Anëtarësimi në Konferencën Islamike? Ja çfarë thotë Besnik Mustafaj

Nga Besnik Mustafaj Mustafaj shkruan mbi një diskutim të vjetër, në lidhje me pjesëmarrjen e vendit tonë në konferencën islamike. Ai sh...

Nga Besnik Mustafaj
Mustafaj shkruan mbi një diskutim të vjetër, në lidhje me pjesëmarrjen e vendit tonë në konferencën islamike. Ai shpjegon arsyet pse ka pasur aq shumë keqkuptime mbi këtë pjesëmarrje të vendit tonë.

Një nga debatet e përsëritura më shpesh në skenën tonë publike gjatë këtyre 25 vjetëve, lidhet me një hap të hedhur nga Shqipëria në politikën e jashtme, qysh në fillimet e pluralizmit. Fjala është për anëtarësimin në Organizatën e Konferencës Islamike (OKI). Thelbi i debatit qëndron në temën nëse duhej bërë ky anëtarësim apo jo. Në rastin më të mirë, motivimi i këtij debati lidhet me qëndrueshmërinë e perspektivës perëndimore të vendit, shprehur nëpërmjet integrimit euroatlantik. Pyetja shtrohet: A do ta pengojë, apo së paku ta dëmtojë duke e ngadalësuar dhe vështirësuar procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, pjesëmarrja në këtë organizatë, anëtarët e së cilës i bashkon fakti se shoqëritë e tyre janë në shumicë të besimit mysliman? Ka disa arsye që ushqejnë këtë debat, por dy janë sipas mendimit tim më kryesoret. E para është një arsye e ndershme, e pafajshme. Ajo buron nga një frikë, do të thosha instinktive, e opinionit tonë publik nga izolimi, frikë kjo që vjen nga e kaluara jo fort e largët staliniste. Shqiptarët duan ta shohin rrugën e integrimit europian përfundimisht të pastruar dhe të pakthyeshme. Kjo frikë zbulon se qysh në krye të herës, pra në vitin 1991, kur u bënë përçapjet e para drejt organizatës së Konferencës Islamike, Parlamenti, Qeveria e posaçërisht Ministria e Punëve të Jashtme, nuk e kanë kryer detyrën e tyre për sa i përket shpjegimit për opinionin publik të argumenteve që kishte vendi ynë për të marrë një vendim të tillë si dhe të kushteve që do të detyrohej Shqipëria të plotësonte pasi të zinte vend në tryezën e kësaj organizate. Nuk është bërë ky shpjegim dhe vazhdon të mos bëhet, pavarësisht se transparenca si parim i politikëbërjes në demokraci është njësoj e detyrueshme edhe në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Për më tepër, nevojitet transparenca në këtë rast duke pasur parasysh ndjeshmërinë e veçantë të publikut. Arsyeja e dytë e këtij debati, për fat të keq, nuk është e pafajshme. Grafikisht, kjo arsye shfaqet vetëm kur Partia Demokratike është në pushtet, që do të thotë se kritika artikulohet vetëm nga Partia Socialiste, dhe vetëm kur kjo parti është në opozitë. Thënë me dy fjalë, Partia Socialiste e ka instrumentalizuar anëtarësimin e Shqipërisë në OKI me qëllimin e hapur për ta diabolizuar personalisht Sali Berishën, duke e paraqitur atë si proislamik dhe antiperëndimor, me shpresën për ta izoluar qeverinë e tij nga miqtë strategjikë të Shqipërisë, si një mënyrë për t’u kthyer në pushtet. Për të treguar sa të verbër shfaqeshin shpesh kolegët socialistë në zbatimin e kësaj strategjie, po sjell vetëm një shembull, për mua të paharrueshëm. Diku në vitin 2006, një qytetar turk me çrregullime të mëdha mendore mori peng një avion të linjës Tiranë-Stamboll dhe e detyroi të ulet në Bari. Grupi parlamentar i Partisë Socialiste, asokohe në opozitë, e solli këtë ngjarje në seancën e radhës