Irma Kurti: Jetoj me frikë për krijimet e mia, sepse ato mund të keqpërdoren

Valeria Dedaj Poetja dhe shkrimtarja, Irma Kurti, rikthehet në Shqipëri me dy libra të rinj për lexuesin. Gjatë një rrëfimi për punën...

Valeria Dedaj


  • Poetja dhe shkrimtarja, Irma Kurti, rikthehet në Shqipëri me dy libra të rinj për lexuesin. Gjatë një rrëfimi për punën e saj, ngre shqetësimin për të drejtën e autorit. Ajo ka rënë pre e plagjiaturës disa herë
“Urimi yt”, “Letër malli”, “Mbrëmja që mban dashurinë tonë”, “Pranë të kaltrit det”, “E njëjta ëndërr” etj., janë këngë të cilat i ka interpretuar këngëtarja Ermira Babaliu. Duetin “Shikomë në sy” e ka interpretuar Anita Bitri dhe Federik Ndoci, “Të jem për ty Number 1” Manjola Nallbani, “Befas zgjohem” Ingrit Jushi, “Ajër” Saimir Braho, “Jetoj që të vdes me ty” Yllka Kuqi etj. Tekstet e këtyre këngëve që janë interpretuar nga breza të ndryshëm i ka shkruar Irma Kurti. Dëshira e saj fillimisht ishte që të bëhej pjesë e Festivalit të RTSH-së. Këtë dëshirë e arriti vetëm falë këmbënguljes së saj, derisa nisi të ndiejë nga afër duartrokitjet e spektatorëve. Sot, kur kanë kaluar rreth 30 vjet nga angazhimet e saj të para në botën e artit, përveç teksteve të këngëve, që ruhen në fonotekën e RTSH-së, ajo numëron dhe rreth 15 libra të botuar në gjuhën shqipe dhe italisht. Gjithashtu është fituese e njëzet çmimeve, nga të cilët vetëm në njërin prej tyre, te “PEN” (2015), tha në gjuhën shqipe: “Faleminderit”. Në 19-të të tjerët është përgjigjur në gjuhë të huaj. Por ajo nuk shqetësohet për këtë, por për të drejtën e autorit. Gjatë bisedës me të, na rrëfen se ka rënë pre e plagjiaturës disa herë, sidomos për tekstet e këngëve. Prandaj, shpjegon se ka vendosur që të shkruajë më pak, në mënyrë që mos të bjerë pre e plagjiaturës. Edhe pse e di se, një autor duhet të punojë në qetësi dhe kjo nuk është zgjidhje për të.

Zonja Kurti, tashmë ligji për të drejtën e autorit është miratuar, megjithatë ju i keni përjetuar disa nga këto shkelje... Çfarë mund të na tregoni nga kjo eksperiencë?

Gjatë gjithë eksperiencës sime letrare e kam ndierë mosrespektimin e së drejtës së autorit. Mua më ka ndodhur disa herë që një tekst kënge ma kanë marrë dhe i kanë vendosur një emër tjetër, më është mohuar autorësia. Kujtoj se në Festivalin e RTSH-së, që është bërë në vitin 2002, një nga tekstet e këngëve konkurrente ishte marrë nga një libri im me poezi, “Ndihem ndryshe”. Kënga u vlerësua dhe me çmim, por nuk doli me autorësinë time. Këtë ma thanë rastësisht. Ka qenë një zhgënjim shumë i madh, sepse të vjen keq kur krijesës tënde i mohohet autorësia. Ky tekst bënte pjesë te përmbledhja e librit me poezi “Shihemi në një tjetër botë”.

Ju a iu drejtuat zyrës së të drejtës së autorit?

Unë e kisha shumë të thjeshtë që ta bëja këtë. Mjafton, që bashkë me librin të shkoja dhe të trokisja në dyert e Radio Televizionit dhe t’u thosha se ishte teksti im. Por, këtë e mendova të kotë, sepse është njësoj sikur futesh në një pyll të dendur dhe nuk merr asnjëherë përgjigje. Ky mohim autorësie më ka ndodhur të paktën 3 apo 4 herë. Kjo ka ndodhur edhe para viteve ’90 me një krijim, “Shikomë në sy”, të cilin e ka kompozuar Osman Mula dhe e ka interpretuar Federik Ndoci dhe Anita Bitri, strofa “Shikomë në sy dhe më thuaj ato fjalë që nga ti pres...”, u mor siç ishte dhe u përdorë në një tjetër këngë. Por, këto eksperienca vazhdojnë ende. Gjatë kësaj periudhe një kompozitor nga Kosova më kontaktoi dhe më tha se ka realizuar katër këngë me tekstet e mia. Në këtë rast u mundova të shikoj dhe anën pozitive, por janë katër krijime, frytin e të cilave nuk e mora asnjëherë. Prandaj jetoj me këtë ankth. Ndoshta krijimet e mia merren, keqpërdoren dhe u mohohet autorësia.

