haaah, më doli vetë kjo fjalë e harruar që e përdornim shumë në kohën e vjetër të Liceut e Akademisë, për t’u tallur me veten apo me tjetrin kur nuk ecte puna mbi telajo.
Ndërsa kështu, me stilin tuaj duket se i keni shpëtuar atij lloj “kapsllëku”. Flitet për mbi 100 piktura nëpër çdo ekspozitë…
Në fakt ekspozitat përmbajnë si rregull shumë më pak, po dhe100 apo edhe mbi 100, nuk janë shumë! Në fund të çdo dite në zyrë asistentja ime kur pastron tavolinën dhe e bën gati për të nesërmen, merr që aty edhe një apo dy, e nganjëherë tre piktura të bëra gjatë ditës. Bëjeni vetë llogarinë! Sidoqoftë, e përsëris, unë nuk ulem të pikturoj, po ulem të punoj dhe gjatë gjithë asaj pjese të punës ditore që përmban biseda me njerëzit në anën tjetër të tavolinës, apo telefonata, dora ime shkarravit e ngjyros.
Çfarë e frymëzon kaq shumë dorën tuaj të lëvizë?
Nuk është frymëzim, është pjesë funksionale e qenies sime në zyrë. Për shembull unë nuk e bëj dot të njëjtën gjë në shtëpi, pra nuk ulem dot në karrige dhe të filloj të pikturoj. E pamundur. Ndërkohë që në zyrë (ose edhe nëpër mbledhje të ndryshme) kjo gjë më ndihmon jashtëzakonisht të përqendrohem në çdo bisedë dhe të mos më shpëtojë asnjë detaj. Ka plot njerëz që pa qenë hiç piktorë, shkarravisin gjatë një mbledhjeje. Mbase edhe juve vetë ju ka ndodhur! Kam gjetur rastësisht në një muze jashtë, një libër me vizatimet në zyrë të Presidentëve të Amerikës. Ndërsa me një gjeneral të NATO-s që qëlloi njëherë pranë meje, kemi këmbyer në fund ato çka kishim shkarravitur gjatë mbledhjes.
Rama nis e flet për një studim të fundit, të një universiteti amerikan, që thotë se ata që e bëjnë këtë lloj ushtrimi mbi letra pune, ulin stresin e ditës deri në 40% dhe ruajnë deri në fund të ndërveprimit të takimi a mbledhjeje, 30% më shumë përqendrim.
Studimet amerikanët mund ta quajnë antistres e përqendrim, por në Shqipëri, armiqtë politikë ia quajnë makth artistik, një padurim për të dalë, përmes ekspozimit për aq kohë sa është kryeministër, më në fund triumfues prej hijes së babait të famshëm.
Ai e ka si në majë të gjuhës përgjigjen edhe ndaj kësaj akuze të atyre që më shumë se armiq, preferon t’i quajë kundërshtarë. E quan mizerabël retorikën agresive kundër tij, ku kanë përfshirë edhe të atin, pa ditur fare çfarë flasin, ose më saktë për t’i shtuar dërdëllitjeve të tyre një element më shumë, ku bëhen lëmsh diktatura, komunizmi, frojdizmi, idiotizmi e me radhë. Ai mendon se është krejt e kotë të merresh me ata që i përshkruan si xhuxhmaxhuxhë të moralit, mendjes e gjuhës, aq më tepër që Kristaq Rama  “hakmerret” vetë ndaj tyre. 
Si hakmerret?
Duke i shpërfillur prej lartësisë së madhështores “Nënë Shqipëri”, të cilës ata i përkulen sa herë vizitojnë Varrezat e Dëshmorëve. Fjalimet e fjalët e tyre të ulëta për Kristaq Ramën do t’i marrë era, ndërsa “Nëna Shqipëri” apo “Monumenti i Pavarësisë” në Vlorë, për të mos i përmendur të gjitha, janë vepra historike që do të mbeten për gjeneratat e tjera bashkë me emrin e Kristaq Ramës e të kolegëve të tij. Nuk është sigurisht arti im i parapëlqyer, edhe im atë e dinte këtë, mbase edhe ai do të kishte bërë një tjetër art në kohë e kushte të tjera, por kjo s’ka pikë rëndësie në raport me historinë e artit shqiptar, lëre më pastaj me këta zuzarë.
Gjithsesi, në dijeninë time, nuk është vënë kurrë në diskutim vlera e veprës së babait tuaj por marrëdhënia mes jush. E ndaj është folur dhe për makth tuajin artistik. A ka ekzistuar në të vërtetë ky makth?
