Të pathënat e jetës së Sterjo Spasses, si u fut në listat e zeza të komunistëve

“Pse”-në nuk e ka gjetur as Sterjo Spassja. Edhe pse shkroi edhe shumë romane të tjerë më pas, që do të lëvdoheshin nga kritika socrealist...

“Pse”-në nuk e ka gjetur as Sterjo Spassja. Edhe pse shkroi edhe shumë romane të tjerë më pas, që do të lëvdoheshin nga kritika socrealiste, ky roman “pesimist”, “nihilist”, “i harruar” gjatë viteve të diktaturës, do të shënjonte një herë e përgjithmonë karrierën e tij.


Sterjo Spasse do të renditej ndër romancierët e parë shqiptarë, madje romani i tij “Pse?” konsiderohet si ai i “vërteti”.
Sot, Sterjo Spasse na zbulohet në një tjetër dimension, më intim. Është i biri, Ilinden Spasse, që sjell për lexuesin librin “Im atë, Sterjo!”, një botim i “UET Press”.
Përmes këtij libri, Spasse i “Pse”-së dhe “Afërditës” vjen përgjatë gjithë rrugëtimit të jetës së tij, që kur Barba Spasse mësoi se e shoqja Maria lindi djalë, deri kur ai mbylli sytë.
Përmes këtij libri, të shkruar prej të birit, vijnë momentet e tij më të rëndësishme, qofshin ato personale, si martesa, lindja e fëmijëve, shkollimi, rrugëtimet jashtë shtetit, problemet e vogla familjare, tek ato profesionale si kritik, mësues e shkrimtar, kritikat dhe lëvdatat.
Përveç rrëfimeve të të birit, është vetë Sterjo Spasse që “rrëfehet” përmes shënimeve, ditarëve dhe letrave që ai u ka dërguar familjarëve apo miqve. Në këtë libër rrëfehet po ashtu edhe për shumë shkrimtarë, gazetarë e përkthyes, me të cilët Spasse ka pasur njohje apo miqësi të veçanta.
Do të zbulojmë aty Petro Markon, Vedat Kokonën, Ismail Kadarenë, Andrea Varfin, e në veçanti për Mitrush Kutelin, Nexhat Hakiun e Nonda Bulkën, me të cilët e lidhte një miqësi deri në vdekje.
Një rrëfim i mbushur me gëzime, por edhe pikëllim, me ngjarje të bukura, por edhe të hidhura, siç do të ishin arrestimet e miqve të tij pas çlirimit, mes të cilëve edhe Kuteli e Hakiu, pushkatimi i Manush Peshkëpisë etj.
PJESË NGA LIBRI
8. Aty nga mesi i vitit 1947, pasi u kthyen prindërit e mi nga varrimi i gruas së Nondës, Tonias, e cila kishte vdekur nga kanceri, në shtëpinë tonë vjen Mitrushi me një femër shumë të bukur:



Sterjo Spasse,
Nexhat Hakiu,
Vedat Kokona dhe
Mitrush Kuteli

– Sterjovicë, ta mbajta fjalën, u fejova – i tha dhe e njohu duke ia nxjerrë përpara. – Shyqyr, Mitrush, më gëzove pa masë! – dhe i puthi të dy në të dyja faqet. Mitrushi, seç bëri një shaka të fortë, që babai u shkul së qeshuri, duke i thënë “Strella jeden!”.
Dita nuk ia lëshonte duart nuses. Ia shikonte me vërejtje karficat e bukura, që ia kishin mbledhur flokët si kotkë, fustanin prej mëndafshi, që i shkonte shumë pas trupit, me ato lule ngjyra-ngjyra, që reflektonin në gjithë shtrirjen e vet.
Ajo u përshëndet edhe me babain e Ditën, ndërsa mua më puthi në dy faqet e më dha një çokollatë të madhe.
Të gjithëve na mbetën sytë tek ajo, tek Efterpi. Pasi u martua, i vajtëm familjarisht për urim Mitrushit në shtëpi. Ai atëherë punonte në bankë. Kishte marrë një apartament shumë të mirë te pallatet e bardha, afër Lanës. Çdo gjë e mobiluar me estetikë.
Abazhurët prej kristali i jepnin dritë të fortë mjedisit, ku reflektonin përmes pasqyrës së bufesë të gjitha takëmet e porcelanta dhe të kristalta të filxhanëve dhe të gotave.
Mua më bënë shumë përshtypje atëherë pllakat e bardha majolike të vendosura në muret e kuzhinës. S’kisha parë ndonjëherë pllaka të tilla të bardha.
Aty na qerasën shumë mirë dhe u bë shaka e madhe nga Mitrushi. U larguam me mbresat më të mira nga prepsja e shtëpisë, nga nikoqirllëku i Efterpit dhe nga gazi i Mitrushit.
9. Gazi i Mitrushit?! Por, ai nuk vazhdoi shumë. Pas disa ditësh Efterpi vjen në shtëpi e alarmuar.
– Mbrëmë, vonë, natën, në t’errët erdhën dhe e morën Dhimitrin, – tha ajo me zë të dredhur dhe ra në krahët e babait. Babai u zverdh në fytyrë. Goja iu zu. Edhe sytë e tij filluan të rigojnë. Mamaja u shushat. Unë dhe Dita qëndruam mënjanë.
“Xhaxhi Mitrushi, që na merrte shëtitje me biçikletë, që na jepte akullore nëpër dyqane ishte në burg, si xhaxhi Vaska!”.



