Albumi unik: Kadare, shkrimtari botëpushtues

Shqipëria dhe bota në veprën e Kadaresë një album unik që zbulon hartën gjeografike  përmes krijimtarisë së tij, sjellë në dy gjuhë nga ...


Shqipëria dhe bota në veprën e Kadaresë një album unik që zbulon hartën gjeografike  përmes krijimtarisë së tij, sjellë në dy gjuhë nga studiuesi dhe botuesi, Ndriçim Kulla. Pas dy librave në të njëjtën ide, ky album është promovuar një ditë më parë në mjediset e qendrës Rinore duke treguar një model të shkrimtarit se si përmes romaneve vijnë imazhet, fotografohen dhe njihen vendet

Intervistoi: Violeta Murati

“Shqipëria dhe bota në veprën e Kadaresë” është një album interesant, ndoshta i pari në këtë lloj, që ndjek gjurmët gjeografike të shkrimtarit, duke e bërë po vetë një gjë të tillë. Ishin leximet apo imazhet që ngacmuan, si ndodhi?

Ishin përshkrimet e tij të mrekullueshme që më krijonin në mëndje imazhet e vendeve ,qyteteve ,kështjellave,rrugëve maleve ,hapesirave,luginave ,deteve dhe liqeneve. “Shkrimtari, me dashje ose pa dashje, me vullnet tiranik, ose pa kurrfarë vullneti, me rregull ose rrëmujshëm, e krijon një truall artistik. Ky truall mund të jetë vetëm gjashtë metra katrorë, e pra i ngushtë sa një qeli burgu, e mund të jetë gjashtë miliardë, sa një kontinent, kjo s’ ka kurrfarë rëndësie… Është fare e tepërt të thuhet se kjo është një perandori tejet e veçantë ku krijuesi i saj, shkrimtari, është njëherësh edhe kryezot e skllav, edhe sundues e rebel” – thote  Kadare. Kadare e ka fjalën këtu për vendet, hapësirat gjeografike ku zhvillohen ngjarjet e librave të shkrimtarëve, për trojet që ata i përshkruajnë në poezitë dhe në prozën e tyre

Padyshim që është një punë kolosale të evidentosh hartën që ndjek një shkrimtar, sinoret e tij ku shkel, kur menduat këtë album, kishte ndonjë rëndësi sipas jush apo e konsideruat thjesht fenomen?

Në rastin e një vepre aq të gjerë, si ajo e Kadaresë, ku ka aq shumë gjëra që e joshin lexuesin, nuk mund të mos ndodhë ai fenomen që ndodh shpesh me gurët e cmuar. Kështu, është një gjë t’ i shohësh disa lloj gurësh të cmuar, të hedhur grumbull, së bashku me shumë të tjerë, dhe tjetër gjë është t’ i shohësh të ekspozuar, më vete. E njëjta gjë ndodh me përshkrimet e viseve, peisazheve, qyteteve në veprën e Kadaresë. Këto përshkrime shkëlqejnë më tepër si të thuash, nëse ekspozohen të vecuar, të evidentuar dhe të pajisur me foto ilustruese të përzgjedhura në mënyrë të tillë që të përputhen me ato imazhe që shkrimtari ka dashur të prodhojë në imagjinatën e lexuesit.

Në guidën tuaj duke dalë përmes citimeve nga veprat tek vendet që Kadare përshkruan, çfarë mendoni se i jep një lexuesi?

Një album i tillë i shoqëruar dhe me një studim nga ana ime mendoj se  do të shërbejë  si një guidë e mrekullueshme turistike për tërheqjen e turistëve të huaj në hapësirën shqiptare. Vende më të mëdha se tonat paguajnë kompani publicitare të specializuara për të bërë përshkrime të qyteteteve dhe natyrës, që t’i përdorin në guida turistike, kurse ne i kemi këto përshkrime falas nga pena e një shkrimtari të madh ,të cilat unë i kam mbledhur me kujdes për mbi 15 vjet me radhe nga të gjitha veprat e tij. Ne ende nuk kemi një guidë turistike të hapësirës mbarëshqiptare, dhe ky album është një nismë e mirë për këtë. Përshkrimet që Kadare u ka bërë qyteteve dhe natyrës në shumë vende të botës nuk mund të mos tërheqin vëmendjen e lexuesit botëror, kur të paraqiten të përmbledhura në një album. Kjo është edhe një mënyrë që guida turistike e hapësirës shqiptare të shkojë tek lexuesi botëror.

