Antagonisti Pashko, fundi i epokës së intelektualit politikan

Gazetari Armand Shkullaku si skenarist dhe regjisori Roland Sejko sjellin filmin dokumentar “Antagonisti” për figurën e Gramoz Pashkos...


Gazetari Armand Shkullaku si skenarist dhe regjisori Roland Sejko sjellin filmin dokumentar “Antagonisti” për figurën e Gramoz Pashkos.
Në muajin korrik bëhen plot 10 vite që Gramoz Pashko është ndarë nga jeta, por emri i tij është ngritur mbi këtë humbje të hershme të tij, duke u vlerësuar për rolin e tij në zhvillimet e ’90-ës dhe figurën e intelektualit liberal. Në këtë 10-vjetor, emri i Pashkos do të përkujtohet me dy ngjarje të rëndësishme, premiera e filmit dokumentar “Antagonisti” me regji të Roland  Sejkos, skenar të Armand Shkullakut dhe ide të Henri Çilit, si dhe lançimin e “Institutit Europian Pashko”, pjesë e grupit “Iniciativa Europiane për Edukim”.
Premiera e filmit që do të shfaqet sot në orën 19:30 në Kinema Milenium tenton të sjellë në dritë të plotë figurën e intelektualit, politikanit, ekonomistit dhe njeriut Pashko në të gjitha dimensionet e tij, nëpërmjet dëshmive të bashkëkohësve, miqve e të afërmve të tij. Një figurë shumëdimensionale si Pashko krijoi dhe konfuzionin e autorëve në gjetjen e një titulli për filmin deri në fund për të përfunduar tek “Antagonisti”, si një nga emërtimet që do t’i shkonte më shumë figurës së tij. Realizimi i filmit u mbështet nga Fondacioni për Liri Ekonomike, një organizëm që mbështet dhe promovon idetë liberale në ekonomi.
Skenaristi Shkullaku në një intervistë për gazetën Mapo thotë se ikja e Pashkos shënoi dhe fundin e epokës së politikanit intelektual. 
Pse “Antagonisti”? Ky emërtim erdhi pasi u përfundua dokumentari, apo ishte nxitës që në nisje Pashko si figurë antagoniste?
Titulli i dokumentarit erdhi disa kohë pas përfundimit të tij. Nuk ishte e lehtë të qëlloje me një titull për të prezantuar një personalitet të fuqishëm dhe shumëdimensional si Gramoz Pashko. Për të përkufizuar si anën e tij personale ashtu edhe atë politike e sociale. Deri vonë, dokumentari mbante thjesht titullin “Pashko” dhe na dukej sikur vetëm emri, dhe asnjë fjalë tjetër, ishte në gjendje të mbante peshën e njeriut që përfaqësonte.
Në fund, duke e ditur që duhej të gjenim një titull, regjisori, Roland Sejko, i cili kishte kaluar qindra orë me materialet e arkivave, intervistat, situatat dhe detajet e mbi 20 viteve të jetës së Pashkos por edhe të historisë së re të Shqipërisë njëkohësisht, propozoi “Antagonisti”. Pas dilemash dhe ende me dyshimin e mbetur nëse ky titull është i qëlluari, vendosëm për të.
“Antagonisti” mund të jetë një nga përcaktimet e shumta që do t’i bëheshin figurës së Pashkos. Por gjithsesi duket më i ploti. Gramoz Pashko ishte gjithnjë një rebel, edhe atëherë kur dukej se pranonte kompromisin. Shpirti e tij e gjente paqen vetëm kur pranimi vinte nëpërmjet kundërshtimit, dyshimit, debatit, refuzimit dhe përpjekjes intelektuale për të mbërritur tek e përsosura. Ashtu ka qenë para viteve ’90, gjatë ndryshimeve të dhjetorit, gjatë pak muajve kur drejtonte Shqipërinë e tranzicionit, gjatë përplasjeve të forta në PD dhe ashtu vazhdoi në të gjithë karrierën e tij politike dhe profesionale. Një lapidar i mendimit të lirë që i shpërfillte pasojat që kjo liri mund t’i sillte. Për atë ishte i gatshëm të paguante çdo çmim dhe nuk pagoi pak.
Gramoz Pashko është një ndër personalitetet më të rëndësishme të asaj kohe. Një personazh që na vjen në më shumë se një dimension. Në fakt cili është Gramoz Pashko “i zbuluar” për ju me pak fjalë?
