Ca fjalë për ata që justifikojnë terroristët?!

Nga Blendi Fevziu Vrasësit nuk kanë mëshirë! Vrasësit nuk kanë zemër. Vrasësit janë të mbushur me urrjetje. I tillë ka qenë edhe ter...

Nga Blendi Fevziu

Vrasësit nuk kanë mëshirë! Vrasësit nuk kanë zemër. Vrasësit janë të mbushur me urrjetje. I tillë ka qenë edhe terroristi që hyri dje në mbrëmje me kamionin e tij në një nga bulevardet më të bukur të botës, në “Promenade des anglais” në Nice. Hyri ndërsa mijëra e mijëra vetë kishin dalë të festonin ditën e pavarësisë së Francës dhe të shijonin mbrëmjen e mrekullueshme mesdhetare. Pa e ditur se për 83 prej tyre kjo do të ishte mbrëmja e fundit e jetës. Për disa madje mbrëmja e fundit e një jetë shumë të shkurtër. 54 prej tyre ishin fëmijë. Disa me kukullat në duar, disa me makina të ngjashme me kamionin që u sul si përbindësh drejt tyre. U vërsul pa mëshirë, i eksituar nga ulërimat e tmerrit dhe i motivuar nga dhimbja që po ju shkaktonte atyre njerëzve. Të gjithë të pafajshëm, të gjithë paqësorë, të gjithë shumë larg dilemave dhe problemeve që trazojnë kokën e sëmurë të një terroristi.
U bë kohë që bota është trazuar nga ky fenomen i lashtë por i rikthyer vrullshëm. U bë kohë që njerez të pafajshëm humbin jetën si pasojë e një marrëzie që ka pushtuar globin ose e një fanatizmi ekstrem. Nga Parisi në Bruksel, nga Stambolli në Daka, nga Bagdadi në Nice. Kam vënë re që në rrjetet sociale ka edhe njerëz që duan t’i justifikojnë. Me stil dhe me kujdes, por që në thelb justifikimi mbetet justifikim. Ka njerëz që e lidhin aktin e tyre me sjelljen e Fuqive të mëdha botërore, me Amerikën apo Izraelin. Me politikat globale dhe me Lindjen e mesme. E pashë edhe dje në mbrëmje, kur kishte njerëz që pysnin: po fëmijët e Palestinës? Po fëmijët e Irakut? Po, humbja e jetës dhe dhimbja është e njëjtë për të gjithë. Cdo fëmijë është një engjëll që i merret përdhunshëm kësaj bote dhe kësaj jete. Kudo që të jetojë, në Gaza apo në Nju Jork, në Mosul apo në Londër. Po të guxosh të bësh krahasime dhe të justifikosh një terrorist është po kaq kriminale në thelb. Terroristët nuk kanë ideologji; nuk kanë as bindje. Terroristët nuk janë trima. Janë njerëz të trishtuar dhe të mbushur me urrjejtjen ndaj kësaj bote. Të mbushur me mllef. Ata urrjenë këdo. Fqinjin që shkon në mëngjes në punë; kolegun e zyrës, vajzat e bukura që dalin në takim, fëmijët që hedhin hapat e parë duke bëlbëzuar fjalët në rrokje. Ata nuk vrasin në emër të fëmijëve të vrarë. Ata vrasin njerëz të pafajshëm sepse në thelb nuk durojnë dot një botë të mirë, nuk durojnë njerëz të lumtur; nuk durojnë normalitetin. Ata vrasin për të zbrazur gjithë mllefin e tyre ndaj kësaj bote, bote normale, të cilës nuk i kanë përkitur dot kurrë. Dhe për faj të askujt përveç vetes. Ata janë vrasës të rëndomtë, por edhe më të këqinj se kriminelët me pagesë. Edhe pse në thelb janë një tipologji. Ndaj të tentosh t’ju japësh atyre mbulëse ideologjike apo t’i lidhësh me një filozofi apo besim të caktuar, është thjeshtë një krim i ngjashëm me atë që bëjnë ata. Janë thjeshtë vrasës, vrasës frikacakë. Që nuk kanë frikë vetëm nga njerëzit, por nga jeta. Nga Jeta që tentojnë të shuajnë përdhunshëm…
Blendi Fevziu

Related

Opinione 6242960551677108922

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item