Sterjo Spasse, Nonda Bulka, Ilinden Spasse, Zisa Cikuli, Tiranë 1970

Dita ma bënte me shenjë që të heshtja… Atë ditë, Mitrushi ishte grindur keq në zyrën e eprorit të tij ku ishin dhe disa këshilltarë të huaj. Kishte arritur puna deri atje, sa ai jo vetëm nuk firmosi, po e kishte flakur dosjen tutje dhe kish ikur i xhindosur nëpër korridoret e Bankës duke bërtitur:
– Këtu ka tradhti! Këtu ka tradhti! Duket, merimanga e padukshme, që ishte më “patriote” se ai, e dëgjoi dhe në darkë, vonë, në t’errët…
Pasi iku Efterpi, erdhën të alarmuar Nonda dhe Nexhati, e bashkë me Kolon e babain u ngjitën në dhomën e pritjes e atje seç çuçuritën disa orë të tëra. Unë e Dita dëgjuam emrin e njëfarë Koçi Xoxi…
Në darkë, vonë, kur ramë për të fjetur, me Ditën dëgjuam që babai i thosh mamasë: – Kanë futur brenda edhe Petro Markon, Andrea Varfin dhe Mustafa Greblleshin…
10. Ato ditë, me një shkresë rezervate të datës 1. XI. 1947, nr. prot. 1255 të Drejtorisë së Kuadrit, pranë seksionit të kuadrove, Sterjoja transferohet në shkollën “Kosova” ku do të jepte 14 orë mësim në dy klasa të gjashta paralele dhe në shkollën “Kristoforidhi”, ku do të jepte 6 orë në klasën e shtatë.
Kur Sterjoja u largua nga Ministria, Mahiri i shpeshtoi të ardhurat e tij në shtëpinë tonë.
Do të mbylleshin bashkë në dhomën e pritjes e do të flisnin me zë të ulët orë të tëra.
Në Lidhjen e Shkrimtarëve filluan të bëhen mbledhje të njëpasnjëshme e të përjashtohen nga radhët e saj shumë figura të shquara të kulturës shqiptare.
Në ato mbledhje filloi të lakohej edhe emri i Sterjos si shkrimtar pesimist, që nuk ishte i kohës, që nuk e shikonte realitetin me optimizëm…
Erdhi një ditë Manoli në shtëpi, (në atë kohë ai ishte ministër i Drejtësisë) e i tha Sterjos, se emri i tij ishte përfshirë në listën e zezë. Buzëqeshja në sytë e fytyrën e Sterjos tashmë u zhduk fare.
Ai nuk na merrte më me Ditën në krevat për të na treguar përralla, apo për të na folur për “Zemrën e Dankos”, për Krali Markon e Musa Qesexhiun, për Hamletin e Plakun Lir, jo… – Po të ndodhë gjë me mua, ti merr kalamajtë e shko në fshat! – i tha mamasë. – Kur ishte puna kështu, pse na more në Tiranë, që t’i marrim në qafë ata?
– E kush e dinte se si do të vinin punët… Por, ti më jep një triko të trashë leshi, që ta mbaj nën këmishë… të më dhëmbë më pak kur të më godasin…
Sytë e mamasë u mbushën me lot. Na nxori jashtë ne fëmijëve, që të mos dëgjonim më…
11. Me këtë gjendje të tensionuar nervore, Sterjos i ndodh edhe një incident tepër i rëndë në shkollën “Kristoforidhi”: Ishte kujdestar dite. Tirana ishte ende e rrënuar nga lufta. Xhamia në sheshin qendror ishte pa minare, sahati i madh pa akrepa, shtëpitë të shkatërruara, muret e avllive të rrënuara.
Por, në çdo rrugë, në çdo lagje, në çdo vend, do shihje vullnetarë që pastronin, që rindërtonin e ndërtonin… Në shkollë bëhej mësim. Edhe në klasën e tij bëhej mësim. Kur, papritur, dëgjon zhurmë në atë klasë.
