Si zbatohet Traktati i Lisbonës për daljen e Britanisë nga BE

Si parashikohet të kryhet procesi i gjatë dhe i vështirë i daljes nga BE dhe çfarë thotë neni 50 i traktatit të Lisbonës. Fjoralba Cak...


Si parashikohet të kryhet procesi i gjatë dhe i vështirë i daljes nga BE dhe çfarë thotë neni 50 i traktatit të Lisbonës. Fjoralba Caka sjell një shpjegim të hollësishëm të mënyrës dhe të ndërlikimeve që ngërthen ky proces
Nga Fjoralba Caka
Traktatet e mëparshme të Bashkimit Europian nuk parashikonin një procedurë për daljen e një shteti anëtar nga Bashkimi. Fryma dhe tendencat e forta euroskeptike, që u shfaqën dukshëm në referendumet e Francës dhe Holandës në 2005, që rrëzuan projektin e Traktatit Kushtetues Europian, apo qarkullimi në shumë diskutime mediatike e politike i “fenomenit të hidraulikut rumun” dhe lodhjes nga zgjerimi, u kapën si tregues i trysnive në të cilat Bashkimi do të gjendej në të ardhmen dhe me mprehtësi u morën nga hartuesit e Traktatit që artikuluan një klauzolë të veçantë për daljen.
Neni 50 i Traktatit të Lisbonës nuk ja lë daljen nga Bashkimi Europian rregullave dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare të traktateve, por përkundrazi parashikon një procedurë të ngarkuar negociatash sipas stilit të klubit europian, duke afirmuar edhe një herë se e drejta europiane është sui generis, një rend i ri ligjor me rregulla të veçanta. Kjo do të thotë se, pavarësisht rezultatit të referendumit të 23 Qershorit, dalja e Britanisë nga Bashkimi Europian mund të bëhet vetëm nëpërmjet zbatimit të nenit 50 të Traktatit të Lisbonës. Një dalje nga Bashkimi që nuk respekton kërkesat e nenit 50 të Traktatit të Lisbonës do të ishte në kundërshtim me të drejtën europiane si edhe me të drejtën ndërkombëtare dhe parimin “pacta sunt servanda”.
Neni 50 (1) i Traktatit të Lisbonës parashikon se “Çdo shtet anëtar mund të vendosë të largohet nga Bashkimi në përputhje me kërkesat e tij kushtetuese.” Pra, procedura e daljes fillon me marrjen e një “vendimi” për të dalë nga Bashkimi, që merret në përputhje me kërkesat kushtetuese të atij vendi.
A do të konsiderohet rezultati i referendumit të 23 Qershorit “vendim” për t’u larguar nga BE sipas nenit 50 TL? Në ligjin për Referendumin për Bashkimin Europian (European Union Referendum Act) të datës 17 dhjetor 2015 nuk ka asnjë referencë që thotë se rezultati i referendumit të 23 Qershorit është i detyrueshëm për qeverinë apo parlamentin britanik. Kjo do të thotë se nga pikëpamja ligjore rezultati për referendumi për daljen nga Bashkimi Europian është thjesht rekomandues dhe Britania ende nuk ka marrë një vendim për të dalë nga Bashkimi.
Duke qenë se Britania nuk ka një kushtetutë të unifikuar, kanë nisur debatet se si do të merret vendimi për daljen në përputhje me kërkesat kushtetuese. Dy janë tezat më të diskutuara për marrjen e vendimit për të dalë nga BE në përputhje me Nenin 50 (1) të Traktatit të Lisbonës në Britani: marrja e një “vendimi ekzekutiv” nga kryeministri për daljen, pa pëlqimin e PE, ose miratimi i një statuti për daljen nga dy dhomat e Parlamentit.
Aktivizimi i Nenit 50 me “vendim ekzekutivi”.