A ndikon largësia juaj në këtë preokupim që keni?

Natyrisht, sepse largësia e bën më të madh preokupimin, sepse kur jeton jashtë vendit nuk arrin të mësosh kurrë nëse të kanë ndryshuar autorësinë.

Si ndikon kjo në krijimtarinë tuaj letrare?

Edhe gjatë kësaj periudhe unë kam shkruar disa tekste këngësh, sepse po punoj nga nostalgjia që kam si autore e këngëve. Mund të prezantoj shtatë apo tetë prej tyre dhe sërisht jetoj me mendimin se mund ta heqin emrin tim. Do të ishte ideale që ky problem të zgjidhej dhe ne të na njihej e drejta e autorit. Vetëm para pak ditësh teksa po udhëtoja për në Durrës dhe pashë një CD amatore me këngët e Emira Babaliut, tekstet e së cilës ia kam bërë unë, por ne nuk kemi asnjë dijeni se çfarë ndodh me to.

Të drejtat e autorit pavarësisht përpjekjeve të dëshpëruara të shoqatave, që punojnë e tyre, ku dikur edhe unë kam bërë pjesë në njërën prej tyre, nuk kanë qenë asnjëherë të respektuara. Shpresoj që të bëhet diçka e rëndësishme rreth kësaj. Kjo do të na bënte më të sigurt, që mos kemi frikë për atë që shkruajmë. Duhet të jemi të qetë, të ndihemi vetvetja në atë që bëjmë dhe të mos pushtohemi nga frikëra të tilla.

Po, jashtë vendit sa hasen këto problematika?

Atje janë gjërat shumë më të përparuara në këtë drejtim. Këto të drejta të njihen që në hapin e parë, sepse nënshkruan një kontratë me çfarëdolloj shtëpie botuese. Në momentin që nënshkruan kontratën të dyja palët janë të përgjegjshme ndaj këtij produkti, që është libri. Atje respektohet 100 për qind, natyrisht që mund të ketë dhe plagjiaturë, por jo në këtë gjendje. Ne vazhdojmë të botojmë në Shqipëri kontrata të shkruara, kjo bën që të dyja palët të mos kenë asgjë të mirëpërcaktuar.

Megjithatë, ju nuk reshtni së botuari në gjuhën shqipe. Kësaj here sillni dy libra të rinj, “Lajmet vijnë dhe këtu” (me tregime) dhe “nuk është ky deti” (me poezi)?

Është e vërtetë. Ardhja ime në Tiranë lidhet përherë me botimin e librave të rinj në gjuhën shqipe. Kësaj here sjell dy libra; me poezi dhe me tregime, të cilët i kam botuar fillimisht në italisht. Për mua është shumë e thjeshtë, sepse fillimisht i kam të shkruar materialet në gjuhën shqipe. Shkruaj në gjuhën shqipe, jo vetëm është gjuha amtare, por edhe sepse më jep lirshmëri të jashtëzakonshme për t’u shprehur. Shkrimet e mia përqendrohen në botën e brendshme të personazheve, sepse mendoj që ndjenjat; dashuri dhe urrejtje shprehen më mirë në gjuhën amtare. Gjëja që bëj me shpirt në jetën time është të shkruarit. Unë shkruaj pa e menduar asnjëherë këtë. Lexuesit që me pak fjalë më shprehin mirënjohjen e tyre për shkrimet që bëj, më kanë nxitur të arrij deri këtu.

Biografia 

Irma Kurti ka nisur të lëvrojë e të botojë poezi që në moshë të hershme. Në vitin 1980 u nderua me çmimin e parë në konkursin kombëtar me rastin e 35-vjetorit të revistës “Pionieri”. Më 1989 fitoi çmimin e dytë në konkursin e organizuar nga Radio-Tirana me rastin e 45- Vjetorit të Çlirimit të Atdheut. Në publikun e gjerë njihet si krijuese e talentuar e teksteve të këngëve të lehta. Është pjesëmarrëse në dhjetëra anketa muzikore, festivale kombëtare e koncerte pranvere dhe shumë prej këngëve me tekstet e saj janë nderuar me çmime. Ka botuar gjashtë libra në italisht dhe dy në anglisht. Për poezinë dhe prozën i janë akorduar me dhjetëra çmime në konkurse letrare në Itali dhe në Zvicër. Në vitin 2013 fitoi çmimin ndërkombëtar “Universum Donna” për letërsinë dhe emërtimin “Ambasadore e Paqes” nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër. Jeton në Bergamo, Itali.

Related

Kultura 2587385775831209927

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item