Historia/ Si u kthyen kamarierët grekë në barinj dhish nga kriza e emigrantëve

Lesbos Periudha e sezonit turistik nga prilli në tetor që mban banorët e ishullit është zhdukur, ndërsa pensionistët europianë të shtr...

Lesbos
Periudha e sezonit turistik nga prilli në tetor që mban banorët e ishullit është zhdukur, ndërsa pensionistët europianë të shtresës së mesme dhe familjet e reja me fëmijë vendosën se nuk do t’i kalonin pushimet e tyre në një ishull që në 18 muajt e fundit priti rreth 600 mijë emigrantë
Në ishujt lindorë të Greqisë, fytyra e fshehur e krizës së refugjatëve në Europë është përditshmëria e një djaloshi si Theodhor Kurniarisi, i cili ka frikë se është mashtruar. Ai ia hedh fajin jo vetëm presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, i cili hedh bomba mbi njerëzit e vet, por edhe liderëve europianë si kancelarja gjermane, Angela Merkel, që u hapi dyert emigrantëve e pastaj ua përplasi fytyrës.
Kourniaris, 27-vjeçar, është një kamerier grek, i cili jeton me të ëmën. Ai ka kaluar çdo sezon veror që kur ishte fëmijë duke mbajtur me vështirësi shishe vere retsina dhe pjata me oktapod të skuqur në zgarë, që i çonte te turistët qejflinj holandezë, gjermanë dhe anglezë në tavernat e mbushura plot e përplot të fshatit të tij piktoresk buzë detit, Malivas të Lesbosit.
Ku janë turistët?
“Ata kanë ikur mor burrë”, tha Kurniaris-i për “Washington Post”. Periudha e sezonit turistik nga prilli në tetor që mban banorët e ishullit është zhdukur, ndërsa pensionistët europianë të shtresës së mesme dhe familjet e reja me fëmijë vendosën se nuk do t’i kalonin pushimet e tyre në një ishull që në 18 muajt e fundit priti rreth 600 mijë emigrantë të cilët iu larguan luftës në atdheun e tyre.
Për të mbijetuar, Kurniarisi do t’i kalojë muajt e dimrit, nëse është me fat, duke mjelë dhitë. “Me dorë, – shtoi ai – Qindra prej tyre”. Për $25 dita.
I riu bën shaka dhe thotë se nëse njerëzve nuk u intereson fakti që ai dhe mijëra grekë të tjerë kanë humbur punët, atëherë le ta provojnë njëherë të mjelin dhitë.
Pa sezonin veror që gëlon nga turistët, Kournarisi jo vetëm do të humbë rrogën e tij në restorant, por gjithashtu mund t’i mohohen tre muaj shërbim social nga shteti, të ardhura që ai mbështetet për të kaluar dimrin. I riu do të humbë edhe shërbimin shëndetësor.
Pa punë deri në mes të korrikut, ai ia doli të gjente një punë me kohë të pjesshme disa orë në javë në një kafene. “Mezi po e mbaj kokën mbi ujë”, shtoi.
Vitin e kaluar kishte shumë turistë në ishull gjatë momenteve më të vështira të krizës. Dhe me mijëra azilkërkues që mbërrinin në vend çdo ditë.
“Ata vinin këtu sipër në plazhin tonë, ja mu këtu”, tha Dimitris Vatis, 71 vjeç, pronari i hotel “Afroditës”, duke treguar nga plazhi me guralecë në një gji të vogël të vetmuar.
Ai kujton se anëtarët e stafit u kërkonin falje turistëve dhe me vrap hidheshin në ujë për të nxjerrë fëmijët në breg.
I ulur në një tavolinë buzë detit në ngjyrë të errët, pronari hapi librin e rezervimeve dhe psherëtiu. Për 2015-n, të gjitha faqet ishin të ngjyrosura në të kuqe, duke treguar se thuajse çdo dhomë ishte prenotuar. Kurse për 2016-n, faqet janë thuajse të bardha, duke treguar boshllëk.
“Ne na duket sikur asnjërit nuk i intereson për ne. Asnjë nuk ndalet për një moment për të menduar për shkakun dhe efektet e këtyre gjërave”, u shpreh Vatis. “Ne i dëgjojmë ata. Tani na thërrasin fashistë, sepse ne ankohemi. Por ne i ndihmuam refugjatët përpara çdokujt tjetër. Madje, përpara organizatave joqeveritare, OKB-së, ishim ne që iu gjendëm pranë. Kurse kur shfaq pak kundërshti ndaj emigrantëve, kur thua: prit një minutë, na kthehesh në fashist”.
Dështimi i turizmit
Turizmi ka dështuar këtë vit. “Kjo situatë është më e keqja në 50 vitet e fundit në ishull”, u shpreh Perikli Antoniu, president i Shoqatës së Hotelerisë së Lesbosit dhe pronar i hotelit Heliotrope.