Sipas kësaj teze, vendimi për daljen e Britanisë nga BE duhet të merret nga kryeministri britanik. Disa akademikë si Mark Elliot dhe Keneth Armstrong argumentojnë që është prerogativë kushtetuese e ekzekutivit si anëtarësimi ashtu edhe dalja nga marrëveshjet ndërkombëtare. Sipas tyre, nënshkrimi i traktateve nga ekzekutivi ka qenë prerogativë e kurorës që në periudhën mesjetare dhe kjo prerogativë e kurorës është përdorur gjerësisht në marrëdhëniet me jashtë, pa patur përfshirjen e parlamentit. Si rrjedhojë, është në kompetencë të kryeministrit, nën prerogativën e kurorës, të invokojë nenin 50 të TL dhe të fillojë procedurën e daljes. Pra, është në diskrecionin e qeverisë aktuale apo asaj pasuese të fillojë procedurat për daljen sipas nenit 50 TL dhe nuk ka nevojë për asnjë akt të parlamentit për të autorizuar këtë
Barkë shpëtimi?
A është e detyruar kryeministri të aktivizojë nenin 50 të TL pas rezultatit të referendumit të 23 Qershorit dhe a ka ai/ajo pushtet të pengojë daljen?
Kuptohet që marrja e një vendimi për të mos aktivizuar Nenin 50 TL për daljen nga BE pas këtij referendumi ka kosto të mëdha politike, e asnjë qeveri demokratike nuk merr përsipër barrën e të qeverisurit pa legjitimitetin popullor. Megjithatë, edhe këtu ka ende hapësirë për një vullnet politik qeveritar pro qëndrimit në BE.
Nëse vullneti politik i Britanisë është të qëndrojë në BE, për t’i dhënë legjitimitet demokratik një vendimi të tillë, qeveria mund të bëjë një tjetër referendum, por jo siç kërkon peticioni i më shumë se 3 milion britanikëve, pra jo një ripërsëritje të atij të mëparshmit. Një përsëritje e referendumit të mëparshëm me justifikimin që qytetarët britanikë nuk ishin të informuar sa duhet, ka gjasa të merret për fyese dhe të irritojë qytetarët që janë të bindur që më e mira për Britaninë është dalja nga Bashkimi. Ndaj një referendum i dytë do të ishte i përshtatshëm dhe ndoshta një barkë shpëtimi, por vetëm nëse bëhet pas invokimit të nenit 50 TL dhe negocimit të kushteve të daljes me BE. Pra, një skenar potencial mund të jetë që pasardhësi i Cameron të bëjë invokimin e Nenit 50 TL në samitin më të afërt europian në tetor apo nëntor, nën prerogativën e kurorës. Kjo do të bënte që menjëherë të fillonin negociatat për daljen. Pas arritjes së një marrëveshjeje për daljen midis BE dhe Britanisë, populli britanik mund t’i nënshtrohej një tjetër referendumi ku të mund të votonte nëse duan të dalin me kushtet e negociuara me BE, apo të qëndronin në BE. Kjo do të ishte një shans i mirë për krahun Remain, që nëpërmjet një fushate më intensive të mund të kthenin Britaninë sërish në klub. Gjithsesi, mungesa e një garancie që edhe pas këtij refendumi do të fitonte krahu për qëndrimin në BE, mund ta çojë aktorin gjigant, Bashkimin Europian, që të refuzojë të përfundojë shpejt e shpejt negociatat. Një negocim i shpejtë i daljes, mund të inkurajonte vende të tjera që bënin të njëjtën gjë, ndaj pritet që stili i Bashkimit në negociatat me Britaninë të jetë pozicional si fillim. Zgjidhja tjetër për të qëndruar brenda Bashkimit është zhvillimi i zgjedhjeve të përgjithshme, ku partia fituese të ketë një mandat të fortë pro qëndrimit në BE. Fitorja e platformës pro qëndrimit në BE, do t’i jepte legjitimitet qeverisë për të mbajtur vendin brenda Bashkimit, duke e veshur vendimin për qëndrimin në BE me legjitimitetin popullor.