Zhurma sa vinte e shtohej, e po bëhej e padurueshme. Sterjoja, pa trokitur hap derën: Mësuesja e re e matematikës po qante pranë dritares, Osmani, nxënësi më i madh i klasës, hipur mbi një bankë po bënte “teatro” me gjestet e tij.
Nxënësit e tjerë po gajaseshin. Vërtet ishin nxënës të klasës VII, por nga mosha të gjithë ishin më të rritur. Sterjoja shtang për një copë herë në vend. Si të vepronte? Kishte pesëmbëdhjetë vjet që merrej me arsimin dhe një rast i tillë s’i kishte ndodhur ndonjëherë dhe as kish dëgjuar…
Me atë gjendje nervore të tendosur që ishte, nuk duroi dot, e zuri për jake Osmanin dhe e tërhoqi me forcë pas vetes. Ai u pengua në bankë e desh theu qafën, por duart e fuqishme të Sterjos e mbajtën.
Kur ngriti kokën Osmani, fytyra i ishte gjakosur. Ishte goditur mbi vetullën e djathtë. Sa e tmerrshme! Sa shumë e mallkoi veten në atë çast Sterjoja!
12. – Bëmëni ç’të doni! – u tha në mbledhjen e drejtorisë, që u zhvillua fill pas kësaj ngjarjeje. – Unë gjakosa një fëmijë! Ishte hera e parë që drejtori i shkollës dhe kolegët e tij po e shihnin Sterjon në atë gjendje. Asnjë nga ata nuk pipëtiu.
13. Tërë atë natë nuk fjeti. Nuk kishte mendjen te masa që do merrej nga drejtoria e shkollës apo seksioni i arsimit, por tek ajo, që ai s’kishte mundur të mbante veten në një moment të tillë, dhe kish gjakosur një fëmijë, nxënësin e tij… Kaloi një natë e një ditë, kaluan dy net e dy dit, tri net e tri ditë.
Asgjë me rëndësi. Osmani s’vinte në shkollë. Sa hynte në klasën VII, sytë i venin në bankën e tretë, pranë dritares. “Tëk” ia bënte zemra kur shihte vendin e Osmanit bosh. Vendosi t’i shkonte në shtëpi, të bisedonte me prindërit… Por, sa u mat ta kryente këtë veprim, i vjen mandati: Pushim nga puna! Për një copë herë Sterjoja mbylli sytë, për një copë herë pa klasën, pa kolegët. Të gjithë mbanin kokën ulur.
Masa ishte ekstreme. Vetëm me atë vështrim ai mundi të përshëndetej me nxënësit e tij, me kolegët e tij… 16. Duke u endur nëpër Tiranë, ato ditë që ishte pa punë, Sterjon e ndalon një njeri i panjohur:
– Ç’dru kam ngrënë për ty në burg. Më thoshin që të shpifja, të thosha, të thosha se ti je me Ballin, se ti bashkëpunon me Ballin, se ti bën mbledhje në shtëpi me ballistët.
Por unë nuk mund të pranoja një gjë të tillë, se më vriste Zoti. Si mund të shpifja unë për ty?!… Janë të poshtër ata. Sterjoja, veç falënderimeve të rastit, nuk dinte ç’t’i thoshte këtij njeriu të thjeshtë, këtij njeriu të mirë, që nuk ia mësoi kurrë emrin…
17. Burgosja e intelektualëve pa asnjë shkak, pushimi i tyre nga puna pa asnjë shkak, rëndimi i ekonomisë kombëtare tej mase, vetëm një kilogram gjalpë vajti 3000 lekë, kur rroga mesatare e mësuesit ishte 3500 lekë ndikoi shumë në shëndetin e Sterjos. – Sterjovicë, po të ikën burri nga dora.
Nuk e shikon si të është dobësuar? Jepi të hajë! – i thotë fqinja Gjorgjevicë, mamasë. – Ç’t’i bëj, ai vetëm për fëmijët mendon, për vete nuk ha asgjë!