të Kuvendit. Dhe Ben Blushi, kryetar i grupit, në fjalën e tij, tha se ky incident ishte pasojë e drejtpërdrejtë e pjesëmarrjes së Shqipërisë në Konferencën Islamike. Është e pamundur t’i japësh një përgjigje logjike një ligjërimi të tillë jo vetëm apolitik edhe pse shqiptohej në aulën e parlamentit, jo vetëm pa asnjë lidhje me të vërtetën, por edhe pastërtisht absurd. Të dy këto arsye kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë një ndikim të madh për ta shtuar konfuzionin në perceptimin nga ana e opinionit publik lidhur me çfarë përfaqëson prania e Shqipërisë në një organizatë diplomatiko-kulturore, e cila e pohon qysh në emër elementin përbashkues për anëtarët e vet, siç është Organizata e Konferencës Islamike. Dhe jo vetëm kaq. Për paradoks, pikërisht arsyeja e dytë, pra, sjellja instrumentalizuese në luftën për pushtet e Partisë Socialiste, ka sjellë një ngurrim të pakapërcyeshëm deri edhe te vetë Sali Berisha gjatë periudhës kur ishte President i Republikës apo më pas Kryeministër. Fakt është se edhe 25 vjet pas fillimit të procedurave, anëtarësimi i Shqipërisë në Organizatën e Konferencës Islamike, ende nuk është ratifikuar në parlament, çka e bën shumë të mangët legjitimitetin e marrëveshjes së nënshkruar në ato fillime. Pasojë e këtij ngurrimi të politikës janë marrëdhëniet diplomatike në një nivel fare të ulët dhe pasiv, sepse vazhdimisht të paqarta dhe pa objektiv të përcaktuar, që vendi ynë ka mbajtur në këtë organizatë. Nga 57 vende anëtare të OKI, vetëm 33 e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, përfshirë këtu edhe ne, gjë që tregon qartë ndikimin e vogël të Shqipërisë brenda kësaj organizate. Me një bilanc të tillë të varfër, nuk do të ishte aspak e çuditshme që pyetja të shtrohej: përse vazhdojmë të qëndrojmë ne në një organizatë, ku nuk e afirmojmë veten? Përgjigjja do të nënkuptonte thjesht daljen. Në mos përfitime, të paktën kështu do të shmangeshin dëmet.
Unë jam i bindur se dalja nuk është zgjidhja.
Në të vërtetë, për shkak të terrorizmit islamik, në mbarë botën perëndimore, pra, në botën ku ne duam të integrohemi, ka një frikë realiste nga guerrilasit xhihadistë, por ka edhe një prirje subjektive në rritje të opinionit publik drejt islamofobisë. Diplomacia serioze nuk ka ndjekur kurrë, nuk po ndjek as në kohën e sotme psikozat dhe fobitë, mbi të cilat nuk mund të ndërtohet asnjë bashkëpunim midis shteteve dhe popujve për të parandaluar kërcënimet për paqen dhe stabilitetin e përbashkët. Diplomacia serioze operon vetëm mbi faktet. Në këtë kuptim, diplomacia e Bashkimit Europian, ashtu si edhe diplomacia amerikane dhe ajo e vendeve të tjera demokratike, janë plotësisht të përfshira në përpjekjet për çrrënjosjen e radikalizmit të dhunshëm me frymëzim fetar. Ky radikalizëm i dhunshëm, përbën në radhë të parë, kërcënim për jetën njerëzore dhe pronën në vendet me shumicë popullsie myslimane e që janë anëtarë të OKI. Mjaft të shohim ç’po ndodh në Siri, në Irak, në Libi, por edhe në Turqi, në Liban, në Afganistan e më gjerë. Pra, do të ishte gabim të mendohej se lidhur me terrorizmin islamik, këto vende kanë interesa të ndryshëm nga vendet perëndimore. Por qasjet e këtyre shteteve për përmbushjen e këtyre interesave ndryshojnë shpesh nga qasjet e shteteve europiane, duke zbuluar kështu dashur pa dashur rezultatin. Bashkimi Europian