Aktivizimi i Nenit 50 TL me një akt të parlamentit
Një grup akademikësh kanë dalë me tezën se invokimi i nenit 50 TL nga qeveria do të ishte një vendim në kundërshtim me kushtetutën britanike dhe nuk do të plotësonte kërkesat e nenit 50 (1) TL dhe se një vendim të tillë mund ta marrë vetëm parlamenti britanik. Sipas juristëve që mbrojnë këtë tezë, duke qenë se Britania është demokraci parlamentare, është parlamenti e jo qeveria që ka tagrin të ndërmarrë vendime të rëndësishme që prekin të drejtat e qytetarëve britanikë që burojnë nga anëtarësimi në BE, si edhe të vendosë kohën e invokimit të nenit 50 dhe pasojat e referendumit. Invokimi i nenit 50 TL do të passjellë ndryshime kushtetuese në Britani. Si rrjedhojë nuk mund që këto ndryshime kushtetuese t’i lihen kryeministrit, por duhet të autorizohen nga parlamenti, i cili ka sovranitetin dhe legjitimitetin për të bërë ndryshimet kushtetuese në Britani
Argumentin që vendimi për daljen duhet të jetë vendim ekzekutiv sepse marrëdhëniet ndërkombëtare janë prerogativë e kurorës, disa juristë britanikë e hedhin poshtë duke sjellë parime të common law, të cilat kanë sanksionuar se qeveria nuk mund të anullojë apo t’iu heqë të drejta individëve pa miratimin e parlamentit. Prerogativa e ekzekutivit nuk mund të anullojë të drejtat statutore. Duke qenë se anëtarësia në Bashkimin Europian iu jep të drejta qytetarëve britanikë, disa të inkorporuara në statute dhe disa që burojnë drejtpërdrejt nga Traktatet, nuk mundet që anulimi i këtyre të drejtave të bëhet vetëm me një vendim ekzekutiv.
Për më tepër, ka juristë që sjellin në vëmendje ndryshimet kushtetuese të 2010-s, me ligjin për Reformën Kushtetuese dhe Qeverisjen, i cili i jep parlamentit të drejtën të refuzojë dhënien e pëlqimit për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Duke qenë se përfundimi i negociatave në bazë të nenit 50 TL do të jetë një marrëveshje ndërkombëtare, kjo do të kërkojë pëlqimin e parlamentit, ndaj përforcohet mendimi se parlamenti duhet të japë pëlqimin para aktivizimit të nenit 50 TL, si edhe për marrëveshjen e negociuar, veçanërisht pozitën e BM në tregun e përbashkët. Nuk ka kuptim të negociojë qeveria një marrëveshje me BE, te cilën parlamenti më pas do ta hidhte poshtë.
Po kështu, anëtarësimi i Britanisë në Bashkimin Europian është bërë nëpërmjet Ligjit të Komunitetit Europian të miratuar në parlamënt në 1972. Ndryshimi i European Community Act i vitit 1972 mund të bëhet vetëm nga parlamenti. Nuk mund që ky ligj të shfuqizohet apo të lihet pa fuqi juridike nga një akt i qeverisë, pasi kjo prek balancën e ndarjes së pushteteve.
Si rrjedhojë, para se qeveria të njoftojë në Këshillin Europian vendimi për të dalë nga BE, duhet që Parlamenti të nxjerrë një statut që i kërkon apo autorizon kryeministrin të aktivizojë nenin 50 TL dhe të autorizojë qeverinë që të bëjë ndryshimet e nevojshme kushtetuese për të nxjerrë vendin nga Bashkimi. Mosndjekja e një procedure të tillë për nxjerrjen e Britanisë nga Bashkimi do të ishte në kundërshtim me traditën kushtetuese britanike, si edhe shkelje e kërkesave të Nenit 50 (1) TL.
Barkë shpëtimi?
A ka parlamenti hapësirë për të penguar daljen e Britanisë nga BE, pavarësisht rezultatit të referendumit?
