Nobelisti Angus Deaton: nëse Londra del nga Europa, bota nuk do të jetë më e njëjta

“Nëse fiton Brexit, bota nuk do të jetë më si më parë”. Skocezi Angus Deaton, fitues i çmimit Nobel për ekonominë në vitin 2015, për s...


“Nëse fiton Brexit, bota nuk do të jetë më si më parë”. Skocezi Angus Deaton, fitues i çmimit Nobel për ekonominë në vitin 2015, për studimet e tij për pabarazinë dhe varfërinë, ndodhet në Itali në një shkollë verore që mbledh rreth 70 të rinj të laureuar nga shumë vende të botës për të dëgjuar leksionet e nobelistëve. Mundësia për daljen e Londrës nga Bashkimi Europian e shqetëson. Argumentet i jep në një intervistë për gazetën italiane “La Stampa”.
Si do të ndryshojë bota nga një Brexit?
Në 40 vjetët e fundit, bota është shndërruar në më të barabartë. Pabarazitë janë reduktuar dhe një pjesë e mirë e klasave më të varfra ka hyrë në shtresën e mesme. Ky evolucion, megjithatë, nuk është bërë i mundur nga vendimet politike, por është efekt i rritjes ekonomike dhe globalizimit. Tashmë, zhvillimi ekonomik është duke humbur shpejtësinë. Në të njëjtën kohë, janë duke u rritur pabarazitë edhe brenda një vendi të vetëm. Është një paradox. Dhe Brexit do të rrisë në një masë të madhe pabarazitë në këto vende.
Çfarë do të ndodhë pas 23 qershorit?
Është e vështirë të bësh parashikime. Për më tepër që nuk ka plane specifike të qeverive mbi skenarin e një daljeje të mundshme britanike. Është e mendueshme që ekonomia e Britanisë së Madhe do të ngadalësojë me pasojë  rritjen e papunësisë. Ato që do të vuajnë më shumë janë klasat më pak të privilegjuara që do të ndjejnë mungesën e rritjes ekonomike dhe papunësinë.
Ata që do të votojnë për Brexit janë sidomos ata që kanë më pak. Cilat janë arsyet e tyre?
Ata që duan largimin nga BE e bëjnë këtë pasi nuk kanë parë përmirësim të gjendjes së tyre ekonomike dhe është shenjë e pakënaqësisë së tyre për shkak të pabarazisë. Do ta paguajnë nga portofoli votën e tyre për Brexit. Brexit, në mënyrë paradoksale, mund ta përkeqësojë këtë situatë.
Arsyet e refuzimit të Europës duhen kërkuar, gjithsesi, edhe në zhgënjimin për politikën tradicionale që nuk ka ditur të gjejë përgjigjet e duhura për tema të tilla si kriza ekonomike dhe emigracioni. Megjithatë, nuk janë vetëm klasat më pak të pasura që e shohin pozitivisht një lamtumirë të Londrës për BE-në. Gjendja e keqe është në të gjithë shtratin e shoqërisë. Sundojnë frika për të ardhmen dhe druajtjet e pasiguritë për atë që do të sjellë e nesërmja për më të rinjtë.
Në referendum do të vendoset një ndeshje e rëndësishme për idenë qe kemi për Europën. Çfarë të ardhmjeje parashikoni për euron?
Mendoj se do të ketë një mundësi vetëm nëse lëvizin drejt Shteteve të Bashkuara të Europës, por për të arritur në këtë etapë duhet që vendet të jenë të gatshme të heqin dorë nga një pjesë e pavarësisë së tyre. Dhe në këtë fazë nuk duket të jetë kështu.
Çfarë do të ndryshonte në politikën e Londrës në rast të një Brexit?
Me siguri, qeveria britanike do të fitojë më shumë kontroll për çështjen e emigracionit. Është një temë që frikëson shumë njerëz dhe që kërkon përgjigje të menjëhershme.
Cili është rreziku më i madh për Bashkimin Europian?
Ekziston mundësia e një zinxhiri ngjarjesh që mund të nxiten ndaj lamtumira e Londrës. Me daljen britanike mund të ndodhë një ndarje nga unioni edhe i vendeve të Veriut, atyre skandinave në veçanti.
Kësaj mund t’i shtohet edhe zgjedhja e mundshme e Trump në Amerikë që mund të rezultojë në një përzierje të rrezikshme. Rreziku më i keq për Europën është të bëjë një kapërcim shkatërrimtar pas deri në vitet 30 të nëntëqindës, në ato vite që ishin pararendëse të ardhjes së Hitlerit dhe luftës së dytë botërore.
 Cili është parashikimi juaj, do të fitojë?
Çështja është ende tërësisht e hapur. E vështirë të kuptosh se çfarë do të dalë realisht nga hiri dhe konfuzioni që shohim nëpër sondazhe nuk na ndihmon. Ajo që unë uroj është që në fund të sundojë qëndrimi, vota për të qenë pjesë e BE-së.
Marrë nga: Tesheshi.com

Related

Top Lajm 5816705122333939771

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item