Me pak fjalë ndoshta është e vështirë, por besoj se filmi i Sejkos zbulon thuajse gjithë përmasat e Gramoz Pashkos, që me ikjen e tij, mendoj se shënoi edhe fundin e epokës së intelektualit politikan. Të atyre individëve që me dijen dhe lirinë e tyre kanë ndryshuar fatet e kombeve. Që hyjnë në politikë për mision dhe jo për koniunkturë. Për të ndriçuar me mendjen e tyre dhe jo për të vegjetuar në uniformitetin e politikanëve të rëndomtë. Pashko është ai lloj personaliteti që çdo komb do të ndihej i nderuar ta rendiste në elitën e tij.
Ne jemi munduar të zbulojmë sa më shumë aspekte nga jeta e një njeriu duke e lënë atë të rrjedhë atë thjesht në dokumentar, si një tablo e një epoke historike, ku personazhi ynë ishte padyshim njëri nga ata që la një gjurmë të veçantë. Jo vetëm si protagonist, por si model i fuqisë së mendjes dhe pasionit të lirisë.
Pse zgjodhët një Pashko të ‘rikujtuar’ nga miqtë, familjarët dhe bashkëkohësit në vend të një Pashko të treguar në mënyrë rrëfimtare?
Regjisori dhe miku Roland Sejko, një emër i njohur ndërkombëtarisht tashmë në filmin dokumentar, nuk preferon tekstin si mjet rrëfimi. Imazhet, dëshmitë dhe përjetimet e personazheve janë zgjedhja e tij si mënyra më e mirë për të shmangur çdo lloj qëndrimi apo anësie që një tekst i shkruar potencialisht i mbart në germat e tij. Autori i tekstit e ka të vështirë ta asgjësojë subjektivitetin e tij, ndaj Sejko preferon të mos i trazojë dëshmitë dhe përjetimet e personazheve me ndikimin, aktualitetin dhe sinjalistikën e pashmangshme të një rrëfimi të shkruar paraprakisht. Edhe në punët e tij të mëparshme, Sejko ka përdorur të njëjtën formë artistike.
Është një zgjedhje shumë më e vështirë, por që kur arrihet prodhon vërtet punë të shkëlqyera. Shpresoj që me filmin “Antagonisti” të kemi bërë diçka të mirë.
Si e keni bërë zgjedhjen e personazheve të flasin për Gramoz Pashkon?
Nuk ishte e lehtë. Gramoz Pashko ka qenë një njeri i veçantë edhe sa u përket marrëdhënieve njerëzore. I aftë për t’u ulur e për të biseduar si i barabartë si me liderë europianë ashtu edhe me njerëz të thjeshtë kudo që i takonte. Me magnetizmin që rrezatonte ishte i rrethuar nga qindra miq e shokë. Nga emra të njohur botërorë të politikës, gazetarisë, filozofisë e deri tek ata që kishte ndeshur fshatrave dhe rrugëve të Shqipërisë.
Për Gramoz Pashkon mund të flisnin të gjithë këta njerëz, që e njihnin nga afër dhe kishin kaluar pjesë të jetës së tyre me të. Që i ishin gjendur pranë në ditët më të vështira të jetës së tij. Përzgjedhja nuk ishte diçka e kollajshme.
Ne menduam të mbledhim rrëfimet e atyre njerëzve që ishin pjesë e jetës së tij personale, por edhe dëshmitarë të rëndësishëm të jetës së tij politike. Të atyre që mund të tregonin edhe një dimension tjetër të tij, atë që shumë të tjerë, ndonëse mund ta kishin njohur nga afër, vështirë ta kishin zbuluar. Brishtësinë e një njeriu që ishte i aftë t’i hynte çdo sfide, por që njëkohësisht brenda vetes vuante drama të mëdha. Pasioni i tij përvëlues, entuziazmi gati aventuresk, guximi deri në çmenduri, i bënin hije përjetimeve të dhimbshme që i është dashur të përballojë. Ato vetëm pak njerëz kanë mundur t’ia lexojnë në thellësi të zemrës së tij.
Nuk e di se sa ia kemi dalë ta sjellim të plotë një figurë kaq komplekse si Gramoz Pashko. Me bindjen se një film i vetëm nuk do ia dilte kurrë, shpresojmë të kemi arritur diçka.

Related

Intervista 4661990789241398148

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item