Keni një ide që tërheq në album, idenë se si një shkrimtar “pushton botën”…cilat vende i bie të ketë “pushtuar” Kadare, a lidhet kjo me hapësirat ku njihet ky shkrimtar?

Nëse bën hartën e pushtimeve letrare të Kadaresë na del se kemi të bëjmë me një shkrimtar botëpushtues. Kadareja shkrimtar, kuturisi dhe fitoi atje ku u mundën Napoleoni dhe Aleksandri i Madh. Kadareja hyri në Moskë, madje më tej në Siberi, dhe e nënshtroi dimrin rus. Gjithashtu, Kadareja ndoqi itinerarin e Aleksandrit, kaloi nëpër Turqi, Persi, Egjipt dhe shkoi tutje deri në Kinë. Evropës, e tepërt të thuhet, i ra kryqetërthor. Shkeli në Polin e Veriut, në të dy Amerikat dhe në Afrikë.

Më kujtohet se dikush i ka dhënë meritë, vlerë veprës poetike të Naimit pikërisht për shkak të hartës gjeografike që ai ka përshkruar në poemat e tij, nga ku mund të kuptojmë çfarë shtrirje ka pasur  shekuj më parë. A është kjo një mënyrë intuitive që përdor “hartën” një shkrimtar, apo sipas veprës që ju keni marrë në konsideratë është një projekt koshient nga Kadare? A ka vërtetë poezia atributet e saktësisë së hartës  gjeografike?

Kjo që po thoni ju është interesante vërtet. Edhe Naimi ka një gjeografi vepre duke marrë parasysh kushtet social historike dhe zhvillimore kur ai ka shkruar poemat dhe vjershat e tij , ndoshta meriton një studim të mëtejshëm.Por unë kam zgjedhur Kadarenë sepse duke u marrë shumë me të në raport me shumë shkrimtarë dhe poete të tjerë të rangut botëror më është dukur më unikal në këtë drejtim, si në prozë ashtu edhe në poezi

Qartësia e përshkrimit të vendeve, mjedisit, gjeografisë nga Kadare ju e lidhni me pasionin që ka patur për kinematografinë. Dhe në fakt  disa nga veprat vijnë si në një film. A mendoni se Kadare ka shkruar sipas imazhit të ardhur, apo fjala e ka çuar tek imazhi?

Çdo shkrimtar që kuturis të bëhet një botëpushtues ka një dhunti të veçantë. Dhuntia e këtij lloji e Kadaresë e ka origjinën te pasioni i tij për fotografinë, për kinemanë. Kadare na ka bërë të ditur se ai në rini ënderronte të bëhej kineast, një pasion ky që e ngacmonte deri vonë, aq sa titulli i parë i romanit “Hija”, që ka ngjyrime biografike, është “Kronikë e një kineasti të dështuar”. Dhe ky roman është shkruar kur Kadareja po arrinte në të pesëdhjetat. Nga pasioni për fotografinë dhe kinemanë Kadaresë i ka mbetur dhuntia për të bërë përshkrime të viseve, peizazheve etj., në një mënyrë të tillë që të krijohet përshtypja sikur para syve të tu shfaqet fotografia e vendit apo peizazhit në fjalë. Madje shpesh përshkrimet e Kadaresë janë të tilla që të krijojnë përshtypjen sikur je duke e parë në film vendin apo peizazhin që po na përshkruan autori. Me këtë dhunti të veçantë të shkruari, Kadareja ka mundur të vendosë “garnizonet” e tij të qëndrueshme në hapësirat e pushtuara gjeografike anë e  mbanë botës. Harta e këtyre “garnizoneve” që na shfaqen herë në trajtën e poezisë, herë në atë të prozës, herë midis vjershave dhe poemave, herë midis romaneve, novelave, apo tregimeve, herë midis reportazheve apo intervistave, është me të vërtetë globale. Shpesh nëpër reportazhe ka përshkrime qytetesh, peizazhesh dhe visesh, që do të nderonin një roman të rëndësishëm, por që kanë fatin të keq të mbeten si të thuash në hije, në krahasim me pjesën tjetër të veprës së shkrimtarit. Në vitin 1990, në librin “Ftesë në studio” Kadare bëri si të thuash një bilanc të pushtimeve të tij gjeografike si shkrimtar, ku ndër të tjera thotë

Vetë Kadare duket se është shprehur më herët se ka bërë një bilanc të pushtimeve të tij gjeografike si shkrimtar…duke e quajtur botëpushtues letrar tashmë. Si ka qenë ky itinerar, sipas jush, keni një mendim?

