Zgjidhja e krizës, shpresë minimale për Sirinë

A ka Europa një strategji për Sirinë? Në Bruksel takohen ministrat e Jashtëm të BE-së për t’u konsultuar mbi Sirinë. Ndërkohë që lufti...


A ka Europa një strategji për Sirinë? Në Bruksel takohen ministrat e Jashtëm të BE-së për t’u konsultuar mbi Sirinë. Ndërkohë që luftimet në disa rajonë vazhdojnë, në horizont po duket një shans i ri.
Vdekja trokiti natën. Avionët e ushtrisë siriane bombarduan me raketa, duke e shkarkuar ngarkesën e vdekjes në qytetin Al-Rastan të kontrolluar nga islamistët rebelë. Objektiv i sulmeve: strehimet e rebelëve. Nuk luante ndonjë rol për ushtrinë siriane që gjatë sulmeve ajrore viktima mund të bëheshin edhe civilët. Në fund- një numër i madh civilësh u goditën nga sulmet. Një familje humbi njëherësh 13 anëtarë. Ata u vranë në kohën kur ra ndërtesa, ku ishin futur për strehim.
Sulmi javën e shkuar dokumenton edhe njëherë se sa të vështirë e kanë ministrat e Jashtëm që takohen në Bruksel, për të shkuar drejt një zgjidhjeje paqësore për Sirinë. “Duhet të gjejmë rrugën për një proces politik”, është shprehur ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier para pak ditësh në takimin e grupit të kontaktit për Sirinë. Steinmeier kërkoi përmirësimin e ndihmës humanitare për Sirinë, për të fituar opozitën në bisedimet e paqes në Gjenevë. Vetëm kështu mund të ndikojmë për një ndryshim politik në Siri, i nevojshëm ky, pasi me Bashar al-Asadin nuk është e mundur një e ardhme në Siri. “Prandaj duhet të startojmë me bisedimet në patronazhin e OKB-së për të diskutuar mbi një qeveri provizore”, është shprehur Steinmeier.
“Faktet janë gati”
Por kjo strategji është e pasigurtë. „Në Siri nuk kemi vetëm luftë qytetare, por edhe një luftë përfaqësuese“, sqaron eksperti për Lindjen e Mesme, Michael Luders për radion gjermane, Deutschlandfunk (DLF). Në këtë kuptim bëhet fjalë për më shumë se të ardhmen e regjimit aktual. Shtetet perëndimore, Turqia dhe Arabia Saudite kanë punuar në drejtim të rrëzimit të Bashar-Al-Asadit, me qëllim për të dobësuar ndikimin e Rusisë dhe Iranit në rajon. Kjo strategji ka dështuar. „Amerikanët kanë qenë me vite hezizues, nëse duhet të ndërhyjnë ushtarakisht. Rusët e bënë këtë, ata krijuan fakte.“
Megjithatë zgjidhja nuk mund të jetë që perëndimi të krijojë një aleancë me trupën e milicët e Asadit, thotë eksperti Guido Steinberg i Fondacionit të Berlinit „Shkenca dhe Politika“, (Berliner Stiftung – Wissenschaft und Politik). „ Me këtë do të bëhej palë armike shumica e popullsisë siriane.”
Kjo do të kishte vetëm si pasojë që disa rajone të kontrolluara nga qeveria do të ishin më të stabilizuara. Por për metropole si Alepo gjendja nuk do të ndryshonte shumë. “Një zgjidhje diplomatike, si ajo që propagandohet tani, do të ishte vetëm një zgjidhje e pjesshme.”
Sinjale të reja nga Teherani
Perëndimi nuk mund të llogarisë me partnerë ushtarakë, thotë Michael Lüders për DLF. Opozita e moderuar siriane, për të cilin angazhohet Europa, nuk ka ndonjë peshë në Siri. „Ajo nuk as opsion politik dhe as ushtarak.“ Mbeten dy rrugëdalje: Opozita ose mund të bëjë një lloj pakti me regjimin, me shpresën se mund të njihet prej tij në ndonjë formë – ose anëtarët e saj do të vazhdojnë të mbeten në ilegalitet apo në emigracionin europian. „Por ajo nuk ka në terren forcë ushtarake apo atë mbështetje që duhet në popullsi për të çuar përpara ndërrimin e pushtetit në Damask.“
Një shpresë e vogël ekziston –megjithëse jo shpejt e realizueshme: Në fund të javës se kaluar, Irani ka dërguar sinjale të qarta çtensionimi në drejtim të Arabisë Saudite. „Për ne Arabia Saudite është një nga partnerët më të rëndësishëm në botën islame, prandaj ne jemi të gatshëm të mënjanojmë diferencat me Riadin përmes një dialogu politik“, është shprehur Abas Araghchi, zëvendësministri i Jashtëm i Iranit për agjencinë iraniane, IRNA të premten e kalaur. Ndoshta dy fuqitë hegjemoniale e kanë kuptuar se kursi i konfrontimit i viteve të kaluara nuk ka sjellë asgjë veç shkatërrimit. Arabia Saudite dhe Irani nuk përplasen vetëm në Siri, por edhe në Irak, në Liban, Jemen në konflikte të drejtpërdrejta e jo të drejtpërdrejta. Pas vitesh duke matur forcën si në aspektin ekonomik e politik, mund të fillojë një fazë e re e afrimit – me pasoja edhe për Sirinë.
Politikë cinike
Por aktualisht ende luftohet dhe viktimat janë civilët. Së fundmi u bë e ditur, se milicët që luftojnë për Asadin kanë rrëmbyer 40 gra në afërsi të Rastanit. Pengjet shërbejnë për të negociuar me xhihadistët, të cilët po ashtu morën peng civilët në qytetin e Zahras. Rruga për paqen në Siri nuk kalon as nga Uashingtoni dhe as nga Moska, por përmes Teheranit dhe Riadit. Nëse në këto dy kryeqytete islame fillon të zërë vend një politikë e re, atëherë i ofrohen shanse të reja edhe diplomacisë europiane, por duhet të dihet se vendimet me rëndësi nuk do të merren brenda Europës./DW

Related

Top Lajm 2874765861630639181

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item