Pas vrasjeve, thirrje për bashkim, por Amerika mbetet e përçarë

Ruben Avxhiu Shumë aktivistë zezakë kanë dënuar vrasjen e policëve të pafajshëm, dukë thënë se vrasësi Micah Johnson, hoqi vëmendjen p...

Ruben Avxhiu

Shumë aktivistë zezakë kanë dënuar vrasjen e policëve të pafajshëm, dukë thënë se vrasësi Micah Johnson, hoqi vëmendjen publike nga kauza e protestës duke e mbledhur në mënyrë egoiste te vetja.
Por nuk janë të gjithë në këtë mendje. E vërteta është që plot të rinj, në rrjetet sociale kanë shprehur solidaritet me vrasësin, duke thënë se edhe nëse nuk bien dakord me aktin, e kuptojnë atë. Ata kanë thënë se policia nuk po tregon asnjë mëshirë për të rinjtë zezakë kështu që nuk ka arsye pse këta të mos armatosen për t’u kundërpërgjigjur.
Ironia këtu është që policia në Dallas ka një marrëdhënie të jashtëzakonshme me komunitetin. Gjatë protestës kundër vrasjeve të të rinjve zezakë, policët e Dallasit ishin solidarizuar me protestuesit. Në rrjetet sociale, policia e qytetit u bënte jehonë parrullave dhe kërkesave të demonstruesve.
Nuk ishte rastësi që policë afrikano-amerikanë derdhën lotë të hidhur për kolegët e tyre të uniformave blu.
Rastësia e do që vetë shefit të policisë së Dallasit i është vrarë djali gjatë një shkëmbimi me armë me policinë.
Ishte domethënëse, komentoi dikush, që kur filluan të shtënat, turma e protestuesve u tmerrua dhe u largua në panik, kurse policët nuk u fshehën po vrapuan drejt burimit nga po qëlloheshin plumbat. Ishte një moment symbolik që solli në kujtesë misionin e rëndësishëm që kanë uniformat blu shoqërinë njerëzore.
Po masakra erdhi pas një serie vrasjesh të afrikano-amerikanëve nga policia, ku në fund të hetimit apo gjykimi policët janë shpallur të pafajshëm. Disa nga këto raste kanë qenë më pak bindëse se të tjerat. Në një rast të fundit, një zezak, Phalindo Castile, u vra në makinën e tij kur po zgjaste dorën të merrte letërnjoftimin.
Polici është justifikuar se mendoi që ai po nxirrte armën dhe e qëlloi nga frika, jo nga racizmi. Ai mund të jetë duke thënë të vërtetën ose jo, por Amerika pa të transmetuar drejtpërdrejtë në Facebook momentin e vdekjes së 32-vjeçarit që ishte në makinë me të dashurën dhe vajzën e saj 4-vjeçare. Ishte një skenë e tmerrshme dhe shumë e rëndë.
Ashtu si rastin e vdekjes së Freddy Grey-t në Baltimore ku disa nga policët vetë ishin zezakë, në Minnesotta, polici që qëlloi ishte hispanik. Disa kritikë kanë vënë në dukje që policët reagojnë në mënyrë të skajshme se janë mësuar që rreziku u vjen më shumë nga afrikano-amerikanë. Të tjerë e quajnë këtë justifikim si racist.
Ata që kundërshtojnë protestat e organizatës Jetët e Zeza Kanë Rëndësi, nënvizojnë se zezakët vrasin njëri-tjetrin në numra shumë më të mëdhenj sesa vriten nga policia apo të bardhët. Po ashtu thonë se policia vret më shumë të bardhë pa dashje sesa zezakë.
Disa analistë druhen se mëria ndaj reagimit të komunitetit afrikano-amerikan do të shfrytëzohet nga kandidati Donald Trump për të marrë më shumë vota nga të bardhët në SHBA.
Philando Castile, në Minnesotta ishte ndaluar më shumë se 50 herë në vitet e fundit, për gjërat nga më të voglat. Ky fakt është komentuar si tregues që zezakët paragjykohen nga policia ndonëse të ndaluarit e pakicave nuk kapen me më shumë shkelje se sa shumica e bardhë evendit.
Shumë zëra po kërkojnë që tragjeditë të bëhen arsye për një diskutim mbarëkombëtar që të luftojë njëkohësisht edhe kriminalitetin në komunitetet e varfra dhe të pakicave por edhe racizmin e paragjykimet e thella në polici dhe sistemin gjyqësor amerikan.
Kjo nuk do të jetë e lehtë. Një numër në rritje aktivistësh kanë humbur besimin se zezakët do të pranohen ndonjëherë plotësisht nga shoqëria amerikae, kurse nga ana tjetër, në krahun e djathtë gjithnjë e më shumë është thelluar ideja se nga pargjykimet po vuan në fakt policia, ndërsa rastet e të bardhëve që diskriminohen nuk përmenden më në media, rastet e zezakëve fryhen duke mos e përfillur ligjin.
Mungesa e besimit në disa segmente të popullatës mbetet e thellë.

Related

Opinione 7170201747478456898

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item