Harta e këtyre “garnizoneve” që na shfaqen herë në trajtën e poezisë, herë në atë të prozës, herë midis vjershave dhe poemave, herë midis romaneve, noveleve, apo tregimeve, herë midis reportazheve apo intervistave, është me të vërtetë globale. Shpesh nëpër reportazhe ka përshkrime qytetesh, peizazhesh dhe visesh, që do të nderonin një roman të rëndësishëm, por që kanë fatin të keq të mbeten si të thuash në hije, në krahasim me pjesën tjetër të veprës së shkrimtarit. Në vitin 1990, në librin “Ftesë në studio” Kadare bëri si të thuash një bilanc të pushtimeve të tij gjeografike si shkrimtar, ku ndër të tjera thotë:

 “Shënime në formë inventari. Projekt për një guid”

Gjeografia. Hapësira tepër e shtrirë. Në tre kontinente. Plus zona hyjnore në qiell dhe nën tokë. Rrafshnalta, stepa, alpe me borë të përjetshme sa dhe vargmale, shkëmbinjtë gjysmë të zbardhur të së cilëve ngjajnë me dasmorë të ngrirë. Dy shkretëtira, ajo e mongolëve dhe e Saharasë. Krahinat e Kra-krasë, ose zonat e shkombëtarizuara.

Tokat e Hallallit (të bekuara prej shtetit). Tokat e Harramit (nën terror). Bjeshkët e Namuna. Lugjet e Zeza. Fermat moderne. Fusha hungareze me baltë dhe në dimër.

Që nga koha kur shkrimtari bëri këtë bilanc të “pushtimeve” të tij, kanë kaluar 23 vjet, dhe harta e “pushtimeve” të tij është zgjeruar akoma më tepër gjatë kësaj kohe. Tanimë mund të thuhet me siguri se kemi të bëjmë me një shkrimtar botëpushtues, në kuptimin letrar të kësaj fjale. Natyrisht që kur flitet për një shkrimtar botëpushtues, nuk ka kuptim që të përmenden shtete të veçantë që deri tani nuk bëjnë pjesë në gjeografinë e veprës së tij. Ashtu si kur thuhet se Aleksandri i Madh u nis nga Maqedonia dhe arriti deri në Indi, apo se Napoleoni u nis nga Parisi dhe arriti në Moskë, këto marshime madhështore nuk cënohen nga fakti se këta të dy nuk paskan ndaluar në aq apo kaq qytete gjatë rrugëtimit të tyre.



Cili është vendi më përrallor apo mitik që sjell Kadare në veprën e tij, dhe ai më i zymtë, i urryer sipas tij. Ndoshta më interesante e bëjnë edhe përshkrimet e vendeve ku shkrimtari s’ka qenë asnjëherë! Ka të tilla që mund të lexohet në këto imazhe? Sigurisht Gjirokastrën mund ta ketë më kontradiktore, konkretisht ju si e keni ndjerë?

Vendi më përrallor ku sipas meje Kadarte ka sjellë në veprën e tij është Gjirokastra e “Kronikës në në Gur. Gjirokastra e Sokakut të te Marrëve ,e Shtëpisë së Babazotit ,e Urës së Sherreve, e Kullës së Shtate Penxhereve , e Shtëpisë së Angonatëve , e Guvës së Shanishasë , e Kështjellës Anije etj etj. Ndërsa vëndi më i zymtë është  Tabil Saraj i “ Nënpunësit të  Ëndrrave”.Pas vitit 1990 unë bëra një vizitë për herë të parë në Stamboll, ish- kryeqytetin e Perandorisë Osmane. Natyrisht që Stambolli i sotëm ndryshon shumë nga ai i periudhës osmane, megjithëse duhet thënë se shumë e shumë gjëra janë ruajtur që nga ajo kohë. Unë kisha me vete një guidë të Stambollit osman, ku tregohej se si kishte qenë qyteti në atë kohë me fotografi dhe me harta urbanistike. Nëpërmjet asaj që shikoja në qytet si dhe me ndihmën e guidës së hollësishme u zhyta në të shkuarën dhe befas bëra një zbulim të çuditshëm. Kadare ka thënë një gjë, e cila duket qartë edhe nga leximi, se kur përshkruan kryeqytetin osman te “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” ka dashur të përshkrujë qendrën e kryeqytetit të  shtetit komunist shqiptar, Tiranën, në intinerarin nga shtëpia e tij, te selia e Komitetit Qendror të PPSH.