Edhe pse nga pikëpamja kushtetuese i takon parlamentit të nxjerrë vendimin për daljen e Britanisë nga BE, nga pikëpamja ligjore kushtetuese parlamenti nuk ka detyrim të nxjerrë një statut që reflekton rezultatin e referendumit. Është e drejta e parlamentit që të diskutojë rezultatet e referendumit të 23 Qershorit dhe në fund të mos e autorizojë qeverinë për të aktivizuar nenin 50 TL për daljen nga Bashkimi. Referendumi i 23 Qershorit nuk ishte ligjërisht i detyrueshëm, por vetëm rekomandues. Në këtë skenar është e kuptueshme që anëtarëve të parlamentit do ju duhej të përballeshin me reagimin e elektoratit të tyre që ka votuar për daljen nga Bashkimi, por kjo do të ishte një kosto politike që vetë deputetet do të ndërmerrnin në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme.
Akuzave që një vendim i tillë nuk do të ishte demokratik dhe nuk do të pasqyronte vullnetin popullor, i kundërpërgjigjen mirë argumentet se Britania është demokraci përfaqësuese dhe jo demokraci e drejtpërdrejtë dhe se është në të drejtën e parlamentit të vendosë për çështje të tilla kushtetuese. Për më tepër, vlen argumenti që kur elektorati vendosi për të dalë nuk ishte i informuar për kushtet, pasojat dhe procedurat e daljes, ndaj rezultati i referendumit duhet të diskutohet në parlament dhe më pas, parlamenti të marrë vendimin që është në interesin më të lartë të vendit. Kështu, parlamenti pretendoi se invokimi i Nenit 50 TL është në kundërshtim me interesin kombëtar. Kjo sepse negocimi me 27 shtetet e tjera anëtare do të vendoste Britaninë në pozitë jo të favorshme negociuese, apo se do të prekte elemente kyçe të ekonomisë si aksesi në tregun e përbashkët europian, ndaj është e drejtë kushtetuese e parlamentit të vendosë për dhënien e këtij autorizimi apo jo për daljen.
Sa më sipër, është e qartë se pavarësisht rezultatit të referendumit, ka hapësira ligjore që Britania të mos dalë nga Bashkimi dhe se do varet nga vullneti politik nëse këto hapësira do të shfrytëzohen për ta mbajtur Britaninë brenda Bashkimit. Megjithatë, të gjitha debatet më sipër i ngjajnë vetëm një preludi që paraprin një pjesë të gjatë e të vështirë instrumentale, pasi (nëse) Britania vendos të invokojë nenin 50 (1) TL, do të duhet të kalojë në notat e rënda procedurale që pasojnë në nenin 50 (2)- 50 (4) të Traktatit të Lisbonës.
Çfarë ndodh pas aktivizimit të nenit 50 TL?
Pas marrjes së vendimit për daljen sipas kërkesave kushtetuese, qeveria britanike do të duhet të njoftojë Këshillin Europian dhe do të fillojnë negociatat për kushtet e daljes si edhe marrëdhënien që Bashkimi Europian do të ketë me Britaninë në të ardhmen. Këto negociata mund të zgjasin dy vjet ose më shumë. Britania do të vijojë të ketë detyrimin të respektojë Traktatet e BE deri në momentin e hyrjes në fuqi të marrëveshjes së daljes, ose nëse BE dhe Britania nuk arrijnë të bien dakord për një marrëveshje, traktatet e BE nuk do të kenë më efekt 2 vjet pas njoftimit të vendimit të Britanisë për daljen në Këshillin Europian. Nga ana tjetër, me marrëveshje me unanimitet mes shteteve anëtare, mund të vendoset që kjo periudhë negociatash të zgjatet përtej afatit 2-vjeçar të parashikuar në Traktat.
Gjatë këtyre dy apo më shumë viteve, derisa të dalë ligjërisht nga BE, Britania do të duhet të respektojë legjislacionin e BE, por nuk do të ketë më zë në vendimmarrjen europiane. Edhe pse ka disa juristë që kërkojnë shfuqizimin e aktit të anëtarësimit të BE të 1972 menjëherë pas njoftimit të vendimit në Këshillin Europian, për të mos e lidhur Britaninë me detyrimin e respektimit të legjislacionit europian gjatë periudhës së negociatave, kjo nuk është shumë e rekomandueshme. Së pari, traktati e thotë qartë se shteti nuk është më një shtet europian vetëm pas kalimit të afatit 2-vjeçar, apo një afati tjetër të caktuar me marrëveshje. Për rrjedhojë, deri në skadimin e këtij afati Britania do të vijojë të jetë një shtet anëtar e nëse nuk respekton legjislacionin europian, mund të paditet nga Komisioni Europian në Gjykatën Europiane të Drejtësisë për shkelje traktati në bazë të nenit 258 TFBE. Së dyti, nga pikëpamja e zhvillimit të negociatave ndërkombëtare, një tension tjetër midis Britanisë dhe BE për mosrespektim të legjislacionit, nuk do të ishte i sugjerueshëm.