– Të shkojë te doktori, të vizitohet… Sterjoja u vizitua te doktor Janko Theodhosi, i cili i dha raport.
Me atë raport ai mori triskë të rëndë. Me atë triskë të rëndë ai filloi të marrë 900 gramë bukë gruri dhe ushqime të tjera suplementare, duke e marrë kështu pak veten…
21. …Dalëngadalë filluan të lirohen nga burgu intelektualët shkrimtarë si Petro Marko, Andrea Varfi, Mustafa Greblleshi etj. U lirua edhe Mitrushi, i cili nisi përsëri të sjellë gaz e hare në shtëpinë tonë.
Filloi të më marrë përsëri me biçikletën “Bianki” e të më gjezdisë nëpër Tiranë. Kur u operova atë kohë nga bajamet, Mitrushi më solli dy akullore të mëdha në një gotë.
Pasi bëri ca shaka me mua, që s’flisja dot nga dhimbjet e grykës, filloi të më pikturojë në një fletë të bardhë çallma me koka priftërinjsh e hoxhallarësh… Për të më vizituar erdhi edhe Nonda, i cili më solli një gjysmë çokollate, pasi gjysmën tjetër e kishte “ngrënë ujku” gjatë rrugës…
Erdhën dhe Nexhati me Denin e Lulin. Luli më ndenji mbi kokë si shok i vërtetë… Kur u kthye mamaja nga puna, solli lajmin se aty kishin shpënë për të punuar te thasët, Sofikën, të shoqen e Koçi Xoxës.
Shumë nga gratë e kishin ofenduar me fjalë të rënda. Ajo nuk ishte ndjerë fare… …Kur u kthyem në mbrëmje në shtëpi, dëgjuam një plasje të madhe dhe pastaj heshtje. Të nesërmen, që në mëngjes, erdhi Nonda në shtëpi. Ishte tepër i alarmuar. Edhe babai u tremb.
Plasja, që kishim dëgjuar një natë më parë kishte ndodhur në Ambasadën Sovjetike, jo shumë larg shtëpisë sonë. Në mes të natës, në t’errët, kishin vajtur e kishin marrë nga shtëpia Manushin dhe pa i bërë gjyq e kishin pushkatuar.
Bashkë me të kishin arrestuar e pushkatuar natën në t’errët edhe mjaft të tjerë. Tirana ziente. Nga fjalët e Nondës u dëgjua edhe emri i Manol Konomit… Edhe ai, si ministër i Drejtësisë, kishte pësuar diçka…
Pas Nondës, në shtëpi erdhi tepër e alarmuar, e frikësuar Deni: Sterjo, mbrëmë, natën vonë, në t’errët më morën Nexhatin! Ah, unë e mjera! Ah, unë e shkreta!…
Sterjos sikur i plasi bomba në dorë. U zverdh në fytyrë e nuk dinte ç’t’i thoshte, si ta ngushëllonte. Unë e Dita pamë njëri-tjetrin me sy. Unë pashë fustanin e saj me lule të dhuruar nga Nexhati, ajo pa pantallonat e mia të shkurtra dhuruar po prej tij.
– Do të jetë ndonjë keqkuptim, mos u bëj merak! – ndërhyri mamaja në atë çast.
– Disa i kanë pushkatuar që mbrëmë! – vazhdoi të dëneste Deni. Babai e bëri kafenë vetë dhe me duart që i dridheshin ia serviri Denit, që e kishte humbur fare në atë çast… – Më jep helm, Sterjo, nuk dua kafe, nuk dua kafe! – filloi të ulërijë. Ah, unë e mjera! Ah, Luli im!…
26. Pas disa ditësh i vajtëm në shtëpi Manolit. Tani nuk banonte më në atë të parën, por në një karakatinë pranë rrugës sonë. Maksi po luante me biçikletën me tri rrota, që mua më kishte hyrë fort për zemër. Antoneta me Manolin ishin tepër të mërzitur. Nuk bënë asnjë shaka me mua.

Related

Kultura 2848103428164298869

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item