Babai im sot është vepra e tij dhe kujtimet e familjes sonë, ç’punë kanë këta të paudhë me një të vdekur kur s’vënkëshin në diskutim veprën e tij e s’kanë pasur asnjë lidhje me të?! Ku është parë në botën e civilizuar që politikanët të fusin në debatin me kundërshtarët marrëdhëniet e tyre me baballarët apo të ngrenë akuza për makthe artistike?! Këto u takojnë botës së të marrëve dhe këta shejtanbudallenj e jetojnë paturpësisht politikën si një kufi mes marrëzive e urrejtjes. Dhe me mua kanë kapur kulme që tregojnë se jam makthi i tyre. Ndërsa ankthi im, janë armiqtë e mëdhenj me të cilët në fund të fundit matet suksesi në detyrën e lartë që kam; Prapambetja e madhe që kemi trashëguar në çdo plan, pengesat e rritjes së ekonomisë e të mirëqenies së njerëzve, dobësia e shërbimeve publike për qytetarët, sjelljet e ulëta të atyre zyrtarëve që shkarravisin fytyrën e shtetit, vonesat e ndryshme në fushën e betejës, ngecjet e projekteve e të tjera gjëra që kanë të bëjnë me qëllimin e madh e me objektivat e kësaj pune me kaq përgjegjësi. Arti në këtë periudhë të jetës sime është lutje, lehtësim, prehje e shpejtë e syve dhe ilaç për uljen e përkohshme të tensionit permanent me të cilin unë jam i karikuar edhe kur fle.
Po ju kënaq edhe egon….
Kam pasur fatin e madh të bëj punët që kam dashur të bëj, çfarë egoje duhet të kënaq akoma?!Tanimë sapo kam kapërcyer të pesëdhjetat, koha që më ka mbetur është patjetër shumë më pak se ajo që ka ikur, dhe për momentin mendoj vetëm se si ta kryej me sukses këtë detyrë që kam. E cila, edhe në rrethanat më fatlume, nuk do të zgjasë përtej një kufiri të përcaktuar në kokën time.
Për ç’kufi po flisni?
Për kufirin kohor të mbarimit të kësaj detyre të lartë dhe të fundit në politikën e ushtruar si punë e përditshme.
Dhe pastaj?
Dhe pastaj shpresoj të kem një jetë të tretë, pas asaj të parës si piktor e kësaj të dytës si politikan, për të bërë të tjera gjëra që kam në kokë.
Por sa nuk keni kaluar ende tek ajo jeta e tretë, çfarë imagjinoni se do të vijë për piktorin pas ekspozitave me letrat e zyrës, që do të mbarojnë edhe ato bashkë me detyrën?
Jeta është ajo që ndodh kur jemi duke bërë plane të tjera, thotë një shaka e urtë e John Lennon.  Nuk e di çfarë vjen, po di çfarë imagjinoj se do të vijë dhe nuk më duket fort keq. Dhe piktori përsëri nuk do të jetë më vetëm piktor, si në jetën e parë, po vetëm pjesë e jetës së tretë! Gjithnjë nëse jeta nuk do ta zhbëjë këtë si një plan tjetër..
S’di pse në këtë moment më kujtohen prapë ato tekstilet, qeramikat, skulpturat…A mos po sillet e vërtitet rreth tyre imagjinata?
Jo, jo, pa merak!
Ajo jeta e tretë që po shpresoni të kini a mos do të ketë të bëjë me pasionin tjetër, të shkruarin?
Po, të shkruarit është pjesë e gjësë që dua të bëj në atë jetën e tretë.
Duket se e keni lënë pas dore. Pas “Refleksione” që botuat që herët, me mikun tuaj Ardian Klosi, e që pothuajse nuk gjendet më në treg, nxorët tani vonë dhe “Kurbani”, dhe kaq, se s’po i përfshijmë tamam tek të shkruarit dy librat e artit me krijimet tuaja që keni realizuar me Anri Salën….
E kam lënë pas dore?! Unë nuk jam shkrimtar, jam thjesht një njeri i dashuruar me gjuhën që më pëlqen ta flas e ta shkruaj sa më bukur. Nëse këtë e bëj në një tweet apo në një libër, kjo varet nga nevoja. Librat i kam bërë vetëm kur kam pasur nevojë të bëj libër dhe asgjë tjetër nuk mund ta plotësonte atë nevojë. Përndryshe pse duhet shkruar një libër nga dikush si unë që shkrimtar nuk është(?).
E nëse s’shkruani vetë a gjeni kohë e dëshirë për të lexuar çfarë shkruajnë të tjerët? Ç’lloj librash preferoni të keni zakonisht në duar?
Jam një kinofil i pangushëllueshëm! I vjedh orë gjumit për të parë filma, pasi kam lexuar burimet e mia të preferuara të shtypit botëror. Ndërsa librat që lexoj janë më të rrallë se përpara se të merrja këtë detyrën e fundit dhe janë përgjithësisht të lidhur me politikën.
Cili është filmi që ju ka lënë pa gjumë së fundmi?
“Peaky Blinders”.