është një kauzë kombesh dhe shtetesh europiane, që kanë të përbashkëta disa vlera thelbësore njerëzore dhe politike dhe që kanë bashkuar me vetëdije të lartë përpjekjet për t’i pasuruar e zgjeruar pareshtur këto vlera, në emër jo vetëm të së ardhmes, por edhe të të sotmes së popujve. Që do të thotë se secili nga vendet anëtare sjell doemos ndihmesën e tij sipas mundësive në këtë projekt madhështor të përbashkët. Është jashtë logjikës, mbi të cilën është themeluar ky bashkim, që një pjesë e vendeve, qofshin ato edhe më të voglat e më të varfrat, të jenë vetëm përfituese. Shqipëria, si një vend kandidat për në Bashkimin Europian, ka në këtë aspekt qysh tani detyrimet e saj. Rruga drejt Bashkimit Europian nuk përshkohet vetëm duke zbatuar si nxënëse e mirë “detyrat e shtëpisë” që vijnë nga Brukseli. Në këtë kuptim, edhe Shqipëria, ashtu si secili vend anëtar apo dhe aspirant, duhet të gjejë mënyrën si të bëhet e dobishme për të gjithë familjen europiane. Në vitin 2006, gjatë vizitës së tij në Tiranë, ministri spanjoll i punëve të jashtme, Miguel Angel Moratinos, tha para mediave se Shqipëria ka mundësi t’i bëjë një shërbim shumë të çmuar Bashkimit Europian, duke çuar në Organizatën e Konferencës Islamike një zë të qartë europian. Shqipëria është anëtarësuar në OKI në përputhje me Kushtetutën e Republikës tonë. Ne jemi një shtet laik. Jemi një shoqëri multifetare, por me një trashëgimi shumë të pasur dhe të natyrshme bashkëjetese, që nuk do të ishte e mundur pa një perceptim të tjetrit si i barabartë bashkë me veçanësinë e vet fetare. Për të çuar më tej mendimin lidhur me OKI: përfaqësuesit e Republikës së Shqipërisë nuk mund të bëhen atje pjesë e asnjë vendimi që bie ndesh me Kushtetutën e Republikës dhe kohezionin e shoqërisë tonë. Dhe mekanizmat procedurale ekzistojnë brenda kësaj organizate, në mënyrë që secili vend anëtar të veprojë në përputhje me parimet e veta kushtetuese. Pra, pjesëmarrja aktivisht në veprimtaritë e kësaj organizate nuk e shtyn Shqipërinë apriori drejt politikash apo qëndrimesh, që i bien ndesh frymës dhe perspektivës tonë europiane. Përkundrazi, në marrëdhëniet me OKI, diplomacia shqiptare gjatë këtij çerek shekulli është paraqitur vazhdimisht e kompleksuar, si e pushtuar nga frika se do të bënte gabime. Por nuk është vonë për të ndërtuar një plan strategjik në logjikën e shtruar nga ministri i Jashtëm spanjoll dhjetë vjet më parë, që Shqipëria të bëhet plotësisht një zë europian brenda OKI. Për këtë qëllim, duhet të vendoset një kanal i posaçëm komunikimi dhe koordinimi me Brukselin, si me zyrën e zonjës Mozherini, ashtu edhe me Komisionin Europian. Trupa jonë diplomatike ka kapacitete të mjaftueshme për një punë të tillë, por që duhen udhëhequr nga politika. Për Bashkimin Europian kjo do të ishte një rrugë e shkurtër, e drejtpërdrejtë dhe efikase për të përcjellë mesazhet e veta të bashkëpunimit me këtë organizatë, jo vetëm në luftën kundër radikalizmit të dhunshëm islamik, por edhe në fushat e tjera ekonomike dhe kulturore. Ky do të ishte një kontribut specifik dhe i vlerësueshëm, që Shqipëria i ka mundësitë ta japë për Bashkimin Europian.
Artikulli është pjesë e një debati mbi integrimin europian të vendit, të zhvilluar nga Instituti shqiptar i medias

Related

Opinione 6402650158210243505

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item