Negociatat do të jenë një ushtrim i vështirë për Britaninë, e cila duhet të negociojë me 27 shtetet e mbetura anëtare, e gjithashtu edhe me Bashkimin Europian, çka do të jetë një ushtrim ezaurues për grupet negociatore të Britanisë. Në fund, marrëveshja e negociuar për daljen duhet të miratohet me shumicë të cilësuar në Këshillin Europian dhe të aprovohet me shumicë absolute nga Parlamenti Europian.
Pas miratimit të marrëveshjes për daljen, do të duhet të negociohet me detaje një tjetërmarrëveshje ndërkombëtare për marrëdhëniet e Britanisë me Bashkimin Europian në të ardhmen. Gjetja e një modeli të përshtatshëm për marrëdhënien e Britanisë me BE në të ardhmen nuk është një ushtrim i lehtë. Do të jetë marrëdhënie e ardhshme e Britanisë me BE, një marrëdhënie e ngjashme me Norvegjinë dhe vendet e Zonës Ekonomike Europiane? E ngjashme me Zvicrën, me Kanadanë, apo Turqinë? Apo një marrëveshje e veçantë? Kuadri i marrëdhënieve të Britanisë me Bashkimin Europian duhet menduar mirë, pasi efektet e saj do të jenë të mëdha si në tregjet ekonomike, financiare, jetën e qytetarëve, aleancave politike dhe të sigurisë.
Marrëdhënia e Bashkimit Europian dhe Britanisë ka patur shpesh herë pika të nxehta kontakti: referendumi i vitit 1975 për qëndrimin ose jo të Britanisë në Komunitetin Europian, debatet e ashpra të Thatcher për kontributin në buxhetin europian dhe administrimin e politikës bujqësore 1980-84, debate për protokollin e mbrojtjes sociale të punëtorëve, reagime për Traktatin e Maastricht-it, Ligji për Bashkimin Europian në 2011 etj., kanë shoqëruar raportin 43-vjeçar të Britanisë me BE. Ajo çka mund të vihet re nga raporti i marrëdhënieve Britani – Bashkim Europian, është që Britania ka ruajtur me shumë xhelozi “sovranitetin”, ndërkohë që Bashkimi kërkon vazhdimisht një thellim integrimi. Britania është shteti anëtar me më shumë rezerva në traktatet e Bashkimit. Aktualisht Britania ka bërë rezerva në katër fusha të rëndësishme të Bashkimit si: politika e përbashkët monetare, zona Schengen, legjislacioni për drejtësinë dhe punët e brendshme, si edhe Karta e Bashkimit Europian për të Drejtat themelore të Njeriut.
Ky është një moment kyç për marrëdhëniet e Britanisë me Bashkimin Europian. Nga ana procedurale, duket se është më e lehtë që Britania të shmangë daljen, sesa të kalojë në këtë proces të dhimbshëm të largimit të Nenit 50 të Traktatit të Lisbonës. Megjithatë, nga pikëpamja përmbajtësore duket se të dyja palët kanë mosmarrëveshje thelbësore të vazhdueshme, e “dy veta nëse nuk bien në një mendje më parë, nuk mund të ecin bashkë (cit. Bibla)” .
Cilido të jetë vendimi i Britanisë, të qëndrojë me një status të veçantë brenda familjes, apo të dalë jashtë saj, si Britania, ashtu edhe Bashkimi nuk do të jenë më njëlloj pas referendumit të 23 Qershorit.

Related

Top Lajm 4799848104217999305

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item