Shumë udhëtime charter-ësh janë anuluar dhe madje fluturimet nga Athina kanë rënë shumë. Anijet kroçera nuk e preferojnë më Lesbosin si destinacion. Agjencitë turistike nuk preferojnë më ishujt lindorë të Greqisë, dhe prenotimet kanë rënë nga 70 deri në 90%. “Unë nuk ia vë fajin medias, – deklaroi ai. – Por përse mediat kur flasin për emigrantët e luftës dhe Greqinë tregojnë foton e atij fëmijës në breg të mbytur? Fëmija u gjet në bregun turk, jo në Greqi”.
Melinda Mekrosti, e cila menaxhon një tavernë në portin e Molivosit me të shoqin, Theodhorin thotë: “Tani me vështirësi mund të gjesh një refugjat këtu. Njerëzit ishin të shokuar, pastaj ata ndihmuan refugjatët, shumë. Në këto kohë ata janë të inatosur dhe unë e kuptoj. Ata kanë frikë. Madje pyesin nëse edhe vetë do të kthehen në refugjatë”.
Në mars, një marrëveshje u nënshkrua mes Bashkimit Europian dhe Turqisë për rikthimin e azilkërkuesve, e që atëherë dyndjet e emigrantëve kanë rënë, por jo shuar plotësisht.
Ka rreth 42 mijë emigrantë që ndodhen në kampe në Greqi dhe 8 mijë të tjerë që kanë ngecur në ishujt lindorë. Rreth 3 mijë prej tyre aktualisht qëndrojnë në dy kampe në ishullin Lesbos.
Me varfërinë që ka goditur botën, goditja që ka marrë turizmi mund të mos shikohet si ndonjë problem i madh sipas 27-vjeçarit.
“Ende nuk po shikojmë njerëz që hanë nga kazanët e plehrave”, tha Kurniaris. “Por këtë dimër? Edhe mund”.
Rafael Vuasi, 54 vjeç, e mbylli restorantin e tij mjaft të njohur, “Sansibal”. Pas 23 vitesh në ishull nuk kishte mjaftueshëm klientë që biznesi të mbahej hapur dhe stafi të paguhej. Kjo do të thotë 7 grekë të tjerë pa punë. “Tani unë jam turisti”, tha pronari.
Tani ai i kalon ditët në plazh ose i ulur në lokal duke pirë kafe. “Më shikoni, aktualisht jam unë që kam marrë ngjyrë në trup”, u shpreh 54- vjeçari me trishtim.
Të ndierë të braktisur
Për burokratët në Bruksel, situata përshkruhet si disa ishuj që kanë probleme ekonomike, por që do ta marrin veten. Bashkimi Europian e ka mendjen tek integrimi i mbi 1 milion emigrantëve të ardhur nga Siria. As Athina nuk ka plane për t’i ringritur këto biznese familjare.
Banorët lokalë nuk pendohen që kanë ndihmuar refugjatët e luftës nga Siria. Madje ata theksojnë se do të përsërisin diçka të tillë. Por tani ndihen disi të braktisur.
Grekët e Lesbosit e kuptojnë apelin e refugjatëve. Vetë ata janë pasardhës të njerëzve, të cilët përjetuan përvoja të ngjashme. Paraardhësit e tyre u larguan me forcë nga Turqia, ashtu si dhe myslimanët turq nga Lesbosi pak pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore.
Banorët thonë se ata gjetën në plazhe shumë pasaporta të hedhura të personave me shtetësi marokene, iraniane, pakistaneze.
“Jo të gjithë emigrantët ishin nga Siria, që i largoheshin luftës”, tha 39-vjeçari Mikael Konstantelis, i cili ka punuar si kamerier, DJ dhe agjent udhëtimi.
Të njëjtat ndjesi, këto copëza historish inati po shpërndahen rreth e përqark Europës.
Imazhet e zbarkimit të emigrantëve në Lesbos ndikuan në votën pro daljes së Britanisë nga BE-ja dhe po ngjallin ndjesi antiemigracion edhe në Austri, Francë dhe Danimarkë.
“Këtu po flasim për efektin flutur”, u shpreh Kurniarisi, duke iu referuar idesë se rrahja e flatrës së një insekti në një pjesë të botës mund të ndryshojë motin në një tjetër.
Papa erdhi në ishull për të theksuar krizën e emigrantëve. Kështu bëri edhe sekretari i OKB-së, Ban Ki-moon, Mbretëreshë Rania e Jordanisë dhe aktorja Anxhelina Zholi.
Banorët e Lesbosit janë ndër kandidatët e parë për të fituar çmimin “Nobel” për paqe për bujarinë e tyre.
Të pyetur për këtë, vetë ata të përgjigjen: Ne nuk mund të hamë çmime./shqip/a.k

Related

Reportazhe 6220597863523070363

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item