9 faktorët që ndikojnë në shfaqjen e anemisë

Anemia është një gjendje që zhvillohet kur gjaku i organizmit nuk ka mjaftueshëm qeliza të kuqe të shëndetshme apo hemoglobinë. Hemogl...


Anemia është një gjendje që zhvillohet kur gjaku i organizmit nuk ka mjaftueshëm qeliza të kuqe të shëndetshme apo hemoglobinë. Hemoglobina është substanca kryesore e qelizave të kuqe të gjakut që lidh oksigjenin. Është pikërisht gjaku, i cili nëpërmjet rruazave të kuqe dhe hemoglobinës shpërndan në të gjithë trupin tonë oksigjenin dhe lëndët ushqyese. Nëse numri i rruazave të kuqe dhe hemoglobina nuk janë në vlerat e tyre normale, atëherë i gjithë organizmi nuk do të furnizohet më sasinë e duhur të oksigjenit. Kjo shpjegon edhe simptomën më të shpeshtë të anemisë që është lodhja, për shkak se gjithë organet nuk marrin atë që kanë nevojë për të funksionuar si duhet. Anemia është një ndër çrregullimet më të zakonshme të gjakut. Më shpesh njerëzit raportojnë dobësi të përgjithshme, lodhje, gjendje të keqe të përgjithshme, vështirësi në përqendrim, vështirësi në frymëmarrje. Kur gjendja është më e avancuar kanë dridhje trupi, rrahje të shpeshta të zemrës, dhimbje gjoksi, dhimbje kockash, vështirësi në gëlltitje, zbehje të lëkurës dhe të mukozave, thonj delikatë e të thyeshëm lehtë. Anemitë kronike mund të çojnë në çrregullime të sjelljes tek fëmijët, si rezultat i çrregullimeve të sistemit nervor, duke reduktuar edhe performancën shkollore, vështirësi në përqendrim. Ndërsa tek anemitë nga mangësia e hekurit është më e shpeshtë simptoma e dhimbjes dhe lodhjes së këmbëve. Trajtimi i anemisë është një moment mjaft i rëndësishëm. Abuzohet shumë me këto raste. Njerëzit e sinjifikojnë rëndom aneminë me mungesën e hekurit dhe shkojnë direkt në farmaci dhe marrin atje mjekim. Anemia trajtohet sipas shkakut dhe me doza rigorozisht të përcaktuara mirë nga mjeku hematolog. Kohëzgjatja e mjekimit përcaktohet në bazë të ekzaminimeve periodike ciklike. Përsa i përket dietë, ajo duhet të jetë e shumëllojshme dhe gjithëpërfshirëse sidomos në periudha të caktuara të jetës. Nëse kemi anemi duhet të kërkohet trajtim urgjent nga mjeku dhe nuk zgjidhet absolutisht vetëm me ndryshimin e mënyrës së ushqyerjes.
Shkaktarët më të shpeshtë të anemisë
• Sot numërohen rreth 400 lloje të ndryshme anemish dhe shkaqet janë të shumëllojshme.
• Gratë dhe personat që vuajnë nga sëmundje kronike janë me rrezik të rritur për anemi. Duke u nisur dhe nga klasifikimi i anemive, ndër shkaqet më të shpeshta të anemive që shkaktohen nga humbjet e gjakut përmendim gjakrrjedhjet që mund të ndodhin ngadalë për një periudhë të gjatë kohore dhe shpesh mund të shkojnë pa u vënë re. Këto ndodhin më shpesh në rastet e çrregullimeve të sistemit të tretjes, si për shembull gastritet (inflamacione, infeksione të stomakut), ulcerat e ndryshme, hemorroidet (majasëlli), kanceri.
• Anemia mund të ndodhë tek përdoruesit e drogave, nga përdorimi i pakontrolluar i medikamenteve të tilla si; aspirina, ibuprofeni, kortizonikët, që mund të shkaktojnë gastrit dhe ulcera.
• Menstruacionet te femrat mund të shkaktojnë anemi nëse gjakderdhja është e tepruar dhe zgjat shumë në kohë.
• Edhe gjatë shtatzanisë kemi anemi, por këto trajtohen mjaft mirë dhe kalojnë pa problem, nëse situata mbahet nën kontroll nga mjekët. Po ashtu edhe gjatë lindjes, sidomos pas shtatzanive të shumëfishta sëmundja është shumë e shpeshtë.
• Rasti tjetër është kur organizmi nuk prodhon sasinë e duhur të qelizave të kuqe, ose ato prodhohen me defekte, të cilat mund të jenë edhe të trashëguara. Qelizat e kuqe të gjakut mund të kenë mungesa të mineraleve, ose të vitaminave, të cilat janë të nevojshme që ato të funksionojnë normalisht. Këtu përmendim aneminë me qeliza në formë drapëri (anemia drepanocitare), anemia nga mangësia e hekurit, anemia nga mangësia e vitaminave. Anemia në formë drapëri (drepanocitare) vjen si rezultat i një defekti gjenetik që trashëgohet. Qelizat e kuqe në formë drapëri nuk mbartin sasinë e duhur të oksigjenit dhe shkatërrohen shpejt, kështu që dhe organizmi nuk furnizohet si duhet me oksigjen duke shkaktuar dobësi dhe dhimbje trupore.
• Ndërsa anemia më e shpeshtë dhe më e njohur është ajo nga mangësia e mineralit të hekurit. Palca e kockave ka nevojë për hekur që të mund të prodhojë hemoglobinën e cila bën transportimin e oksigjenit në gjithë organizmin. Pa hekur të mjaftueshëm nuk prodhohet hemoglobina e mjaftueshme për rruazat e kuqe. Mangësitë e hekurit mund të rrjedhin nga dietat e varfra me hekur (sidomos foshnjat), gjatë periudhës kur rriten nevojat e organizmit për hekur (adoleshenca, shtatzania, ushqyerja me gji), dhurimet e shpeshta të gjakut, menstruacionet, dietat vegjetariane, sëmundje të ndryshme të aparatit tretës, operacione të stomakut, apo zorrës së hollë, pijet me kafeinë, etj.
• Përveç hekurit mund të kemi mangësi të vitaminës B12 dhe acidit folik, që janë të domosdoshme për prodhimin e vetë rruazave të kuqe të gjakut. Këto mangësi mund të vijnë gjatë infeksioneve parazitare, kirurgjive të stomakut apo të zorrëve, infeksionit të HIV-it, gjatë shtatzanisë, nga përdorimi i alkoolit, medikamente të ndryshme.
• Mangësia e acidit folik është mjaft e rëndësishme në periudhën e parë të shtatzanisë sepse çon në difekte të lindura të tubit nervor (spina bifida). Prandaj është e këshillueshme që nënat që kanë planifikuar shtatzani të bëjnë profilaksinë me acid folik tre muaj përpara, e në vazhdim të gjithë shtatzanisë. Sigurisht që marrja e acidit folik duhet të bëhet vetëm me këshillimin e mjekut, për përcaktimin e saktë të dozës që duhet përdorur.
• Kushte të tjera kur kemi anemi mund të përmendim sëmundjet kronike të veshkave, çrregullime të tiroides, kanceri, artriti reumatoid, diabeti, mosha e vjetër, stresi, çrregullimet e presionit arterial, çrregullime të koagulimit të gjakut, zmadhimi i shpretkës, valvulat e zemrës (protezat valvulare).

Related

Shëndet & estetikë 3502327694346414693

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item