Tek mësimdhënia, që edhe pse është e renditur në biografinë e tij, s’mund të quhet pasion, ndalojmë pak, si tek një pjesë e shkurtër e fatit që i ka dhënë mundësinë të bëj diçka që e ka dashur shumë, të jap mësim. Fakti se disa prej studentëve të tij, Anri Sala, Adrian Paci, Ornela Vorpsi apo Edi Muka, janë bërë tashmë personazhe për të cilët flitet me respekt të madh jashtë Shqipërisë, e bën të mendoj se nuk duhet të ketë qenë mësues fort i keq.
Kaq, pastaj biseda shkon tek pika ende e paprekur gjatë kësaj bisede, te sporti, te basketbolli, ku gjatë viteve të Liceut, më shumë e çoi astma dhe gjatësia e tepruar fizike për kohën, se sa ndonjë talent i posaçëm. Por Rama pohon se basketbollit i din për nder jo pak. Jo vetëm pse e shpëtoi nga sëkëlldia e astmës, po edhe pse i mësoi se me vullnet mund të arrihej shumëçka, jo gjithçka natyrisht, pasi talenti është ai që bën diferencën reale mes atyre të cilëve nuk u mungon vullneti, në një skuadër apo edhe në çdo fushë tjetër. Edhe në art, po e po. Gjithashtu basketbolli i mësoi vlerën e lojës në skuadër, i zhvilloi tipare të caktuara të karakterit si edhe aftësitë e të menduarit mbi fitoren e humbjen, i dha ABC-në e leximit të dinamikave të grupit dhe vlerësimit të roleve të ndryshme në një grup të krijuar për një qëllim. Basketbollin, Rama e quan një eksperiencë të pasur jete që ka qenë një vlerë e shtuar në rrugën e jetës së tij politike. 
Një kosh basketbolli në godinën kryeministrore është më shumë show alla Rama, sesa një mundësi sado e vogël, për të luajtur vërtetë, apo jo?
As njëra as tjetra, në fakt! Është një element kulture sportive dhe padyshim, një mundësi për t’u menduar nën qiell të hapur në ndonjë pushim të shkurtër pune, duke gjuajtur topin në kosh.
Dikur edhe nëse s’luanit basketboll të paktën vraponit. Po tani? 
Përpiqem të eci gjysmë ore në orën 6.30 të mëngjesit,  por  jo çdo ditë ia dal me sukses për hir të së vërtetës. Tani që basketbolli nuk është më opsion për vertebrat e mia, ndonjë a dy herë në muaj, zakonisht të dielave paradite, falë bujarisë së një tjetër shoku të kohës së Liceut Artistik, Ad Dules, që nuk i është ndarë artit e më ka hapur derën e ateliesë së tij, shëtis në rrugët e imagjinatës duke i kthyer pikturat në volume tredimensionale.
Biseda po shkon drejt fundit e kaq shumë sa zgjati më duket sikur tani në çdo moment Rama do të më përzërë dhe mua, siç bëri me gazetarët e “Das Magazin” pak kohë më parë. Por i them shpejt e shpejt, sa ai s’ka thënë gjë ende, se në fakt e kam edhe një pyetje të fundit, pikërisht për dy prej përgjigjeve që u dha atyre gazetarëve. “Jam në një gjendje skizofrenie midis artit dhe politikës dhe shpresoj shumë që të ketë një jetë të tretë për mua… por për të shkuar tek ajo jetë mua do të më duhej që të ndahesha nga politika”- kur ata e pyetën nëse e konsideronte veten një artist apo një ish artist. E kur e ngacmuan për ngjarjen e dhunës së ushtruar mbi të, e kur i përmendën rastin e gazetarit zviceran Niklaus Meienberg, i cili s’e kishte marrë kurrë veten prej një rasti të ngjashëm derisa sa shkoi në vetëvrasje, përgjigja ishte: Këtë unë e kuptoj…dhe shpresoj që një ditë të mos e vras veten…
A e menduat se do t’jua përdornin e keqpërdornin si të mundnin ato deklarime që shkonin fort përshtat me çfarë ju kanë akuzuar vazhdimisht (politika s’na u nda)?
Unë jam mësuar të them atë që dua dhe kur dua ta them, as që nuk e çoj nëpër mend se si mund të përdoret apo keqpërdoret. Aq më tepër pastaj sesi mund të deformohet, nga xhuxhmaxhuxhët shejtanbudallenj që përmendëm ca më parë gjatë bisedës sonë!
Sa nuk më keni përzënë me të vërtetë … a ka diçka tjetër që ju ka lënduar edhe më fort se ajo dhunë fizike?
Mua më lëndon më shumë se çdo gjë lëndimi prej pakujdesisë sime i njerëzve që dua.
Po diçka që ju ka kënaqur me forcën që shkatërron çdo dhimbje e çdo kujtim të hidhur që mbetet pas?
Shuplaka e parë që kam ngrënë nga Zaho.
Kjo shuplaka e Zahos sikur më përzuri dhe mua tani. Faleminderit për kohën që na dhatë

Related

Shqipëria 3502681731281072976

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item