Substanciale në albumin tuaj janë fotot, imazhet që sillni, e alternuar me guidën letrare… si duket me rëndësi për të përputhur gjuhën letrare, përshkrimet e shkrimtarit, intuitën tuaj me foton… a ka qenë i vështirë realizimi i tyre?

Kjo punë ka patur lehtësirat dhe problemet e saj për mua.Ndonse unë që kur më lindi ideja për ta kthyer këtë material të skeduar gjat punes studimore e kisha të lehtë që ta strukturoja  e kisha të vështirë për t’i korresponduar fotografinë. E para sepse profesioni i fotografit nuk është profesioni im  dhe e dyta sepse kishte pershkrime që ishin gati mitologjike por ato duheshin fotografuar apo përshtatur për shkak të vlerave që trasmentonin përshkrimet e Kadaresë. Mund t’ju jap një shemull.

Kisha zgjedhur për në album edhe një përshkrim brilant murane.Nuk lashe vënd pa vajtur në rrethet e Veriut për të fotografuar  një muranë por nuk rashë dot në gjurmët e saj.Atehere m’u desh që të mendoja ta ndërtoja muranën vete. Vendosa dhe sic  thote  poeti Dritëro  Agolli në rrugë dolla ..Shkuam   me fotografin mikun tim Zamir Marika në Malësinë e Bogës, pranë Qafës së Thores në një lëndinë me bar  në një ditë marsi, ndërtuam dhe fotografuam sipas përshkrimit brilant të autorit një muranë. Ky ishte nje rit shqiptar në malësine e Veriut  që unë e gjykova se duhej të pasqyrohej.

E fundit, keni një konsideratë në 80 vjetorin e lindjes së shkrimtarit që Akademia e Nobelit të kthejë sytë nga ky shkrimtar shqiptar “botëpushtues” si rast unik dhe në shkrimtarë të tjerë. Është një arsye adhurimi kjo, patriotizmi apo ikje nga gjithë alibitë që pengojnë këtë Nobel shqiptar?

Në kohën kur unë po futja në shtyp librin tim  “Ylli  i shkrimtarit një biografi e Ismail Kadaresë që nga koha e diktaturës  dhe deri më sot” disa vite më parë ndodhi shpallja e Çmimit Nobel 2013. Kadare, ashtu si shumë herë të tjera, ishte në listën e ngushtë të kandidatëve, por nuk fitoi. Në pamje të parë kjo mund të quhet humbje, por në të vërtetë, pavarësisht nga rezultati, konkurrimi në majat e letërsisë botërore është gjithmonë një nder i rrallë. Shtypi botëror që e ndoqi hap pas hapi ngjarjen, duke dhënë versione të ndryshme parashikimesh, disa herë e vuri shkrimtarin shqiptar përkrah rivalit japonez Haruki Murakami dhe atij amerikan, Philip Roth. U krijua kështu një tablo madhështore e skenës konkurruese, ku pas tre shkrimtarëve të shquar konkurruan njëkohësisht tri gjuhë, anglishtja, shqipja dhe japonishtja dhe, bashkë me to, tri kontinente: Europa, Amerika, Azia. Ismail Kadare përfaqësoi në këtë rast jo vetëm Shqipërinë, por krejt Europën dhe ky ishte nderi më i madh që ai i bënte kombit të vet. Siç është përshkruar shpesh në këtë libër, shkrimtari, krahas dashurisë dhe përkrahjes së vendit të vet dhe të shqiptarëve kudo në botë, do të provonte sulmet më meskine të detraktorëve të tij, të cilët këtë herë hodhën çdo maskë dhe kaluan çdo kufi, duke kërkuar haptas që Kadareja, pra Shqipëria, të mos e merrte çmimin botëror. Për fatin tonë të madh, destini i shkrimtarit, ai që në këtë biografi është quajtur ylli i tij, nuk varet dhe s’do të varet kurrë prej tyre as prej mendimit të tyre. Ai yll varet në radhë të parë prej vetë shkrimtarit, krijuesit të veprës së vet. Por ai varet gjithashtu nga miliona lexuesit e tij, falë dashurisë së të cilëve ylli i shkrimtarit nuk shuhet asnjëherë.Megjithatë unë gjykoj se Kadare mund të qëndroje për bukuri edhe në krahun e shkrimtarëve të mëdhenj si Tolstoi që nuk e kanë marrën çmimin Nobel për arsye jo letrare.

Related

Top Lajm 7677880911752894222

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item